Teksa Bashkimi Evropian po financon dhe koordinon një numër rekord zjarrfikësish, avionësh dhe ekspertësh për sezonin e zjarreve këtë verë, në Kosovë disa nga problemet e vjetra mbeten ende të pazgjidhura.
Ndonëse thotë se në dy vjetët e fundit ka pasur përmirësime në pajisjet dhe mjetet e zjarrfikësve, vetë Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) pranon se sfidat vazhdojnë.
“Ashtu si çdo sektor emergjent në rajon, edhe ne përballemi me nevojën për rritjen e numrit të stafit dhe ripërtëritjen e flotës së automjeteve”, thonë nga AME-ja për Radion Evropa e Lirë.
Autoritetet në Kosovë e pranojnë se përballen me sfida kur bëhet fjalë për pajisje për shuarjen e zjarreve.
Megjithatë, ata insistojnë se edhe me kapacitetet aktuale, “përmes menaxhimit të mirë, dislokimit të ekipeve sipas zonave të rrezikut dhe gatishmërisë së lartë të zjarrfikësve tanë”, Kosova është në gjendje t’u përgjigjet në mënyrë efektive emergjencave.
Një zjarrfikës i angazhuar në Kosovë, i cili nuk pranon të identifikohet, ankohet për situatën, duke thënë se ende nuk ka përmirësime të dukshme dhe se “asgjë nuk po ndryshon”.
Një vit më parë, përfaqësuesi sindikal i zjarrfikësve në Kosovë, Muharrem Beka, u ankua pikërisht për numrin e zjarrfikësve dhe pajisjet e vjetruara - në disa raste të mbetura që nga vitet e 80-ta.
Një kamion për shuarjen e zjarreve që u përdor në Prevallë gjatë zjarreve më 2024.
Kosova aktualisht ka rreth 800 zjarrfikës, e që është nën standardin e kërkuar.
Në bazë të rregullores për strukturën organizative të njësive profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit, për çdo 1.500 banorë nevojitet së paku një zjarrfikës.
Me rreth 1.6 milion banorë, vendit i duhen rreth 1.100 zjarrfikës për ta plotësuar këtë standard.
Pasojat që zjarret shkaktuan në fshatin Kçiq të Mitrovicës më 2025.
Ky hendek mbetet kritik pasi që Kosova, vitin e kaluar, u radhit si një nga gjashtë shtetet evropiane që regjistruan sezonin më të keq me zjarre masive ndonjëherë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Evropian, rreth 18.500 hektarë u dogjën nga mbi 280 zjarret e regjistruara vitin e kaluar në Kosovë.
Prej tyre, pothuajse gjysma ishin tokë pyjore.
Eksperti i Sistemeve të Informacionit Gjeografik (GIS) dhe i Teledetektimit (Remote Sensing), Faruk Foniqi, thotë se pikërisht zonat në parqet kombëtare të Kosovës janë dëshmuar si më të cenueshmet nga zjarret.
Ai përmend zonat si Bjeshkët e Nemuna, Malet e Sharrit dhe Kopaoniku si pika ku, ndër vite, janë regjistruar vazhdimisht zjarre.
Pasojat nga zjarret në Bjeshkët e Nemuna disa vjet më parë.
“Qasja në to është shumë e vështirë për shkak të relievit, rrugëve. Në shumicën e rasteve, qeveria apo komuna është detyruar të kërkojë ndihmë prej KFOR-it”, thotë Foniqi për REL-in.
Ndër vite, trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u janë përgjigjur kërkesave të institucioneve vendore për ndihmë në luftimin e zjarreve, pasi që vetë Kosova nuk ka ende kapacitete ajrore për shuarjen e tyre.
Helikopterët e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, duke ndihmuar në shuarjen e zjarreve në Prevallë.
Si i përgatit Evropa zjarrfikësit e saj?
Për shkak të zjarreve masive që kanë shkatërruar qindra mijëra hektarë tokë në Evropë në vitet e fundit, Komisioni Evropian ka shtuar kapacitetet në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile.
Për reagim më efikas ndaj sezoneve të zjarreve që po bëhen më të gjata dhe më shkatërruese, ai ka angazhuar:
- 777 zjarrfikës nga 14 vende për dislokim paraprak në Qipro, Greqi, Itali, Francë, Spanjë dhe Portugali;
- 22 avionë dhe 5 helikopterë zjarrfikës janë në gatishmëri, dy prej tyre në Maqedoni të Veriut.
Kosova, deri më sot, nuk e ka aktivizuar asnjëherë Mekanizmin Evropian për Mbrojtje Civile, por në raste emergjencash ka përdorur ndihmën e KFOR-it dhe marrëveshjet dypalëshe me shtete si: Shqipëria, Kroacia dhe Sllovenia.
Por, përtej problemeve me numër të zjarrfikësve dhe pajisje të vjetruara, Foniqi thotë se Kosova ka edhe mangësi të tjera.
KFOR-i duke ndihmuar në shuarjen e zjarreve në perëndim të Kosovës më 2021.
Edhe pse institucionet tashmë kanë qasje në të dhëna satelitore dhe analiza të avancuara mjedisore, problemi kryesor, sipas tij, mbetet mungesa e kapaciteteve njerëzore për t’i shfrytëzuar ato në mënyrë efektive.
Ai shpjegon se indekset si lagështia e tokës mund të përdoren për identifikimin e zonave me rrezik të lartë.
“Një vend ku indeksi i lagështisë është i ulët, detyrimisht është vend potencial ku mund të kemi edhe zjarr në të ardhmen”, thotë Foniqi.
Në këtë kontekst, ai kërkon integrim më të madh të GIS-it dhe të ‘remote sensing’ në institucionet publike për parandalim dhe monitorim më efikas.
Si i përdor BE-ja këto të dhëna?
Bashkimi Evropian po përdor gjithnjë e më shumë teknologjinë satelitore për parandalimin, monitorimin dhe menaxhimin e zjarreve.
Përmes shërbimit Copernicus dhe Sistemit Evropian të Informimit për Zjarret në Pyje (EFFIS), institucionet evropiane gjenerojnë të dhëna në kohë reale mbi lagështinë e tokës, temperaturat, përhapjen e zjarreve dhe rrezikun e tyre, duke u mundësuar shteteve anëtare dhe ekipeve të emergjencës reagim më të shpejtë dhe më të koordinuar në terren.
Sipas Komisionit Evropian, zjarret në Evropë lidhen ngushtë me valët e të nxehtit dhe thatësirën e zgjatur, të cilat e përkeqësojnë ndjeshëm sezonin e tyre në gjithë kontinentin.
Një valë e të nxehtit veçse është regjistruar këtë verë në Evropë, qysh në qershor, e që është fajësuar për shkaktimin e mbi një mijë vdekjeve shtesë.
Faruk Foniqi.
Në Kosovë, përveç nxehtësisë e thatësisë, faktori njerëzor mbetet ndër shkaktarët kryesorë të zjarreve në pyje.
“Njeriu del, bën grill… dhe kur lë pas mbeturinat, xhamin, zjarrin e pasiguruar… shkakton dëme në qindra hektarë të djegura”, thotë Foniqi.
Mbeturinat në pyje rrisin rrezikun dhe përhapjen e zjarreve, pasi që qelqi mund t’i përqendrojë rrezet e diellit dhe të ndezë materialin e thatë, ndërkohë që plastika dhe mbetjet kimike rrisin intensitetin e djegies.
Cigaret apo prushi i hedhur pa kujdes mund të shndërrohen, po ashtu, në burime të fshehura zjarri që shpërthejnë më vonë në vatra të mëdha.
Zjarret e egra në Portugali më 2025.
E, pasojat e pakujdesive të vogla nuk janë vetë të vogla.
Foniqi tregon se përveç ndotjes së ajrit nga emetimet, zjarret masive shkaktojnë degradimin e tokës dhe shkatërrimin e biodersivitetit, që duhet me vite të tëra për t’u rikuperuar.