Kushtetuesja: Zgjedhja e Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit ishte antikushtetuese

Nenad Rashiq, së bashku me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. 19 nëntor 2025.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se zgjedhja e Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb në legjislaturën e kaluar, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Në njoftimin për aktgjykimin, Gjykata tha më 28 janar se ky "në rrethanat e rastit konkret nuk ka efekt prapaveprues".

Pra, kjo do të thotë se ky vendim nuk vlen edhe për rastet para hyrjes në fuqi, por për ato që do të merren në të ardhmen.

Edhe në legjislaturën e re, të dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Lista Serbe pritet të ketë nëntë deputetë, ndërkaq Rashiq një. Prandaj, në bazë të këtij vendimi, do t’i takojë Listës Serbe, si partia me më së shumti deputetë nga radhët e serbëve, që të propozojë kandidatin për nënkryetar të Kuvendit.

Rashiq u zgjodh në tetorin e vitit të kaluar, pasi të propozuarit nga Lista Serbe - që kishte nëntë deputetë - nuk morën votat e nevojshme, dhe u organizua shorti.

Kushtetuesja tha se drejta për të propozuar nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb i takon shumicës së deputetëve të këtij minoritet.

"Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rashiq në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë", u tha në aktgjykimin e Kushtetueses.

Organi më i lartë i drejtësisë në Kosovë tha se mekanizmat zhbllokues, sikurse hedhja vetëm deri në tri herë në votim e një emri dhe procedura e shortit, "duhet të vijnë në shprehje vetëm në rrethana përjashtimore dhe për qëllimin për të cilin ato janë përcaktuar, përkatësisht në funksion të konstituimit të Kuvendit", në mënyrë që brenda afatit 30-ditor të konstituohet organi ligjvënës.

"Siç është elaboruar në aktgjykim, zbatimi i këtyre mekanizmave në një mënyrë që do t’i mundësonte shumicës së deputetëve të Kuvendit të përcaktojë përfaqësuesin e një komuniteti që nuk është shumicë, pa propozimin e deputetëve të atij komuniteti, në thelb, do të përbënte anashkalim të garancive formale të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit. Kjo për arsye se, propozimi i kandidatëve për nënkryetarë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë është e drejtë e shumicës së deputetëve të atyre komuniteteve", u tha në vendim.

Basha: Pretendimet e Kushtetueses për zgjedhjen e Rashiqit, të pabaza

Kryetari i legjislaturës së kaluar, Dimal Basha, ka reaguar pas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, duke u shprehur se ai përmban “gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse”. Ai vlerësoi se pretendimet e Gjykatës Kushtetuese “janë të pabaza” sa i përket zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Sipas tij, Kushtetuesja nuk ka mandat që të interpretojë Rregulloren e Kuvendit, pasi atë e bën vetë kryetari.

“Gjykata në rastin e sotëm nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese, por ka interpretuar frymën e Rregullores së Kuvendit, për të cilën nuk ka mandat”, shkroi Basha në Facebook.

Basha tha se Rashiq nuk u propozua nga shumica e deputetëve serbë, pasi siç argumentoi ai, nga shumica e këtyre deputetëve nuk ka pasur propozim.

“Me fjalë të tjera, vetë Gjykata Kushtetuese po e pranon se shumica e deputetëve nga komuniteti serb nuk e kanë propozuar zotin Rashiq, pra kemi pasur të bëjmë me refuzim, apo ndryshe thënë mospropozim nga ana e tyre”, tha Basha.

Ai arsyetoi veprimet e tij kur hodhi në votim nga tri herë të gjithë deputetët nga Lista Serbe, dhe më pas hedhjen në votim të emrit të Rashiqit, duke theksuar se Rashiq u zgjodh nënkryetar në bazë të Kushtetutës dhe Rregullores.

“Prandaj, të gjitha pretendimet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese janë të pabaza, dhe vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e deputetit Nenad Rashiq në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit ka qenë në harmoni të plotë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, shkroi ai.

Çështja e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës

Më 16 tetor 2025, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – iu drejtua Kushtetueses me ankesë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.

SHIKONI EDHE: Gjykata Kushtetuese konfirmon pranimin e ankesës nga Lista Serbe

Legjislatura e nëntë e Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.

Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.

Gjykata më e lartë në vend veçse kishte trajtuar një ankesë të Listës Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kryeparlamentari Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.

Më pas, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë.

Në atë vendim, Kushtetuesja tha se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë, në këtë rast të pakicës serbe, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.

Pasi deputetët e Listës Serbe nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kërkoi që zgjedhja e nënkryetarit serb të vazhdojë përmes shortit, duke i mundësuar deputetit tjetër serb, Nenad Rashiq nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të zgjidhet nënkryetar.

SHIKONI EDHE: Lista Serbe sfidon Kuvendin dhe rrezikon formimin e Qeverisë së re

Rashiq ka qenë ministër në Qeverinë e Albin Kurtit, duke udhëhequr dikasterin për Komunitete dhe Kthim.

Lista Serbe ka argumentuar se zgjedhja e Rashiqit është “jolegjitime” dhe paralajmëroi se zgjedhjet do të humbasin kuptimin, nëse shumica e deputetëve shqiptarë u imponon serbëve përfaqësues, duke legalizuar ashtu “dhunën e shumicës ndaj pakicës”.

Një ditë pas zgjedhjes së Rashiqit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte mandatuar udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re. Por, as Kurti dhe as mandatari i dytë, Glauk Konjufca, nuk arritën ta bënin Qeverinë dhe vendi shkoi në zgjedhje të reja më 28 dhjetor.