Komisioni për liritë qytetare, punë të brendshme dhe drejtësi i Parlamentit Evropian, ka miratuar edhe një herë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi një gjë të tillë, para disa javësh, e kishin miratuar edhe ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Ky vendim ka marrë shumicën e nevojshme në këtë komision parlamentar me 47 vota për, 8 kundër dhe 4 abstenime.
Në muajin prilll, eventualisht në maj, pritet të miratohet edhe në seancë plenare të Parlamentit Evropian.
SHIKONI EDHE: Ministrat e BE-së miratojnë edhe një hap drejt liberalizimit të vizave për KosovënPas kësaj, vendimi do të nënshkruhet dhe botohet në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian. Në këtë mënyrë, do të përmbyllet i tërë procesi formal.
Nuk ka pasur asnjë ndryshim në tekstin e vendimit.
Pra, sipas asaj që ishin marrë vesh qysh në vitin e kaluar përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, ky vendim do të hyjë në fuqi në kohën kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i regjistrimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS), apo jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
SHIKONI EDHE: Shtyhet hyrja në fuqi e ETIAS-it, liberalizimi i vizave jo më vonë se 1 janar 2024Pasi afati për hyrje në fuqi të ETIAS-is është shtyrë për vitin 2024 dita e parë e këtij viti, pra 1 janari i vitit 2024, realisht pritet të jetë edhe dita prej së cilës qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen.
Kjo zonë përfshin pothuajse të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe vendet si Zvicra, Norvegjia, Islanda e Lihtenshtajni, që nuk janë në BE, por janë pjesë e zonës së lëvizjes së lirë.