Huaja amerikane për ushtrinë ndez debat në Kuvendin e Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë, 27 korrik 2026.

Kuvendi i Shqipërisë u përfshi në debat gjatë shqyrtimit të një marrëveshjeje huaje prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara, e destinuar për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Shumica socialiste kërkoi që marrëveshja të futej në rendin e ditës me procedurë të përshpejtuar, duke argumentuar se zbatimi i saj duhet të nisë sa më shpejt për të përforcuar kapacitetet mbrojtëse të vendit.

Opozita, megjithëse deklaroi se e mbështet marrëveshjen, kundërshtoi mënyrën se si ajo po shqyrtohej.

Më 19 qershor, Qeveria e miratoi në parim marrëveshjen e huas direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF).

SHIKONI EDHE:

Shqipëria forcon mbrojtjen me rezervistë

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, tha se propozimi për procedurën e përshpejtuar ishte bërë nga deputetët e Partisë Socialiste.

Ai sqaroi se deputetët mund të njihen me përmbajtjen e marrëveshjes pasi ta nënshkruajnë deklaratën e konfidencialitetit.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi marrëveshjen si “historike”, duke thënë se ajo përfaqëson një dëshmi të besimit të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë.

“Ky financim do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, pajisje dhe shërbime të mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s”, tha ai.

SHIKONI EDHE:

SHBA: Shqipëria të mirëpresë investimet e huaja, por të garantojë siguri për sektorët strategjikë

Sipas Ballës, fondet do të disbursohen gradualisht sipas nevojave të Ministrisë së Mbrojtjes.

Shqipëria do të ketë 48 muaj për t’i aktivizuar fondet dhe 12 vjet për shlyerjen e huasë, ndërsa përdorimi i tyre do të monitorohet nga Agjencia Amerikane për Bashkëpunimin në Fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes (DSCA).

Opozita e vlerësoi marrëveshjen, por kundërshtoi procedurën parlamentare.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se mënyra e ndjekur nga shumica bie ndesh me Kushtetutën dhe propozoi që marrëveshja të shqyrtohej fillimisht në komisionet parlamentare, përpara se të hidhej në votim në një seancë tjetër.

Duke iu referuar nenit 83 të Kushtetutës, Bardhi argumentoi se një ligj nuk mund të miratohet më herët se një javë nga fillimi i procedurës së shqyrtimit dhe paralajmëroi se opozita do ta ankimojë procedurën në Gjykatën Kushtetuese.

Ai kritikoi gjithashtu Qeverinë për, siç tha, vonesat në përmbushjen e angazhimeve ndaj NATO-s.

“Na flisni për marrëveshje historike, por keni pasur 14 vjet kohë për t’i përmbushur detyrimet në fushën e sigurisë. Nëse fondet publike nuk do të ishin keqpërdorur përmes korrupsionit, Shqipëria nuk do të kishte nevojë të merrte hua të tillë”, tha Bardhi.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se marrëveshja ishte përcjellë nga autoritetet amerikane disa muaj më parë dhe ishte miratuar nga Qeveria më 19 qershor, por se nuk ishte bërë publike.

Sipas tij, nuk ka asnjë arsye që ajo të sillet në Kuvend me procedurë të përshpejtuar.

SHIKONI EDHE:

Shqipëria hap shkollën e fluturimit, fton Kosovën që ta shfrytëzojë për stërvitje

Më 11 qershor, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Uashington, ku u takua me drejtoreshën në detyrë të DSCA-së, Mary Beth Morgan.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, bisedimet u përqendruan në avancimin e projekteve të përbashkëta, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe rritjen e kontributit të Shqipërisë në NATO.

DSCA është agjenci e Departamentit amerikan të Mbrojtjes që administron programet e bashkëpunimit ushtarak me vendet partnere, përfshirë financimin, shitjen e pajisjeve ushtarake dhe projektet për modernizimin e forcave të armatosura.

Në fund të qershorit, Shqipëria rriti buxhetin e mbrojtjes me 10.3 miliardë lekë - afërsisht 105 milionë euro.

Sipas Qeverisë, me këtë shtesë, shpenzimet për mbrojtjen arrijnë në 2.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Rritja e buxhetit vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po u kërkojnë aleatëve të NATO-s t’i shtojnë investimet në mbrojtje, ndërsa Aleanca ka vendosur si objektiv që vendet anëtare të synojnë shpenzime deri në 5 për qind të PBB-së deri në vitin 2035.

Protestë jashtë Kuvendit

Ndërkohë, jashtë Kuvendit të Shqipërisë, të hënën u mbajt edhe protesta e radhës antiqeveritare.

Policia bllokoi rrugët hyrëse drejt Kuvendit dhe vendosi masa të shtuara sigurie.

Tiranë, 27 korrik 2026.

Protestuesit hodhën vezë dhe domate në drejtim të efektivëve, ndërsa policia përdori sprej irritues për t’i shpërndarë.

Një i ri u dërgua në spital për ndihmë mjekësore dhe disa protestues u shoqëruan në polici, përfshirë një nga organizatorët.

Protesta “Revolucioni i Flamingove”, e cila zhvillohet prej rreth dy muajsh, zhvendoset para Kuvendit sa herë që mbahen seanca plenare.

Këtë herë, perimetri i sigurisë u zgjerua ndjeshëm për t’i penguar protestuesit që t’u afroheshin deputetëve.

Tiranë, 27 korrik 2026.

Javën e kaluar, 17 persona u plagosën gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa rreth 30 persona u shoqëruan në polici - mes tyre një gazetare dhe një antropologe gjuhësore amerikane.

Protestat nisën si kundërshtim ndaj projektit të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, pranë Vlorës.

Më pas, ato u shndërruan në një lëvizje më të gjerë kundër politikave qeveritare, me kërkesa për mbrojtjen e mjedisit dhe territorit, dorëheqjen e Qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe shpërndarjen e Kuvendit.