Paralajmërimi i Bashkimit Evropian, reagimet e ashpra në Kosovë dhe përplasja mes zyrtarëve në Tiranë e Beograd pasuan deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Bashkimi Evropian paralajmëroi se deklaratat e zyrtarëve serbë nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, proces që është kusht për përparimin e të dyja vendeve drejt anëtarësimit në BE.
“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumenjve, si dhe veprimet që nuk janë në përputhje me këtë synim, duhet të shmangen”, thuhet në përgjigjen e BE-së për Radion Evropa e Lirë.
Edhe Departamenti amerikan i Shtetit reagoi lidhur me këtë çështje, duke i thënë Radios Evropa e Lirë se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë prioritete të Shteteve të Bashkuara.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
SHIKONI EDHE:
BE-ja dhe SHBA-ja reagojnë ndaj deklaratave të Vuçiqit për IbrinNdryshimi i rrjedhës së Ibrit në mënyrë që lumi ta anashkalonte Kosovën do të ndërpriste prurjet e ujit në Liqenin e Ujmanit, një burim i rëndësishëm për furnizimin me ujë të Kosovës.
“Nuk bëhet fjalë për një skenar në të cilin furnizimi me ujë do të ndërpritej menjëherë”, thotë për Radion Evropa e Lirë profesori i hidraulikës dhe burimeve ujore në Kosovë, Alban Kuriqi.
Për Dushan Janjiqin nga organizata joqeveritare Forumi për Marrëdhënie Etnike, retorika e Vuçiqit është e rrezikshme, krijon atmosferë të keqe dhe mund të ndikojë edhe në pozitën e serbëve në veri të Kosovës.
“Ai tani po e përdor këtë për ta zgjatur disi pushtetin apo për të fituar diçka në zgjedhje, por rreziku është i madh. Ta përdorësh këtë si një mantrë ideologjike-propagandistike është e rrezikshme”, vlerëson Janjiq.
Deklaratat e Vuçiqit për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit vijnë në një kohë kur ai po përballet me kritika nga një pjesë e opinionit publik në Serbi, sipas të cilave nuk ka bërë mjaftueshëm për ta mbrojtur pronën e serbëve në veri të Kosovës.
Autoritetet e Kosovës nisën më 21 korrik rrënimin e shtëpive të ndërtuara pa leje pranë Liqenit të Ujmanit në veri të vendit, zonë e banuar me shumicë serbe.
Autoritetet në Prishtinë i konsiderojnë deklaratat e Vuçiqit si shantazh politik dhe kërcënim, gjë që Beogradi zyrtar e mohon.
Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi, hyn në Kosovë, ku rrjedh për rreth 82 kilometra, dhe më pas rikthehet në Serbi.
Ai furnizon me ujë liqenin artificial të Ujmanit, i cili shtrihet në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Rreth dy të tretat e liqenit ndodhen në territorin e Kosovës.
Realitet apo demagogji politike?
Profesori i hidraulikës dhe burimeve ujore në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT) në Kosovë, Alban Kuriqi, thotë se mundësia e ndërprerjes së prurjeve të ujit në Ujman duhet parë para së gjithash si një vendim politik.
Ai shpjegon se një projekt i tillë do të ishte jashtëzakonisht i ndërlikuar teknikisht dhe shumë i kushtueshëm.
“Megjithatë, nga një perspektivë afatgjatë inxhinierike, devijimi i pjesshëm ose marrja e një sasie të konsiderueshme uji në rrjedhën e sipërme është teknikisht e mundshme dhe për këtë arsye nuk duhet të hidhet poshtë plotësisht si e pamundur”, thotë Kuriqi.
Por, sipas tij, kjo do të kërkonte infrastrukturë të madhe hidroteknike.
Do të duhej të ndërtohej një digë për devijimin e ujit, objekte për marrjen e ujit dhe një kanal, tubacion ose tunel i madh për ta transportuar atë drejt një pellgu tjetër ujëmbledhës apo një rezervuari tjetër.
“Nëse transportimi me gravitet nuk do të ishte i mundur, do të nevojitej edhe infrastrukturë e konsiderueshme pompimi, si dhe energji për funksionimin e saj”.
“Një projekt i tillë do të kërkonte gjithashtu studime të hollësishme topografike, gjeologjike, hidrologjike dhe mjedisore, mjete të konsiderueshme financiare dhe shumë kohë për ndërtim”, thotë Kuriqi.
Cilat do të ishin pasojat?
Uji nga Liqeni i Ujmanit furnizon sistemin Ibër-Lepenc, i cili siguron ujë për objekte industriale dhe mundëson ujitjen e tokave bujqësore.
Prej tij furnizohen me ujë disa qytete të Kosovës. Uji përdoret gjithashtu nga hidrocentrali i Ujmanit, ndërsa Korporata Energjetike e Kosovës e shfrytëzon atë për ftohjen e termocentraleve.
“Ujmani varet në masë të madhe nga këto prurje nga rrjedha e sipërme. Vlerësimet e Bankës Botërore tregojnë se pothuajse i gjithë uji që Ibri sjell në Ujman vjen nga Mali i Zi dhe Serbia”, thotë Kuriqi.
“Prurja mesatare afatgjatë në rezervuar vlerësohet në rreth 11 metra kub për sekondë, megjithëse ajo ndryshon ndjeshëm mes viteve me reshje dhe atyre të thata, si dhe sipas stinëve”, shton ai.
Kuriqi shpjegon se rezervuari i Ujmanit ka kapacitet të konsiderueshëm për ruajtjen e ujit, prandaj zvogëlimi i prurjeve nuk do të nënkuptonte që Kosova do të mbetej menjëherë pa furnizim me ujë.
Megjithatë, ai paralajmëron se një zvogëlim i madh dhe afatgjatë i prurjeve do të kishte pasoja serioze për Kosovën.
“Kjo do ta zvogëlonte prodhimin e energjisë hidroelektrike dhe, me kalimin e kohës, do të kërkonte vendime gjithnjë e më të vështira për ndarjen e ujit mes furnizimit të popullsisë, prodhimit të energjisë elektrike, industrisë, bujqësisë dhe sigurimit të rrjedhës ekologjike”.
“Pasojat, rrjedhimisht, do të vareshin në masë të madhe nga shkalla dhe kohëzgjatja e zvogëlimit të prurjeve, si dhe nga niveli i ujit në rezervuar në momentin kur do të fillonte një zvogëlim i tillë”, thotë ai.
Një nga instrumentet kryesore globale që rregullon çështjet e ujërave ndërkufitare është Konventa e Kombeve të Bashkuara e vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit.
Serbia është palë në këtë konventë. Kosova nuk është, pasi nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Konventa, ndër të tjera, përcakton parimin e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare dhe detyrimin për të mos u shkaktuar dëme të konsiderueshme shteteve të tjera.
Përplasja e ministrave në rrjetet sociale
Ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nxiti një përplasje në rrjetin social X mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Serbisë.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, tha se uji nuk mund të përdoret si instrument i presionit politik apo si mjet për ndëshkimin e një vendi apo popullsie tjetër.
Ai theksoi se “Shqipëria mbështet fuqishëm të drejtën e Kosovës për siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e burimeve të saj ujore”.
Ndaj kësaj deklarate reagoi shefi i diplomacisë serbe, Marko Gjuriq, duke thënë se Serbia do të vendosë vetë se si do t’i menaxhojë burimet e saj natyrore.
“Vendimi i Tiranës për t’u përfshirë në këtë çështje, duke shpërfillur presionin sistematik ndaj popullsisë serbe dhe sulmet ndaj pronës serbe, ngre në mënyrë të pashmangshme pikëpyetje për motivet politike që qëndrojnë prapa ndërhyrjes së saj”, shkroi Gjuriq.
Për këtë çështje reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili qëndrimet e Beogradit i përshkroi si “folklor politik”.
“Lumi Ibër, krejtësisht i pavetëdijshëm për të gjitha hartografitë tona historike, do të vazhdojë të rrjedhë sipas gjeografisë dhe jo sipas folklorit”, tha Rama.
Your browser doesn’t support HTML5
Nga Ibri te "Shqipëria e Madhe": Si u përfshi Tirana në përplasjen mes Beogradit dhe Prishtinës
Kërcënim dhe presion politik?
Për autoritetet e Kosovës, ideja e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit është “absurde”, “kërcënuese” dhe “shoviniste”.
“[Hidrosistemi] Ibër-Lepenc dhe Liqeni i Ujmanit janë pjesë e një sistemi jetik për furnizimin me ujë, energjinë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës”, paralajmëroi ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Më herët, ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, e kishte cilësuar “shqetësuese” deklaratën e Vuçiqit për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit.
“Resurset ujore nuk mund të përdoren si instrument kërcënimi, presioni apo destabilizimi ndaj një shteti tjetër”, tha Pacolli.
Vuçiq, në anën tjetër, tha se me ngritjen e kësaj ideje nuk po kërcënon askënd, por vetëm po “merret me rrjedhat ujore në territorin e Republikës së Serbisë”.
“Meqë po e keqtrajtojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim – kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, e pastaj do të shohim çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, tha ai.
Dushan Janjiq kujton se një veprim i tillë nuk do të kishte pasoja vetëm për shqiptarët.
“Si t’ia shpjegojmë tani atij [Vuçiqit] se në veri të Kosovës jetojnë edhe serbë?”, thotë me ironi Janjiq.
Liqeni i Ujmanit ndodhet kryesisht në komunën e Zubin Potokut, në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ndërsa një pjesë më e vogël e tij shtrihet në komunën e Tutinit në Serbi.
Ideja ishte përmendur edhe më herët
Ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk është e re.
Në dhjetor të vitit 2024, pas shpërthimit që dëmtoi kanalin Ibër-Lepenc në Zubin Potok, Vuçiq tha se që nga viti 1985 ekziston një ide për ndryshimin e rrjedhës së lumit për nevojat e popullsisë në Serbi.
Ai kishte thënë atëherë se ishte kundër një ideje të tillë, duke theksuar se nuk dëshironte që “natyra të përdorej për qëllime politike”.
Dushan Janjiq thotë se edhe në mesin e viteve ’80 të shekullit të kaluar, Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve kishte shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, por se në fund ishte hequr dorë nga kjo ide.
“Pra, kjo në vetvete nuk është diçka e re. Ekzistojnë projekte të tilla dhe ato hyjnë në atë që quhet gjeopolitikë. Sidomos te këto lloje ideologjish nacionaliste, ku ke një udhëheqës që mendon se mund ta ndryshojë gjithë botën”, thotë Janjiq.
“Kjo është ëndrra e tij [e Vuçiqit] – se kur ke pushtet, mund ta ndryshosh edhe rrjedhën e lumit, edhe lëvizjen e tokës”, shton ai.
Çfarë ndodhi me “modelin e Kolumbias” për Ujmanin?
Kosova dhe Serbia, më 4 shtator 2020, nënshkruan Marrëveshjen e Uashingtonit për normalizimin ekonomik të marrëdhënieve mes tyre, në praninë e presidentit amerikan Donald Trump.
Një nga pikat e marrëveshjes kishte të bënte edhe me Liqenin e Ujmanit.
Në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara u dorëzuan Kosovës dhe Serbisë një studim fizibiliteti për menaxhimin e përbashkët të Liqenit të Ujmanit, sipas modelit të marrëveshjes për digat në lumin Kolumbia në veriperëndim të Paqësorit.
Marrëveshja për lumin Kolumbia ishte arritur në vitin 1961 dhe, në bazë të saj, u ndërtuan katër diga: tri në Kanada dhe një në shtetin amerikan të Montanës.
SHIKONI EDHE:
Marrëveshja e Uashingtonit: Çka u zbatua e çka jo?Studimi propozonte, ndër të tjera, edhe krijimin e një komisioni për lumin Ibër, i cili do ta lehtësonte diskutimin ndërmjet palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore.
Megjithatë, propozimi nuk është zbatuar deri më sot.
Departamenti amerikan i Shtetit nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij artikulli pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se çfarë ka ndodhur me këtë plan dhe nëse ai vazhdon të jetë aktual.