Shkurtimisht
- Emërimi i Igor Dodikut si mandatar për formimin e Qeverisë së re të Republikës Sërpska ngre pikëpyetjen nëse bëhet fjalë për ndërrim të gjeneratave në politikë apo për vazhdim të politikës së Millorad Dodikut, vetëm me një emër tjetër.
- Analistët nuk presin ndryshime thelbësore në raportet me Bashkimin Evropian, institucionet shtetërore dhe NATO-n, teksa ndryshimet e rrethanave politike në Serbi mund të ndikojnë në raportet mes Banjallukës dhe Beogradit.
Nga pozita e menaxherit të përgjithshëm të klubit të basketbollit në Banjallukë deri te mandatimi për formimin e Qeverisë së re të entitetit të Republikës Sërpska (RS).
Ky është rrugëtimi i Igor Dodikut, 37 vjeç, djalit të liderit të Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), Millorad Dodik. Babai i tij nuk mund të kandidatojë për asnjë post për shkak të dënimit gjashtëvjeçar të shqiptuar nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës për shkak të mosrespektimit të vendimit të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje.
SHIKONI EDHE:
Igor Dodik mandatohet për formimin e Qeverisë së re të Republikës SërpskaDodiku i ri është prezantuar si mandatar që duhet të formojë një qeveri profesionale, të re dhe efikase, siç kishte paralajmëruar babai i tij tri ditë më parë.
Të dy janë të njohur edhe për publikun ndërkombëtar për faktin se kanë qenë nën sanksionet amerikane. Dodiku i vjetër u sanksionua për pengimin e zbatimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, rrezikimin e stabilitetit dhe korrupsion, ndërsa i biri më 2023 u tha se është “pjesë e rrjetit financiar për pasurimin e familjes”.
Sanksionet ndaj tyre u hoqën para 13 muajsh.
A mund të ketë ndryshime thelbësore?
Gjatë vitit të fundit, Igori ka qëndruar krah babait të tij në të gjitha ngjarjet e rëndësishme Si bartës i listës zgjedhore të partisë, ai fitoi edhe një mandat në Kuvendin e RS-së.
Por, cilat janë ambiciet e tij të vërteta dhe a mund të jetë retorika e tij brenda Bosnjë e Hercegovinës dhe ndaj Bashkimit Evropian ndryshe nga ajo që është dëgjuar në Republikën Sërpska gjatë viteve të fundit?
Po të bëhej fjalë për një vend tjetër apo një kontekst tjetër politik, përgjigjja do të ishte pozitive, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) Vedran Xhihiq, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Vjenë.
“Në kontekstin e Republikës Sërpska dhe Bosnje e Hercegovinës ekziston një ‘por’ i madh. Pse? Emërimi i djalit të Millorad Dodikut tregon edhe një herë ndikimin e drejtpërdrejtë të Millorad Dodikut në zhvillimet politike në Republikën Sërpska. Duhet ta shohim realitetin që kemi, e ky është fakti se SNSD-ja që një kohë i ka kapur të gjitha institucionet në Republikën Sërpska dhe se pushteti, në thelb, ndodhet në duart e Millorad Dodiku", thotë Xhihiq.
Në duart e tij dhe në retorikën që ka mbizotëruar gjatë dekadës së fundit kanë qenë kundërshtimi i forcimit të institucioneve shtetërore, paralajmërimet për shkëputjen e Republikës Sërpska, kundërshtimi i integrimit në NATO, por edhe ngadalësimi i rrugës evropiane.
Edhe pse gjatë prezantimit të tij si mandatar tha se është për BE-në “aq sa do të na respektojnë”, është e vështirë të jesh tepër optimist se gjërat do të ndryshojnë në thelb, vlerëson Adi Qerimagiq, analist i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, me seli në Berlin.
“Nuk besoj se ndonjë vendim strategjik, në kuptimin e një ndryshimi të rëndësishëm të kursit ndaj Bashkimit Evropian apo NATO-s, do të merret pa miratimin e Millorad Dodikut. Prandaj, u takon vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që, në varësi të rëndësisë që i kushtojnë ndikimit të tyre në Bosnje e Hercegovinë, të vendosin se si duan t’i qasen një situate të tillë rajonale që ka ndryshuar dhe qeverisë së re, e cila tani drejtohet nga djali i Millorad Dodikut", thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE:
Bosnje dhe Hercegovina pas zgjedhjeve: Mes Rusisë dhe PerëndimitA do ta ndryshojë BE-ja qasjen?
BE-ja ende nuk ka komentuar për emërimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së re të Republikës Sërpska.
Deri në publikimin e këtij artikulli përgjigje nga BE-ja nuk kanë kthyer as në pyetjet e Radios Evropa e Lirë, ndër të tjera, lidhur me deklaratën e Igor Dodikut se mbështetja për rrugën evropiane të Bosnje e Hercegovinës do të varet nga shkalla në të cilën BE-ja “e respekton Republikën Sërpska”.
“Ajo që shohim në rajon sa i përket Bashkimit Evropian është një qasje e dyfishtë ndaj vendeve të ndryshme. Para së gjithash, mendoj për Malin e Zi dhe Shqipërinë. Pastaj kemi një qasje tjetër që e shohim në rastin e Serbisë, ku Bashkimi Evropian thotë: në rregull, jemi të vetëdijshëm se në këtë moment dhe në një periudhë të afërt, për shkak të jush dhe nesh, nuk po ju ofrojmë anëtarësim të plotë, por e vlerësojmë faktin se pushteti i ri në Serbi dëshiron të punojë në reformat në drejtësi, reformat në media, reformat e procesit zgjedhor dhe reformat në sektorin e sigurisë, dhe ne jemi këtu për t’ju ndihmuar”.
“Për Bosnje e Hercegovinën nuk kemi politika të reja të këtij lloji të deklaruara publikisht. Megjithatë, nuk duhet përjashtuar mundësia që një politikë e tillë të zbatohet edhe në Bosnje e Hercegovinë", thotë Qerimagiq.
Vogel: Në thelb, asgjë nuk ka ndryshuar
Toby Vogel nga Këshilli për Demokratizimin e Politikave në Bruksel thotë për Radion Evropa e Lirë se “është ende herët të thuhet nëse Igor Dodik është një figurë e pavarur apo thjesht një kukull e Millorad Dodikut”.
Ai vlerëson po ashtu se ekziston dyshimi se ai është emëruar në këtë post si zëvendësim për Millorad Dodikun dhe se nuk do të ketë asnjë dallim mes tyre sa u përket veprimeve, bindjeve dhe politikave.
“Sa i përket rrugës drejt BE-së, nuk mendoj se ka ndonjë gjë të re. Republika Sërpska gjithmonë ka thënë se çdo hap që do t’ia kufizonte hapësirën e veprimit do të ishte i papranueshëm dhe se do të kundërshtohej. Millorad Dodiku ka thënë shumë herë: ‘po, jam për integrimin në BE, por vetëm nëse...’ dhe pastaj vjen një listë e tërë kushtesh. Mendoj se, në thelb, nuk ka ndryshuar shumë. Dhe, sinqerisht, mendoj se duhet ta pranojmë se Bosnje e Hercegovina është ende shumë larg edhe hapave të parë në rrugën e saj drejt BE-së. Prandaj, nuk mendoj se emërimi i Igorit do të ketë ndonjë rëndësi të madhe, përveçse Millorad Dodiku do të luajë një lojë afatgjatë”, vlerëson Vogel.
Bosnje e Hercegovina e mori statusin e vendit kandidat në vitin 2022. Në mars të vitit 2024, Këshilli Evropian vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me shtetin, me kusht që autoritetet vendore të miratonin ligje të reja për Gjykatën e Bosnjë e Hercegovinës dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, si dhe të emëronin kryenegociatorin. Asnjëra prej këtyre kërkesave nuk është përmbushur.
Ndërkohë, Bosnja ka mbetur edhe pa 108.5 milionë eurot e para nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, pasi politikanët nuk kanë arritur të merren vesh për ndarjen e kompetencave. Këto para do t’u ridestinohen vendeve të tjera të rajonit ose do të kthehen në buxhetin e BE-së.
SHIKONI EDHE:
BE-ja dënon aktivitetet destabilizuese të Rusisë në Ballkanin PerëndimorÇfarë mund të pritet nga bashkëpunimi me Serbinë?
“Bashkëpunimi me Serbinë mike do të ketë një vend të veçantë në punën tonë të mëtejshme. Dëshiroj t’i vazhdojmë projektet e përbashkëta", tha Igor Dodiku gjatë paraqitjes së tij të parë publike.
Republika Sërpska dhe Serbia bashkëpunojnë në kuadër të Marrëveshjes për lidhje të veçanta paralele në fushat e arsimit, kulturës dhe shëndetësisë. Megjithatë, gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit, këto marrëdhënie shkuan edhe më tej.
Millorad Dodik dhe ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë paraqitur publikisht si miq të afërt. Si Dodiku i vjetër, ashtu edhe ai i riu, e kanë mbështetur hapur Vuçiqin gjatë fushatës zgjedhore, duke përdorur shumë fjalë ofenduese ndaj Listës Studentore.
SHIKONI EDHE:
Çfarë politike të jashtme propozon Lista Studentore në Serbi?Vuçiq dhe Orban humbën pushtetin, por jo ambicietRadio Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje nga Lista Studentore për pyetjen se si do të jetë qëndrimi i pushtetit të ri në Serbi ndaj udhëheqjes së RS-së dhe Bosnje e Hercegovinës.
Në programin e prezantuar para zgjedhjeve, kjo listë ka bërë të ditur se do ta ruajë pozitën kushtetuese të RS-së, përfshirë të drejtën e saj të vetos në kuadër të institucioneve të Bosnje e Hercegovinës, si dhe pronën e saj të luajtshme dhe të paluajtshme. Është paralajmëruar edhe rishqyrtimi i zbatimit të deritanishëm të kompetencave të Bonit nga Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, si dhe mundësia e nisjes së mekanizmave diplomatikë dhe ligjorë në rastet kur, sipas vlerësimit të tyre, ka pasur tejkalim të mandatit të tij.
Vedran Xhihiq, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Vjenë, thotë se programi i politikës së jashtme i Listës Studentore ishte një mënyrë për t’u pozicionuar gjatë fushatës zgjedhore.
“Fillimisht duhet ta kemi qeverinë, të shohim kush do të jetë kryeministër e më pas ministri i Jashtëm. Mendoj se politika konkrete e qeverisë së re serbe do të jetë në shumë fusha shumë më pragmatike sesa ajo që është formuluar në programin e tyre parazgjedhor për politikën e jashtme. Mendoj se do të ketë ndryshime në këtë drejtim. Besoj se patjetër do të ketë një hapje ndaj Sarajevës, se do të ketë një lloj të ri dialogu, me shumë gjasë mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe se do të ketë shumë më tepër gatishmëri për një qasje rajonale më të matur dhe më të hapur sesa deri më tani”, vlerëson ai.
Xhihiq e vlerëson të rëndësishëm edhe faktin se Lista Studentore insiston në luftën kundër korrupsionit dhe zbulimin e të gjitha rrjedhjave të paligjshme financiare. Sipas vlerësimit të tij, kjo herët a vonë do të vinte në pikëpyetje pasurinë milionëshe të familjes Dodik në Serbi, përkatësisht rrjedhat financiare mes zyrtarëve të Republikës Sërpska dhe Serbisë.
Të njëjtin mendim ka edhe Adi Qerimagiq.
“Duhet të presim dhe të shohim se si do të punojnë në praktikë qeveria e re dhe ministrat e rinj. Mendoj se, para së gjithash, në Banjallukë vlerësojnë se ndryshimi që po ndodh në Beograd është i rëndësishëm dhe se mund të ketë pasoja pozitive, por edhe negative për mënyrën se si kanë funksionuar Banjalluka dhe Beogradi gjatë kohës së Aleksandar Vuçiqit”.
“Në këtë kuptim, kjo krijon hapësirë jo vetëm për Bashkimin Evropian, por para së gjithash për Sarajevën, që të përpiqet të dërgojë sinjale nga Sarajeva dhe ta shfrytëzojë këtë situatë për të forcuar lidhjet e drejtpërdrejta brenda vetë Bosnje e Hercegovinës”, përfundon Qerimagiq.
Afati kushtetues për zgjedhjen e qeverisë së re në Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska është 40 ditë nga dita e propozimit të kandidatit.