Varrimi shtetëror për të dënuarin për krime lufte, Ratko Mlladiq ose pjesëmarrja e anëtarëve të Qeverisë së Serbisë në varrimin e tij janë të papranueshme për Bashkimin Evropian, ka paralajmëruar Thomas Byrne, ministri irlandez për Çështjet Evropiane, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e bllokut evropian.
Ai konfirmoi se zyrtarët evropianë “po punojnë shumë në prapaskenë” lidhur me këtë çështje.
“Besoj se një varrim shtetëror do të ishte i papranueshëm. Sa kuptoj unë, në fakt nuk po organizohet një varrim shtetëror, por është krejt e mundshme që zyrtarë të lartë të pushtetit t’i bëjnë nderime atij personi. Pra, edhe kjo është e papranueshme”, deklaroi Byrne para takimit joformal të ministrave të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Irlandë.
Ai i cilësoi zhvillimet gjatë viteve ’90 në rajonin e Ballkanit Perëndimor si “të neveritshme”.
“Por, mos kini asnjë dyshim, ajo që po ndodh atje, sipas mendimit tim, ende u shkakton dhimbje njerëzve, veçanërisht në atë rajon, por edhe në disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian”, vlerësoi Byrne.
Aeroplani me trupin e pajetë Ratko Mlladiqit, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë, arriti të enjten, më 3 shtator, në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit. Në aeroplan, përveç anëtarëve të familjes, ndodheshin edhe ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq, dhe dy bashkëluftëtarë të Mlladiqit.
SHIKONI EDHE:
Aeroplani me trupin e pajetë të Mlladiqit arrin në BeogradArkivoli me trupin e Mladiqit ishte i mbuluar me flamurin e Serbisë dhe u mbajt nga pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë.
Djali i tij deklaroi se Mlladiqi do të varroset të hënën, më 7 shtator, në varrezat e Topçiderit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë më herët se pret që djali i Mladiqit “në ditët në vijim t’i njoftojë të gjithë për atë që dëshiron familja”. Megjithatë, ai ka shtuar se shteti do të jetë i gatshëm të ofrojë çdo lloj mbështetjeje logjistike, transporti dhe të tjera, si dhe të ndihmojë në ruajtjen e rendit publik, paqes dhe sigurisë.
Më herët, ministri Vujiq kishte thënë se Mlladiqi do të varroset me nderimet më të larta shtetërore.
Komisioni Evropian, ndërkaq, ka thënë se u takon autoriteteve të Serbisë të vendosin se çfarë roli do të kenë në varrimin e Mlladiqit, por ka theksuar se madhërimi i kriminelëve të luftës është në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane dhe se për të nuk ka vend as në Bashkimin Evropian, as në vendet kandidate për anëtarësim.
Video: Jeta dhe krimet e Ratko Mlladiqit, "Kasapit të Bosnjës"
Your browser doesn’t support HTML5
Jeta dhe krimet e “Kasapit të Bosnjës”
Ministri irlandez për Çështjet Evropiane bëri thirrje se është koha për ta lënë të kaluarën pas dhe për të punuar në pajtimin, si dhe që procesi i pajtimit në Ballkanin Perëndimor të vazhdojë.
Tribunali i Hagës e dënoi Ratko Mlladiqin me burgim të përjetshëm më 8 qershor 2021.
Gjykata konstatoi se ai ishte fajtor për gjenocidin e kryer ndaj rreth 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë, zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, në verën e vitit 1995.