Ndërlidhjet

Aeroplani me trupin e pajetë të Mlladiqit arrin në Beograd

Një grup njerëzish u mblodhën në një urë mbi një autostradë ku vendosën një baner me mbishkrimin "Ratko Mlladiq, hero serb" në Beograd më 3 shtator.
Një grup njerëzish u mblodhën në një urë mbi një autostradë ku vendosën një baner me mbishkrimin "Ratko Mlladiq, hero serb" në Beograd më 3 shtator.

Aeroplani me trupin e pajetë të Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje e Hercegovinë, ateroi të enjten në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit, raportoi Radio Televizioni i Serbisë.

Në aeroplanin që erdhi nga Haga ndodhej djali i Mlladiqit, Darko Mlladiq, mbesa Anastasija, Nenad Vujiq, si dhe dy bashkëluftëtarë të Mlladiqit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë më herët se pret që djali i Mlladiqit “në ditët në vijim t’i njoftojë të gjithë për atë që dëshiron familja”.

Ai shtoi se shteti do të jetë i gatshëm të ofrojë çdo lloj mbështetjeje logjistike, transporti dhe mbështetje tjetër, si dhe të ndihmojë në ruajtjen e rendit publik, paqes dhe sigurisë.

“Ne do të jemi këtu për të ofruar çdo lloj mbështetjeje logjistike, transporti dhe mbështetjeje për të ruajtur rendin publik, paqen dhe sigurinë”, tha Vuçiq.

Më herët, ministri serb Vujiq tha se Mlladiqi do të varrosej me nderime të larta shtetërore.

Mlladiqi vdiq më 27 gusht në Tribunalin e Hagës, teksa ishte i shtruar në spital.

Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale tha se në momentin e vdekjes ai ishte në pritje të transferimit në një shtet për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Tribunali i Hagës konstatoi se Mlladiq ishte fajtor për gjenocidin ndaj rreth 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë - zonë e mbrojtur e Kombeve të Bashkuara (OKB) - në verën e vitit 1995.

Mlladiq u shpall fajtor për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, që synonte largimin e përhershëm të myslimanëve dhe kroatëve të Bosnjës përmes përndjekjes, shfarosjes, vrasjeve, zhvendosjes së detyruar dhe dëbimit.

Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska u shpall fajtor edhe për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale në Sarajevë, për përhapjen e terrorit mes popullsisë civile përmes sulmeve me snajper dhe granatimeve, vrasjeve, terrorizimit dhe sulmeve të paligjshme ndaj civilëve.

Ai u shpall fajtor edhe për ndërmarrjen e përbashkët kriminale që lidhej me marrjen e pengjeve, për shkak të kapjes së pjesëtarëve të OKB-së dhe mbajtjes së tyre në lokacione strategjike ushtarake, me qëllim parandalimin e sulmeve të tjera ajrore të NATO-s ndaj objektivave ushtarake të serbëve të Bosnjës.

Mlladiq u lirua nga akuza për gjenocid në gjashtë komuna të Bosnje e Hercegovinës gjatë vitit 1992 - Prijedor, Sanski Most, Kluç, Kotor-Varosh, Foçë dhe Vllasenicë.

Tribunali i Hagës e dënoi Mlladiqin me burgim të përjetshëm më 8 qershor 2021.

Gjykata konstatoi se ai ishte fajtor për gjenocidin e kryer ndaj rreth 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë, zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara (OKB), në verën e vitit 1995.

Mlladiqi u dënua edhe për përndjekjen dhe zhvendosjen me forcë të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnje e Hercegovinën, terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës, si dhe mbajtjen peng të pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të OKB-së gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1995.

Video: Krimet e "Kasapit të Bosnjës"

Jeta dhe krimet e “Kasapit të Bosnjës”
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:04:07 0:00

Gjatë procesit gjyqësor, i cili filloi më 16 maj 2012 dhe zgjati 530 ditë, dëshmuan 592 dëshmitarë dhe u paraqitën rreth 10.000 materiale provuese. Gjykata mori parasysh edhe 2.000 fakte të vërtetuara me vendime gjyqësore.

Ratko Mlladiqi u arrestua në Serbi më 26 maj 2011. Ai ishte i arratisuri më i kërkuar nga drejtësia e Hagës dhe kishte arritur t’i ikte drejtësisë për gati 16 vjet.

Gjashtë ditë pas arrestimit, ai iu dorëzua Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Aktakuza e parë kundër tij u ngrit më 24 korrik 1995.

XS
SM
MD
LG