Kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson, i bëri thirrje Partisë Popullore Evropiane (PPE) që t’ia heqë statusin e anëtarit të asociuar Partisë Përparimtare Serbe (SNS), duke thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe “partia e tij e korruptuar autoritare” janë kundër qytetërimit perëndimor.
Në një letër drejtuar presidentit të PPE-së, Manfred Weber, Wilson tha se është thelbësore që një vendim i tillë të merret para zgjedhjeve parlamentare në Serbi, më 25 tetor 2026, “në mënyrë që SNS-ja të mos mund ta pastrojë imazhin e saj duke përdorur emrin e mirë të PPE-së”.
PPE-ja njoftoi në shtator të vitit të kaluar se kishte nisur një hetim të brendshëm për veprimtarinë e SNS-së, e cila në këtë parti konservatore evropiane ka statusin e anëtarit të asociuar që nga viti 2016. Në letrën e tij, kongresisti amerikan përshëndeti nisjen e këtij procesi dhe theksoi se “ndërprerja e të gjitha lidhjeve me SNS-në është përgjigjja e vetme e duhur”.
Republikani Wilson, i cili është ndër nismëtarët e masave ndaj Serbisë në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se “Evropa duhet të zgjohet lidhur me manipulimin e zgjedhjeve nga Vuçiqi dhe të këmbëngulë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi”.
Bashkëkryesuesi i Grupit të Kongresit për Bashkimin Evropian tha se SNS-ja ka treguar prej kohësh se nuk është e përkushtuar ndaj demokracisë dhe se nuk është e interesuar të jetë pjesë e qytetërimit perëndimor.
“Si parti në pushtet në Serbi nën Vuçiqin, ajo ka keqpërdorur vazhdimisht burimet shtetërore dhe shërbimet e sigurisë për të manipuluar zgjedhjet”, tha Wilson, duke iu referuar faktit se Zyra e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka thënë se zgjedhjet parlamentare të vitit 2023 u mbajtën në “kushte të padrejta”.
Duke theksuar se asnjë nga rekomandimet e ODIHR-it nuk është zbatuar, Wilson tha se gjithçka tregon se Vuçiqi dhe “partnerja e tij, Rusia, tashmë po punojnë për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2026”, gjë që, sipas tij, shihet përmes konsolidimit të mediave në Serbi, raportimit të transmetuesit publik, i cili i kushtoi 96 për qind të kohës Vuçiqit, përkundër katër për qind opozitës, si dhe përmes përdorimit të paligjshëm të softuerit për mbikëqyrje të fshehtë të studentëve dhe opozitës.
“SNS-ja në shumë aspekte i ngjan partisë së kriminelit të luftës Putin, Rusia e Bashkuar, dhe qeveriset në të njëjtën mënyrë kleptokratike. Partia është shndërruar në instrument të korrupsionit dhe klientelizmit, gjë që gjithashtu e mban nën kontroll të rreptë Vuçiqin”, tha Uilson, duke theksuar se kjo, sipas tij, u dëshmua në mënyrë të qartë me vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.
SHIKONI EDHE:
Vuçiq bisedon me Putinin, shprehet i bindur se marrëveshja për gazin me Rusinë do të zgjatetRusia shpall fitoren rekorde të partisë së Putinit, BE-ja kritikon zgjedhjet“Ata vjedhin gjithçka që nuk është e gozhduar në dysheme dhe ua shesin armiqve të Perëndimit”, theksoi Wilson, duke shtuar se “kur nuk e plaçkit shtetin, SNS-ja i madhëron kriminelët e luftës, siç bëri me Ratko Mlladiqin”.
Duke vlerësuar se SNS-ja nuk i ndan vlerat perëndimore, Wilson iu referua bashkëpunimit të autoriteteve serbe me Kinën dhe Partinë Komuniste atje, si dhe faktit se partia e Vuçiqit dërgoi “një delegacion në funeralin e terroristit [ajatollah Ali] Khameneit”.
Wilson po ashtu theksoi se populli serb dëshiron prosperitet, paqe dhe sundim të ligjit dhe se do ta zgjidhte këtë “nëse do t’i jepej mundësia në zgjedhje të lira dhe të ndershme”.