Apple bëhet kompania e parë në vlerë të 3 trilionë dollarëve

Silueta e një vajze dhe logoja e kompanisë, Apple.

Gjiganti teknologjik amerikan, Apple, është kthyer në kompaninë e parë që kap vlerën e 3 trilionë dollarëve në treg.

Çmimi i aksioneve të kompanisë është rritur për 5,800 për qind prej kur themeluesi dhe ish-shefi ekzekutiv, Steve Jobs, ka prezantuar telefonin e parë, iPhone më 2007.

Apple është konsideruar si një nga fitueset e pandemisë, pasi shitjet janë rritur gjatë periudhave të izolimit, meqë njerëzit kanë kaluar më shumë kohë në pajisje teknologjike.

“Vlera 3 trilionë përbën një tjetër moment historik për Apple, teksa kompania vazhdon t’ua vërtetojë të kundërtën atyre që dyshojnë”, ka thënë Dan Ives, analist në kompaninë Wedbush.

Lexoni edhe këtë: Apple rrit sigurinë ndaj softuerit të spiunimit Pegasus

Janë dashur 16 muaj që kompanisë Apple t’i rritet vlera nga 2 në 3 trilionë dollarë.

Apple ka qenë kompania e parë në treg që ka kapur vlerën e 1 trilion dollarëve në gusht të vitit 2018.

Kompania është themeluar më 1976 nga Steve Jobs dhe partnerët e tij të biznesit, Steve Wozniak dhe Ronald Wayne.