Kongresisti Wilson i kërkon Serbisë t'i ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Rusia, Kina e Irani

Përfaqësuesi i SHBA-së, Joe Wilson, flet gjatë një seance dëgjimore të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve mbi Kombet e Bashkuara, në Uashington, D.C., SHBA, 22 korrik 2026.

Kongresisti amerikan Joe Wilson thotë se Serbia duhet t’i japë fund varësisë nga energjia ruse, të distancohet nga Moska, Pekini dhe Teherani, si dhe të veprojë plotësisht në linjë me institucionet perëndimore.

Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Wilson rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e tij për pavarësinë e Kosovës dhe e kritikoi Serbinë për, siç tha, kërcënime të vazhdueshme.

Ai tha se Beogradi duhet përfundimisht t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe NATO-s, por argumentoi se kjo do të kërkonte një shkëputje të qartë nga pushtetet autoritare.

Wilson ka sponsorizuar një rezolutë në Kongresin amerikan që kërkon që Sesioni Vjetor i vitit 2027 i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së të mbahet në Çarlston të Karolinës së Jugut, e jo në Beograd.

SHIKONI EDHE:

Kongresistët amerikanë kërkojnë që takimi i OSBE-së të mos mbahet në Serbi, por në Karolinën e Jugut

Derisa tha se synimi kryesor është të mbahet ky takim në Shtetet e Bashkuara, ai përmendi marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin, si dhe qasjen e saj ndaj Kosovës, si disa nga shqetësimet e tij lidhur me Beogradin si nikoqir i këtij takimi.

Asambleja Parlamentare e OSBE-së thotë se delegacioni amerikan më herët e kishte njoftuar atë se Çarlston nuk mund të organizonte sesionin, dhe se pas kësaj Beogradi u përzgjodh në bazë të procedurave të përcaktuara.

Wilson tha se shqetësimet logjistike që lidhen me ushqimin, stafin dhe përkthimin janë zgjidhur ndërkohë, dhe sugjeroi se Beogradi mund ta organizojë këtë takim në vitin 2028.

Radio Evropa e Lirë: Kongresist Wilson, cili është sipas jush argumenti më i fortë që Beogradi nuk duhet të jetë nikoqir i takimit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në vitin 2027?

Joe Wilson: Një shqetësim që do të kisha për mbajtjen e tij në Beograd, Serbi, është ajo që – për mua, termi që përdor është – ndikimi i tepruar i kriminelit të luftës [presidenti rus Vladimir] Putin në Serbi, gjë që e them me keqardhje. Nuk më gëzon kjo, por në të vërtetë Serbia ende blen naftë dhe gaz nga krimineli i luftës Putin. Kompania shtetërore e naftës, për fat të keq, NIS, është blerë nga krimineli i luftës Putin.

Për më tepër, ekziston një ndikim i tepruar i Partisë Komuniste Kineze sa i përket komunikimeve dhe investimeve të tjera. Dhe pastaj, për ta bërë edhe më të papranueshme, sipas meje, është lidhja me diktaturën në Teheran.

SHIKONI EDHE:

MOL nënshkruan marrëveshje me Qeverinë serbe për menaxhimin e NIS-it

Prandaj, vazhdimisht, Serbia prej vitesh ka treguar një afërsi me diktaturën e Khameinit. Serbia është veçanërisht një vend që duhet të jetë i madh dhe duhet të jetë pjesë e BE-së, duhet të jetë në të vërtetë pjesë e NATO-s.

Sapo jam kthyer nga Sllovenia. Sa emocionuese është të shohësh ish-republikat jugosllave që po ecin kaq mirë. Jam shumë mirënjohës. E di suksesin e Kroacisë dhe me të vërtetë shpresoj për Malin e Zi dhe gjithashtu për Maqedoninë e Veriut. Dhe Kosovën – kam qenë në Prishtinë – dhe pavarësia e saj, për mua, është shumë e rëndësishme. Dhe, për fat të keq, kërcënimet nga Serbia thjesht – në shekullin XXI – nuk duhet të ndodhin.

Një mënyrë për ta bërë këtë është shkëputja e marrëdhënieve dhe ndikimit të kriminelit të luftës Putin në Serbi, shkëputja e ndikimit të Partisë Komuniste Kineze, i cili është kaq tinëzar, dhe ndalimi i çdo lidhjeje me diktaturën në Teheran, synimi i së cilës është vetëm vdekja e Amerikës.

SHIKONI EDHE:

Kosova i kërkon BE-së të bëjë më shumë për ta dënuar deklaratën e ministres serbe për “spastrim etnik”

Radio Evropa e Lirë: A keni mbështetje të mjaftueshme në Kongres ose në administratën e Trumpit për ta ndryshuar vendimin për Beogradin dhe samitin e OSBE-së? Por, bazuar në përgjigjen tuaj të mëparshme, duhet t’ju pyes: A keni mbështetje të mjaftueshme për ndryshimin e qasjes amerikane ndaj Serbisë? Dhe duhet të përmend gjithashtu se, 10 ditë më parë, Uashingtoni dhe Beogradi nisën një dialog strategjik.

Joe Wilson: Pikëpamja ime është se ajo që po bëj, para së gjithash, është në favor të mbajtjes së Asamblesë Parlamentare të vitit 2027 në Amerikë. Ky është 98 për qind interesi im.

Por, në të njëjtën kohë, jam i shqetësuar për ndikimin e tepruar të kriminelit të luftës Putin në Serbi. Beogradi duhet të jetë pjesë e qytetërimit modern perëndimor, siç e shohim, siç e pashë unë në Lubjanë.

Radio Evropa e Lirë: A po bëni thirrje jo vetëm për zhvendosjen e takimit të OSBE-së nga Beogradi, por edhe që SHBA-ja të rishqyrtojë marrëdhënien e saj më të gjerë politike, ushtarake ose ekonomike me Serbinë?

Joe Wilson: Serbia, ne e dimë se çfarë vendi historik është dhe sa pozitiv mund të jetë dhe duhet të jetë.

Edhe gjatë Luftës së Ftohtë, atje ekzistonte një nivel pavarësie nga Moska. Kjo pavarësi duhet të forcohet, jo të lejohet të vazhdojë kjo gjendje, në mënyrë që, sido që të jetë e mundur, të arrihet. Duhet të ketë afrim të plotë me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n.

Është koha për t’i ndërprerë marrëdhëniet me diktaturat e Pekinit, Moskës dhe Teheranit. Bota po ndryshon. Ne e shohim këtë. Diktatorët janë në arrati. Assadi është zhvendosur nga Siria në Moskë. Maduro është në burg në Nju Jork. Khameini ka vdekur. Ai është me 40 mijë njerëzit që vrau më herët këtë vit.

Tani është koha që Serbia të jetë pjesë e qytetërimit perëndimor, sepse qytetërimi perëndimor do të triumfojë.

Radio Evropa e Lirë: Por, Beogradi ka ndërmarrë disa hapa – Serbia është në proces negociatash me Rusinë për ndalimin e importit të naftës ruse dhe gjithashtu Beogradi është në komunikim me Uashingtonin për këtë çështje. A mendoni se kjo është shenjë e mirë? A është e mjaftueshme?

SHIKONI EDHE:

SHBA-ja dhe Serbia me marrëveshje për energji dhe arsim, forcojnë bashkëpunimin në mbrojtje

Joe Wilson: Jo, jo, jo. Negociatat nuk mjaftojnë. Ata mund të veprojnë në mënyrë të njëanshme. Nuk kanë nevojë të marrin leje nga Donald Trump.

Në të vërtetë, Hungaria po ndërmerr çdo hap për të ndaluar blerjen e naftës dhe gazit. Falë Zotit. E dimë se Bullgaria në fakt po heq ndikimin e kompanive ruse të naftës atje – Lukoil.

Dhe kështu, vazhdimisht, vendet po tregojnë mospajtimin e tyre ndaj vrasjeve masive që po kryhen nga krimineli i luftës Putin. Dhe mënyra për ta ndalur këtë është të mos financohet krimineli i luftës Putin.

Dhe kjo nuk vlen vetëm për Serbinë, por edhe për Indinë. Jam shumë mirënjohës që presidenti Trump po punon me Indinë për të ndryshuar blerjet e saj nga Rusia.

Kjo është një përpjekje globale dhe Serbia nuk duhet të negociojë. Serbia thjesht duhet ta bëjë këtë, sepse është gjëja e duhur për të promovuar lirinë dhe demokracinë në botë.

Radio Evropa e Lirë: A besoni se rezoluta e propozuar nga 41 kolegë tuaj mund të jetë arsye për ndryshimin e vendimit, ose për një qasje tjetër të Departamentit të Shtetit ndaj Serbisë? Çfarë mund të presim më pas dhe çfarë nëse rezoluta nuk ka sukses?

Joe Wilson: Po theksoj përsëri se sa e rëndësishme do të ishte që Asambleja Parlamentare të mbahej në Shtetet e Bashkuara.

Gjithashtu, sa e rëndësishme do të ishte kjo si një nderim për senatorin e ndjerë Lindsey Graham, i cili ishte një mbështetës i madh i popullit të Ukrainës, një mbështetës i madh i popullit të Izraelit dhe, vazhdimisht, një mbështetës i madh i popullit të Tajvanit dhe pavarësisë së tij.

SHIKONI EDHE:

Senati amerikan sjell projektligjin e rishikuar për sanksionet ndaj Rusisë

Prandaj, ajo që duhet të bëjmë është që unë do të vazhdoj të përpiqem t’i promovoj Shtetet e Bashkuara si vendin e duhur për Asamblenë Parlamentare të OSBE-së në vitin 2027.

Unë nuk jam kundër asnjë vendi tjetër, por shpresoj që çdo vend që do të jetë nikoqir të jetë një vend që do të zvogëlojë çdo ndikim të kriminelit të luftës Putin, çdo ndikim të Partisë Komuniste Kineze dhe çdo ndikim të mullave në Teheran, të cilët kanë planifikuar vdekjen e Amerikës.

Radio Evropa e Lirë: REL kërkoi një koment nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së. Ata thanë se delegacioni amerikan i kishte informuar në korrik se Çarlston nuk mund ta organizonte më sesionin e vitit 2027 dhe se më pas Beogradi u zgjodh sipas procedurave të përcaktuara. Çfarë ka ndryshuar që nga ai vendim?

Joe Wilson: Lajmi i mirë është se kishte shqetësime për kapacitetet e furnizimit me ushqim në Çarlston. Në rregull. Por ne jemi një nga liderët e kuzhinës në Amerikën e Veriut. Ne kemi shpikur karkaleca me miell misri, dhe kështu kemi shërbime ushqimi të nivelit botëror.

Dhe kështu, ne arritëm ta zgjidhim këtë çështje. Pastaj u ngrit, në mënyrë legjitime, çështja e stafit. Dhe më pas zbulova – dhe isha shumë mirënjohës që mësova në Hagë – se stafi përbëhet nga vullnetarë të papaguar.

Në Çarlston ka shumë, shumë vullnetarë që do të donin të merrnin pjesë. Shumë prej tyre janë studentë në Citadel, Kolegjin Ushtarak të Karolinës së Jugut. Ka gjithashtu një numër studentësh ndërkombëtarë atje që do të mund të punonin si vullnetarë.

SHIKONI EDHE:

Serbia, përkrah Rusisë, Kinës dhe Bjellorusisë në varrimin e Khameneit

Dhe pranë qendrës së kongreseve ndodhet Kolegji i Çarlstonit, me 11 mijë studentë. Pastaj më thanë se kishim problem me sigurimin e përkthyesve. Por natyrisht, Çarlston është një qytet ndërkombëtar dhe përkthyesit mund të sigurohen lehtësisht.

Dhe më pas mësova se, në fakt, OSBE-ja siguron përkthyesit. Pra, çdo çështje që është ngritur në mënyrë legjitime – jam shumë mirënjohës që çdo çështje mund të adresohet – tregon se, në të vërtetë, Shtetet e Bashkuara janë vendi i duhur për Asamblenë Parlamentare të OSBE-së në vitin 2027.

Radio Evropa e Lirë: Pozita ndërkombëtare e Beogradit përcaktohet nga “politika e balancimit” e Aleksandar Vuçiqit. Nëse përgjigjja për takimin e OSBE-së vitin e ardhshëm në Beograd është në fakt “jo”, çfarë mendoni? A keni frikë nga reagimi i ardhshëm i Beogradit, duke pasur parasysh se në Ballkan gjithçka është e lidhur dhe gjithçka mund të shkaktojë dëme në marrëdhëniet rajonale?

Joe Wilson: Në të vërtetë, unë do ta shihja këtë si adresim të çështjeve brenda Shteteve të Bashkuara që janë zgjidhur, dhe më pas Beogradi mund të jetë nikoqir në vitin 2028.

Por, thelbi është se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të përgatitura për të qenë nikoqire. I jap shumë merita presidentit Donald Trump. Ai vërtet e ka bashkuar Evropën për t’iu kundërvënë kriminelit të luftës Putin dhe për të mbështetur Ukrainën.

Jam shumë mirënjohës që një ditë të ketë zgjedhje të drejta dhe të lira në Republikën e Gjeorgjisë, sepse ne e dimë që presidenti, duke punuar me Putinin, i manipuloi zgjedhjet në Tbilisi.

Nuk është diçka unike që puna me Putinin po përpiqet të zhbëjë ndikimin. Ne e dimë se kishte ndikim të tepruar në Moldavi, por, falë Zotit, populli i Moldavisë u ngrit; ndikim të tepruar në Rumani dhe, përsëri, populli i Rumanisë veproi për të ruajtur pavarësinë e tij.

Por kjo varet nga populli i Serbisë që të përcaktojë qeverinë e vet, në mënyrë të drejtë dhe të lirë. Por unë dua që ata të jenë në anën fituese të historisë, që është liria dhe demokracia, jo totalitarizmi, siç dëshmohet nga krimineli i luftës Putin ose Partia Komuniste Kineze.