Përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë dhe grupit hungarez, MOL nënshkruan më 16 qershor marrëveshjen ndërmjet aksionarëve për menaxhimin e ardhshëm të kompanisë të Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), e cila është nën sanksione amerikane për shkak se shumica e pronësisë është në duart e rusëve.
Me këtë dokument rregullohen struktura dhe mënyra e vendimmarrjes së organeve drejtuese, si dhe objektivat strategjike të kompanisë, sipas njoftimit të Qeverisë së Serbisë dhe MOL-it.
Po ashtu u njoftua se MOL po vazhdon negociatat me Gazprom Neft-in rus për blerjen e pjesës së tij prej 56.15 për qind në NIS dhe se ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar nga Zyra Amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) zgjatjen e licencës për këtë transaksion.
Gjithashtu u tha se MOL-i, nëse bëhet pronar i shumicës së aksioneve në NIS, do të sigurojë furnizimin e tregut serb dhe funksionimin e rafinerisë në Pançevë, si dhe do të vazhdojë forcimin e lidhjeve të rrjetit dhe logjistikës ndërmjet objekteve energjetike të grupit MOL.
Ministrja e Energjisë e Serbisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, tha se marrëveshja parasheh që Serbia të blejë edhe 5 për qind shtesë të aksioneve në NIS.
Ajo sqaroi gjithashtu se, sipas kësaj marrëveshjeje, rafineria në Pançevë do të vazhdojë të punojë të paktën edhe dhjetë vjetët e ardhshëm me kapacitetin me të cilin ka operuar gjatë katër vjetëve para vendosjes së sanksioneve amerikane.
Ministrja e Energjisë e Serbisë theksoi se marrëveshja garanton se nuk do të ketë ndërprerje apo çrregullime në funksionimin e shoqërive vartëse, përfshirë Petrohem-in.
Ajo tha gjithashtu se përfaqësuesit e Serbisë në bordin e drejtorëve do të kenë ndikim më të madh në vendimet që merren.
MOL: Do të bëjmë gjithçka që NIS-i të bëhet më i fortë
Kryetari dhe drejtori i përgjithshëm i grupit MOL, Zholt Hernadi, tha se grupi, si aksionari shumicë, do të mund ta menaxhojë NIS-in në mënyrë efikase dhe në mënyrë profesionale.
“Do të bëjmë gjithçka që mundemi që NIS-i të bëhet më i fortë dhe më fitimprurës, dhe që Serbia të na shohë si një partner të besueshëm”, tha Hernadi.
Megjithatë, ai theksoi se procesi ende nuk ka përfunduar dhe se duhet të arrihet një marrëveshje me shitësin, si dhe të merret miratimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Marrëveshja do të hyjë në fuqi vetëm nëse MOL-i dhe Gazprom Neft-i arrijnë marrëveshje për kontratën e shitblerjes dhe kjo të miratohet nga Zyra Amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC).
Vuçiq pret zgjatje të licencës edhe për 15 ditë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Tbilisi se pret që Uashingtoni të miratojë edhe një zgjatje prej 15 ditësh për NIS-in.
“Ky është një afat i shkurtër kohor dhe unë shpresoj se pala ruse do ta pranojë atë marrëveshje”, tha ai.
Përveç nënshkrimit të kontratës së shitblerjes, për përfundimin e transaksionit nevojiten edhe miratime shtesë rregullative.
Administrata amerikane i vendosi sanksione NIS-it, kompanisë strategjike të naftës në Serbi, për shkak të pronësisë shumicë ruse, me qëllim që të pengojë Rusinë t’i përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për financimin e luftës në Ukrainë.