Kosova ngre aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të MUP-it serb për krime lufte në Vushtrri më 1999

Ndërtesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës në Prishtinë.

Prokurorët në Kosovë kanë ngritur të martën aktakuzë kundër një ish-pjesëtari të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) nën dyshimin për pjesëmarrje në vrasjen, torturimin dhe plaçkitjen e civilëve shqiptar gjatë luftës në Kosovë më 1998-’99.

Prokuroria Speciale e Kosovës e identifikoi të pandehurin vetëm me inicialet R.D., i cili ishte arrestuar në shtator të vitit të kaluar dhe është mbajtur në paraburgim prej atëherë.

Ai akuzohet për vrasjen e një personi me inicialet SH.D., më 22 maj të vitit 1999 në Vushtrri, qytet në verilindje të Kosovës.

SHIKONI EDHE:

I arrestuari për krime lufte dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 71 shqiptarëve në Vushtrri

Në një pikë tjetër të aktakuzës, R.D., dyshohet se si pjesëtar i MUP-it, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, kishte marrë pjesë në vrasjen e 71 civilëve, në trajtim çnjerëzor, torturë, plaçkitje dhe dëbim të popullsisë civile shqiptare.

Së voni, autoritetet kosovare i kanë shpeshtuar aktakuzat dhe arrestimet e personave të dyshuar për krime lufte gjatë luftës së fundit në vend.

Aktakuza ndaj ish-pjesëtarit të MUP-it vjen një javë pasi gjykata në Prishtinë e dënoi me 12 vjet burgim Ekrem Bajroviqin, në rigjykimin e tij për krime lufte kundër popullsisë civile në fshatrat e Istogut më 1999.

SHIKONI EDHE:

Ekrem Bajroviq dënohet me 12 vjet burgim në rigjykim për krime lufte në Kosovë

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë – shumica shqiptarë – ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 dhe 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Më 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë.