Konkluzat e BE-së për Zgjerim: Kosovës i kërkohet Asociacioni, reforma, përparim në dialog…

Flamuri i Bashkimit Evropian.

Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian ka miratuar të martën konkluzionet sa i përket procesit të zgjerimit të bllokut evropian, ndërsa në pjesën për Kosovën, vendit i bëhet thirrje që ta përshpejtojë hapin në rrugën drejt reformave.

Ndër kërkesat tjera është zbatimi i marrëveshjeve të arritura me Serbinë, në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, përfshirë nevojën e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova është e vetmja në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim, ndonëse ka aplikuar në dhjetor të vitit 2022.

Në raportin me konkluza që e ka siguruar Radio Evropa e Lirë më herët gjatë 16 dhjetorit, përmendet se nevoja për reforma vërehet më së shumti në forcim të administratës publike dhe sundim të ligjit, përfshirë konsolidimin e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e lirive themelore, sidomos lirinë e shprehjes, sektor në të cilin nuk është shënuar përparim.

Përparim thuhet të ketë pasur në luftën kundër krimit të organizuar.

Kosova lavdërohet për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit dhe më pas ato lokale më vonë gjatë vitit, marrë parasysh pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në to.

Lidhur me këtë, në konkluza përmendet që marrë parasysh transferimin e rregullt të pushtetit në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, Këshilli përsërit dhe pret heqjen e të gjitha masave ndëshkuese që kanë mbetur.

Bashkimi Evropian pati vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Blloku evropian ka nisur heqjen graduale të tyre, por zyrtarët në Kosovë insistojnë se vazhdimi i tyre është vendim i padrejtë, meqë të gjitha kërkesat për heqjen e tyre tashmë janë plotësuar.

Në mesin e tyre situata në veri është shtensionuar, prania e Policisë afër objekteve komunale në veri është zvogëluar dhe kalimi paqësor i pushtetit në komunat me shumicë serbe është realizuar.

Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën i Radios Evropa e Lirë (REL), në Pragë, ka marrë vesh nga burimet e tij se për çështjen e moslargimit të të gjitha masave kundër Kosovës është diskutuar në Bruksel javën e kaluar dhe që Franca e Italia janë mbështetëse të idesë që të largohen vetëm 50 për qind e tyre.

Por, duket se përparim në këtë drejtim nuk do të ketë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë.

Megjithatë, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se është informuar nga drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, "ku komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës".

Bislimi, që publikoi letrën e dërguar nga Koopman, tha se bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë euro.

"Në vazhdimësi kemi insistuar për heqjen e masave. Mirëpresim hapin e radhës nga ana e BE-së, i cili duhet të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë", shkroi ai në Facebook, duke mos përmendur ndonjë afat se kur mund të hiqen masat ndaj Kosovës.

Sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara - GAP, masat e BE-së i kanë kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar. Për shkak të kalimit të afateve, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht.

SHIKONI EDHE: Çfarë duhet të bëjë Kosova më tepër për t’iu hequr masat e BE-së?

BE-ja përmend se procesi i zgjerimit ka rëndësi gjeostrategjike dhe është proces që kontribuon në paqen evropiane, sigurinë dhe stabilitetin e shekullit 21.

Këshilli u bën thirrje të gjithë partnerëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe këtë momentum për t’i marrë të gjithë hapat e nevojshëm për ta përshpejtuar përparimin në rrugën drejt BE-së.

Përveç përgatitjeve të nevojshme nga ana e vendeve kandidate, në konkluza përmendet edhe nevoja e përgatitjeve të vetë bllokut për të akomoduar anëtarë të rinj.

Sa u përket vendeve të Ballkanit, përmendet rëndësia e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal.

“Këshilli inkurajon fuqishëm partnerët që t’i zgjidhin të gjitha mospajtimet bilaterale dhe çështjet që datojnë prej së kaluarës, në linjë me ligjin ndërkombëtar”, përmendet mes tjerash në dokument.

SHIKONI EDHE: Politika e BE-së ndaj Kosovës në "autopilot"

Pritjet për dialogun Kosovë – Serbi

Në konkluza, Këshilli përmend mbështetjen e plotë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Aty përmendet që të dyja palët mund të humbin mundësi të mëdha në mungesë të përparimit në normalizim.

Kosova dhe Serbia dialogojnë në Bruksel prej vitit 2011, i kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

“Përparimi në rrugët e tyre respektive evropiane varet nga përpjekjet për t'i zbatuar plotësisht të gjitha zotimet që dalin nga Marrëveshja për normalizim e vitit 2023 dhe të gjitha marrëveshjet tjera, pa vonesa dhe parakushte”.

SHIKONI EDHE: Çfarë është Marrëveshja Bazë?

Mes tjerash përmendet edhe nevoja që Kosova të zbatojë marrëveshjen për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe të veprojë në përputhje me zotimet për “një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë" në përputhje me Nenin 7, siç e parasheh Marrëveshja për normalizim dhe aneksi i saj.

Pritje ka që edhe çështja e strukturave të mbështetura nga Serbia, përfshirë ato të shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe edukimit, të zgjidhen në përputhje me zotimet e dialogut dhe të punohet në riintegrim të serbëve të Kosovës, nisur prej pjesëmarrjes së tyre në të gjitha nivelet institucionale.

SHIKONI EDHE: Rruga e paqartë e shkollave dhe spitaleve serbe drejt sistemit kosovar

Në njërën pikë të konkluzave, në pjesën për Kosovën, vendi duartrokitet që është në linjë me politikën e Jashtme të BE-së, duke dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë.

Pritjet për vendet e rajonit

Sa i përket Shqipërisë, në dokument përmendet përparimi i rëndësishëm që është arritur nga ky vend në hapjen e të gjithë kapitujve të nevojshëm negociues për anëtarësim, ndonëse përparimi në mbylljen e tyre do ta përcaktojë drejtimin e gjithë procesit.

Këshilli mirëpret përparimin që ka bërë Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa vendit i bëhet thirrje që ta përfundojë reformën elektorale në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

SHIKONI EDHE: Transformimi i Shqipërisë dhe mësimet që mund t'i nxjerrë Kosova

Edhe Mali i Zi lavdërohet për përparimin e rëndësishëm në kryerjen e reformave në rrugën drejt BE-së, duke përmendur hapjen e të gjithë 33 kapitujve dhe mbylljen e 12 prej tyre.

Ndër rekomandimet kryesore për këtë vend është që të punojë më tepër në sektorin e gjyqësorit, lirisë së shprehjes, lirisë së mediave, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në administratën publike.

SHIKONI EDHE: Mali i Zi mbyll edhe pesë kapituj në negociatat me BE-në

Në kapitullin për Maqedoninë e Veriut, blloku evropian e mirëpret faktin që ky vend e ka ende synim integrimin evropian, mirëpo e përmend që ai nuk i ka kryer ndryshimet e nevojshme kushtetuese, për të cilat ishte zotuar qysh në korrik të vitit 2022.

Ndër ndryshimet kryesore që i kërkohen Shkupit janë që ta njohë pakicën bullgare me Kushtetutë dhe t’ia njohë të drejtat këtij komuniteti.

Kur vjen radha te Serbia, këtij vendi i kërkohet që të reflektojë më shumë - si me vepra ashtu edhe me fjalë - sa u përket synimeve për integrim.

“Këtu përfshihet demonstrimi i vullnetit të fortë politik dhe konsistenca në zbatimin e reformave të BE-së, si dhe komunikimi objektiv me BE-në”, duke theksuar faktin që procesi i reformave është ngadalësuar dukshëm në muajt e fundit.

Serbia është e vetmja në rajonin e Ballkanit që nuk është në linjë me politikën e BE-së për t’i vënë sanksione Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë dhe Beogradi vazhdon të mbajë raporte miqësore me Kremlinin.

E, Bosnje-Hercegovinës i kërkohet që t’i ketë parasysh të gjitha rekomandimet që i janë bërë në të kaluarën dhe ky vend të bëjë më shumë punë në plotësimin e 14 prioriteteve që i kanë përcaktuar institucionet e BE-së për të qysh më 2019.

“Këshilli vëren që dinamika e reformave vazhdon të jetë e bllokuar dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të fokusohen në përparimin në rrugën drejt BE-së”, përmendet mes tjerash në raport.

Bosnja-Hercegovina e ka fituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022, ndërsa procesin e negociatave e ka nisur zyrtarisht më 2024.