Kriza ushqimore e shkaktuar nga lufta në Ukrainë

Një copës predhe shihet në një fushë bujqësore në rajonin e Kievit. 19 prill 2022.

Associated Press

Armiqësitë ruse në Ukrainë po parandalojnë që gruri të transportohet nga “shporta ushqimore e botës” dhe po bën që ushqimi të jetë më i shtrenjtë në mbarë botën, duke kërcënuar me përkeqësim të furnizimeve, uri dhe jostabilitet politik në shtetet në zhvillim.

Së bashku, Rusia dhe Ukraina eksportojnë pothuajse një të tretën e grurit dhe elbit në botë, mbi 70 për qind të vajit të lulediellit dhe janë furnizuese të mëdha të misrit. Rusia është prodhuesja më e madhe në botë e plehrave bujqësore.

Çmimet botërore të ushqimit veçse janë rritur dhe lufta i ka përkeqësuar më shumë gjërat, duke parandaluar që rreth 20 milionë tonë të drithërave ukrainase të eksportohen në Lindje të Mesme, Afrikë të Veriut dhe pjesë të Azisë.

Fermerët ukrainas rrezikojnë jetën e tyre, ndërsa afrohet kriza globale e ushqimit

Javë të tëra negociatash për korridore të sigurta për të mundësuar nxjerrjen e drithërave nga portet e Ukrainës në Detin e Zi kanë arritur pak përparim, teksa është rritur urgjenca, pasi sezoni i korrjes së verës po afrohet.

“Kjo duhet të ndodhë në muajt e ardhshëm ose do të jetë një gjendje e tmerrshme”, tha Anna Nagurney, e cila studion menaxhimin e krizave në Universitetin Amherst të Masaçusetsit dhe po ashtu është anëtare e bordit të Shkollës Ekonomike të Kievit.

Ajo tha se 400 milionë persona në mbarë botën varen nga furnizimet ushqimore ukrainase. Organizata për Ushqim dhe Agrikulturë e Kombeve të Bashkuara ka parashikuar se deri në 181 milionë persona në 41 shtete mund të përballen me krizë ushqimore ose nivelet e urisë do të përkeqësohen gjatë këtij viti.

Më poshtë mund të mësoni më shumë lidhur me krizën globale ushqimore:

Cila është situata?

Zakonisht, 90 për qind e grurit dhe drithërave të tjera nga fushat në Ukrainë dërgohen në tregjet botërore përmes detit, por këto kultura bujqësore gjenden në porte për shkak të bllokadës ruse të bregdetit të Detit të Zi.

Një pjese të drithërave i është ndryshuar rruga e transportit nëpër Evropë përmes linjave hekurudhore, rrugëve tokësore dhe transportit me anije nëpër lumenj, por sasia e eksporteve është jashtëzakonisht e vogël krahasuar me eksportet që do të mund të transportoheshin përmes rrugëve detare. Dërgesat, gjithashtu, po vonohen që të arrijnë në destinacion për shkak se sistemi hekurudhor i Ukrainës është mbingarkuar dhe nuk funksionon sikurse sistemet e fqinjëve të saj perëndimorë.

SHIKONI EDHE: Rusia vendos kushte për lejimin e eksportit të grurit ukrainas

Zëvendësministri për Agrikulturë i Ukrainës, Markian Dmytrasevych, u ka kërkuar ndihmë ligjvënësve të Bashkimit Evropian që shteti i tij të mund të eksportojë më shumë drithëra, duke kërkuar edhe zgjerimin e përdorimit të portit rumun në Detin e Zi, ndërtimin e më shumë terminaleve të mallrave në Lumin Danub dhe eliminimin e burokracisë për kalimin e mallrave në kufirin polak.

Por, kjo do të thotë se ushqimi është edhe më larg nga ata që kanë nevojë për të.

“Tani duhet që [dërgesat] të kalojnë nëpër Evropë për t’u kthyer në Mesdhe. Kjo me të vërtetë ka shtuar një kosto të pabesueshme për drithin ukrainas”, tha Joseph Glauber, hulumtues i lartë në Institutin Ndërkombëtar për Kërkime të Politikave Ushqimore me seli në Uashington.

Ukraina ka qenë në gjendje të eksportojë vetëm 1.5 milion ose 2 milionë tonë drithëra në muaj qëkur ka nisur lufta më 24 shkurt. Kjo sasi është shumë më e vogël krahasuar me periudhën para luftës kur eksportonte deri në 6 milionë tonë në muaj, tha Glauber, ish-shef i ekonomistëve në Departamentin amerikan të Agrikulturës.

Edhe drithi rus nuk po mund të eksportohet. Moska argumenton se sanksionet perëndimore ndaj sistemit të saj bankar dhe industrive të transportit po e bëjnë të pamundur për Rusinë që të eksportojë ushqim dhe plehra artificiale. Po ashtu, Moska argumenton se sanksionet po frikësojnë kompanitë e huaja të transportit që të transportojnë drithërat ruse. Zyrtarët rusë insistojnë se sanksionet duhet të hiqen në mënyrë që drithi të arrijë në tregjet globale.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe liderë të tjerë perëndimorë, megjithatë kanë argumentuar se sanksionet nuk prekin ushqimin.

Your browser doesn’t support HTML5

Bujqit ukrainas mbjellin arat nën kërcënimin e armëve

Qëndrimet e palëve

Ukraina ka akuzuar Rusinë se po granaton infrastrukturën e agrikulturës, po djegë fushat e mbjella, po vjedh drithin dhe po tenton që t’ia shesë Sirisë, pasi Libani dhe Egjipti kanë refuzuar që ta blejnë. Imazhet satelitore të realizuara nga Maxar Technologies në fund të majit, treguan anije ruse në portin e Krimesë duke u ngarkuar me dërgesa të drithit dhe disa ditë më vonë ato anije u panë duke u ankoruar në Siri dhe duke shkarkuar mallin.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia ka provokuar krizën globale të ushqimit. Perëndimi është pajtuar, teksa zyrtarët, sikurse presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kanë thënë se Rusia po e përdor si armë ushqimin.

SHIKONI EDHE: Von der Leyen akuzon Rusinë se po përdor furnizimet ushqimore si mjet lufte

Rusia ka thënë se eksportet mund të rikthehen kur Ukraina të heqë minat e vendosura në Detin e Zi dhe anijet që arrijnë në porte të kontrollohen nëse kanë armë.
Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ka premtuar se Moska nuk do të “abuzojë” me avantazhin e saj detar dhe do të “ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për t’u siguruar që anijet të mund të largohen lirshëm nga portet”.

Zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë janë shprehur skeptikë për këto zotime të Rusisë. Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka thënë së fundmi se do të jetë e mundur që të krijohen korridore të sigurta pa pasur nevojë që të hiqen minat sepse dihet lokacioni i mjeteve shpërthyese.

Por, për këtë çështje ka pikëpyetje të tjera, sikurse nëse kompanitë e sigurimeve do të ofrojnë mbulim për anijet që kryejnë dërgesat.

Dmytrasevych u tha ministrave të Agrikulturës së BE-së se zgjidhja e vetme është mposhtja e Rusisë dhe zhbllokimi i porteve: “Asnjë masë tjetër e përkohshme, sikurse korridoret humanitare, nuk do ta adresonin këtë çështje”.

Si erdhi deri te kjo situatë?

Çmimet e ushqimit u rritën edhe para nisjes së pushtimit, për shkak të shumë faktorëve përfshirë edhe motin e keq dhe të korra të dobëta, duke bërë që të zvogëloheshin furnizimet, ndërsa kërkesa globale u rrit shumë nga pandemia e koronavirusit.

Glauber tha se korrjet e dobëta të grurit vitin e kaluar në Shtetet e Bashkuara në Kanada dhe thatësira që dëmtoi rendimentet e sojës në Brazil kanë kontribuar në rritjen e çmimeve të ushqimeve. Ai, po ashtu, ka përmendur se situata është përkeqësuar për shkak të ndryshimeve klimatike, Briri i Afrikës po përballet me një prej thatësirave më të këqija në katër dekada, ndërkaq vala rekorde e të nxehtit në Indi në mars uli rendimentet e grurit.

SHIKONI EDHE: Nebenzia lëshon sallën pasi BE akuzon Rusinë për krizë ushqimore

Kjo, së bashku me rritjen e çmimeve të karburanteve dhe plehrave, ka parandaluar që shtetet e tjera që janë prodhuese të mëdha të drithërave t'i mbushin mungesat e furnizimeve.

Kush është goditur më së rëndi?

Ukraina dhe Rusia kryesisht eksportojnë lëndët kryesore në vendet në zhvillim që janë më të ndjeshme nga rritja e kostos dhe nga mungesa e furnizimeve.
Shtetet si Somalia, Libia, Libani, Egjipti dhe Sudani janë shumë të varura nga gruri, misri dhe vaji i lulediellit nga eksportet e Ukrainës dhe Rusisë.

“Barra e krizës është mbi supet e më të varfërve”, tha Glauber. “Kjo është krizë humanitare, nuk ka dyshim për këtë”.

Përveç kërcënimit për urinë, rritja e madhe e çmimeve të ushqimit rrezikon të shkaktojë jostabilitet politik në shtete të tilla. Jostabiliteti politik ishte nxitur nga Pranvera Arabe dhe tani ka frikë se skenari i njëjtë do të përsëritet.

Qeveritë e shteteve në zhvillim ose duhet të lejojnë që çmimet e ushqimeve të rriten ose të subvencionojnë kostot, tha Glauber. Një vend mesatarisht prosperues sikur Egjipti, që është importuesi kryesor në botë i grurit, mund të përballojë rritjen e kostove të ushqimit, shtoi Glauber.

“Për shtetet e varfra sikurse Jemeni ose shtetet në Afrikë atyre vërtet do t’iu duhet ndihmë humanitare”, tha ai.

Uria ka goditur pjesë të Afrikës. Çmimet e produkteve bazike sikurse gruri dhe vaji për gatim, në shumë raste janë mbi dyfish më shtrenjtë, ndërkohë që miliona bagëti, që familjet përdorin për qumësht dhe mish, kanë ngordhur. Në Sudan dhe Jemen, konflikti Rusi-Ukrainë ndodhi në kohën teksa këto dy shtete për vite me radhë përballen me kriza të brendshme.

SHIKONI EDHE: OKB paralajmëron rritjen e urisë kronike për shkak të luftës në Ukrainë

Agjencia e OKB-së për fëmijë (UNICEF) ka paralajmëruar për “një shpërthim të vdekjeve të fëmijëve” nëse bota përqendrohet vetëm në luftën në Ukrainë dhe nuk reagon. Agjencitë e OKB-së kanë vlerësuar se më shumë se 200,000 persona në Somali përballen “me uri katastrofale”. Sipas OKB-së, afërsisht 18 milionë sudanezë mund të përballen me uri akute deri në shtator dhe 19 milionë jemenas mund të përballen me pasiguri ushqimore këtë vit.

Çmimet e grurit, në disa prej këtyre shteteve, janë rritur deri në 750 për qind.

“Në përgjithësi, gjithçka është bërë më e shtrenjtë. Qoftë uji, qoftë ushqimi, dhe situata është duke u bërë mjaft e pamundur”, tha Justus Liku, këshilltar për siguri ushqimore në grupin e ndihmës CARE. Ai këto deklarata i bëri pasi së fundmi vizitoi Somalinë.

Liku tha se një shitëse që shiste ushqime të gatuara nuk kishte “perime apo produkte shtazore. Pa qumësht, pa mish. Shitësja na tha se ajo qëndronte në dyqan vetëm për faktin se dyqani ishte i saj”.

Në Liban, furrat e bukës që dikur kishin llojllojshmëri të produkteve, tani po shesin vetëm bukë të bardhë, me qëllim që ta kursejnë miellin.

Çfarë po bëhet?

Për javë të tëra, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka tentuar që të arrijë një marrëveshje për të zhbllokuar eksportet ruse të drithërave dhe plehrave artificiale dhe për të lejuar eksportet e Ukrainës nga porti kyç i Odesës. Por, përparimi në këtë drejtim ka qenë i ngadalshëm.

Ndërkohë, një sasi e madhe e drithit është bllokuar në depot ukrainase ose në ferma. Dhe pritet që të ketë edhe më shumë drithë – korrja e grurit në Ukrainë do të nisë së shpejti, duke rritur presionin ndaj objekteve ku ruhen drithërat, edhe pse disa fusha ka të ngjarë që të mbeten pa korrur për shkak të luftimeve.

SHIKONI EDHE: Plani i OKB-së për drithërat ukrainase përballet me pengesa

Serhiy Hrebtsov nuk mund të shesë drithin nga ferma e tij në rajonin e Donbasit për shkak se janë ndërprerë linjat e transportit. Blerësit e paktë nënkuptojnë se çmimet janë aq të ulëta sa sektori i bujqësisë është i paqëndrueshëm.

“Janë disa mundësi për të shitur, por është sikurse t’i falësh produktet”, tha ai.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se po punon me partnerët evropianë mbi një plan për të ndërtuar depo të përkohshme në kufijtë e Ukrainës, përfshirë në kufirin me Poloninë, si një zgjidhje e cila do të mund të adresonte po ashtu edhe mbingarkesën e sistemit të transportit hekurudhor të produkteve ushqimore midis Ukrainës dhe Evropës.

Ideja është që drithi të transportohet në këto vende të magazinimit dhe më pas “përmes veturave të transportohet në Evropë, më pas përmes transportit detar të arrijë në mbarë botën. Por, kjo po merr kohë”, tha Biden.

Dmytrasevych tha se kapacitetet e magazinimit të drithit që ka Ukraina janë ulur në 15 milionë nga 60 milionë tonë, pasi trupat ruse kanë shkatërruar depo ose kanë pushtuar vendet ku ruheshin drithërat në jug dhe lindje të vendit.

Çfarë po kushton më shumë?

Prodhimi botëror i grurit, orizit dhe drithërave të tjera pritet të arrijë në 2.78 miliardë tonë më 2022, 16 milionë tonë më pak se vitin e kaluar. Kjo është hera e parë në katër vjet që ka rënë prodhimi i këtyre produkteve, tha Organizata e OKB-së për Ushqim dhe Agrikulturë.

Çmimet e grurit u rritën për 45 për qind në tremujorin e parë të këtij vitit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, thuhet në indeksin e çmimeve të Organizatës për Ushqim dhe Agrikulturë. Çmimi i vajit të gatimit u rrit për 41 për qind, ndërkaq çmimet e sheqerit, mishit dhe peshkut u rritën në shifra dyshifrore.

Rritja e çmimeve po nxit rritjen me shpejtësi të inflacionit në mbarë botën, duke bërë që ushqimet të jenë më të shtrenjta dhe duke rritur kostot për pronarët e restoranteve, të cilët janë të detyruar të rrisin çmimet.

SHIKONI EDHE: Ekonomisti rus: Sanksionet nuk e lëkundin Qeverinë e Putinit

Disa shtete po reagojnë duke u përpjekur që të mbrojnë furnizimet e tyre të brendshme. India ka kufizuar eksportet e sheqerit dhe grurit, ndërkaq Malajzia ka ndaluar eksportin e pulave të gjalla, duke alarmuar Singaporin, pasi ky shtet fqinj siguron një të tretën e shpendëve nga Malajzia.

Instituti Ndërkombëtar për Kërkime të Politikave Ushqimore tha se furnizimet me ushqim do të bëhen më akute teksa lufta po zvarritet, mund të çojë në më shumë kufizime të eksportit dhe duke rritur edhe më tej çmimet.

Një kërcënim tjetër janë plehrat e pakta dhe shumë të kushtueshme, që do të thotë se fushat e mbjella mund të jenë më pak produktive pasi fermerët mund të kursejnë plehrat bujqësore, tha Steve Mathews nga Gro Intelligence, një kompani e të dhënave bujqësore dhe për analizën e të dhënave.

Ka mungesa të mëdha veçmas për dy kemikatet kryesore për plehrat, që Rusia është një furnizuese e madhe.

“Nëse vazhdojmë të kemi mungesë të kaliumit dhe fosfatit, ashtu siç kemi tani, do të ketë rënie të rendimenteve”, tha Mathews. “Nuk ka dyshim se kjo do të ndodhë në vitet e ardhshme”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku