LVV e LDK pezullojnë bisedimet për presidentin

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me ish-presidenten, Vjosa Osmani, gjatë takimit me kreun e LVV-së, Albin Kurti, dhe zyrtarin e lartë të kësaj partie, Hekuran Murati. Prishtinë, korrik 2026.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk planifikojnë t’i vazhdojnë bisedimet me njëra-tjetrën gjatë ditëve në vijim rreth çështjes së presidentit të ri të Kosovës, pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për postin e të parit të shtetit.

Nga LDK-ja, parti opozitare me 18 vende në Kuvendin e Kosovës, nuk e konsiderojnë të udhës të takohen për këtë çështje me përfaqësuesit e partisë në pushtet, LVV, para se Gjykata Kushtetuese e Kosovës të nxjerrë një vendim rreth asaj nëse konstituimi i legjislaturës së 11-të ndodhi në përputhje me Kushtetutën.

“Nuk ka takime, pa vendim të Gjykatës Kushtetuese”, tha shkurt nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri për Radion Evropa e Lirë, më 15 shtator.

Pezullimin e bisedimeve për presidentin e konfirmuan edhe burime të REL-it brenda LVV-së, sipas të cilave nuk është planifikuar ndonjë takim për këtë javë me përfaqësuesit e LDK-së.

Më 14 shtator, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), subjekti më i madh opozitar, e dërgoi për shqyrtim në Kushtetuese procesin e konstituimit të Kuvendit, duke i kërkuar Gjykatës edhe masë të përkohshme.

Nga PDK-ja thanë se u ankuan të hënën për mënyrën e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, duke argumentuar se pushteti shkeli Kushtetutën me shpërfilljen e afateve kushtetuese për procesin e konstituimit të organit ligjvënës.

SHIKONI EDHE:

Hasani: Kuvendi është konstituuar në shkelje të Kushtetutës

Sipas tyre, LVV-ja e shkeli afatin kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, dhe procedurën për thirrjen e seancës çdo 48 orë deri në konstituimin e tij.

Gjykata Kushtetuese i tha Radios Evropa e Lirë të martën se kërkesa e PDK-së rreth konstituimit të Kuvendit është bashkuar me kërkesën tjetër të kësaj partie për formimin e Qeverisë.

"Kërkesat e bashkuara janë duke u proceduar", thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.

Një marrëveshje e arritur më 31 gusht midis LVV-së dhe LDK-së për nominimin e Bekim Sejdiut për president mori fund më 14 shtator, pasi vetë Sejdiu u tërhoq nga gara për kreun e shtetit, në mungesë të votave për t’u zgjedhur president.

SHIKONI EDHE:

A mund të fajësohen gjashtë deputetë për dështimin e zgjedhjes së presidentit?Gjashtë “jo” që testojnë të ardhmen e LDK-së

Gjashtë nga deputetët e LDK-së u deklaruan kundër votimit të Sejdiut, i cili, sipas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti, kishte mbështetjen e vetëm 74 deputetëve. Për vlefshmërinë e votimit për presidentin kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit.

“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si president, dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës”, shkroi Sejdiu në Facebook, të hënën.

SHIKONI EDHE:

Bekim Sejdiu tërhiqet nga kandidatura për president

Pas tërheqjes së Sejdiut, nevojitet marrëveshje tjetër midis partive politike për emrin e ri të kandidatit për president. Në rast se Kuvendi nuk do të arrinte ta zgjidhte presidentin, Kosova do të shkonte në zgjedhje të reja – të katërtat brenda dy vjetësh.

Megjithatë, analisti politik, Dritëro Arifi, vlerëson se nuk duhet të vazhdojnë bisedimet midis LVV-së dhe LDK-së, për shkak të kontestimit të Kuvendit të ri, nga i cili do të zgjidhej presidenti.

“Mendoj që nuk do të ishte mirë të vazhdonin negociatat. Çka nëse kthehemi në pikën zero? Pra, gjithçka do të ishte e kotë”, tha Arifi për Radion Evropa e Lirë.

Por, nëse Kushtetuesja konstaton se konstituimi i Kuvendit ishte në përputhje me ligjet, ai beson se marrëveshja për president do të mund të arrihej shpejt, nëse ekziston vullneti.

“Tash duhet të pritet, sepse nëse vendimi i gjykatës është pozitiv, shumë është e thjeshtë, brenda një ore mund të përfundojë gjithçka”, u shpreh Arifi.

LVV-ja dhe LDK-ja – e vetmja që ka pranuar të bisedojë me fituesen e zgjedhjeve për një marrëveshje për presidentin – nuk kanë treguar se cilët kanë qenë emrat e tjerë për të cilët është negociuar, para se të pajtoheshin për nominimin e Sejdiut.

Arifi vlerëson se, në rrethanat aktuale, kurdo që LVV-ja dhe LDK-ja iu kthehen negociatave, kandidimi i një deputeti të LDK-së për president, që është i pranueshëm për të gjithë deputetët dhe për LVV-në, do të ishte zgjidhja më praktike për të përmbyllur krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur të ecë nga 13 shtatori, kur Kuvendi shpalli të mbyllur konstituimin, ndonëse Albulena Haxhiut më 4 tetor i mbaron mandati si ushtruese e detyrës së presidentit.