Policia e Malit të Zi dhe Agjencia për Siguri Kombëtare (ANB) e këtij shteti zhvilluan një aksion në Risan, të premten në mëngjes, gjatë të cilit u arrestuan pesë persona që dyshohet se janë të lidhur me rrjetin rus Rybar, raportuan disa media malazeze, duke iu referuar burimeve të sigurisë.
Nga Rybar konfirmuan në Telegram se themeluesi i këtij rrjeti, Mihail Zvinchuk, është ndaluar në Mal të Zi, së bashku me shtetas të tjerë rusë.
Në një postim në kanalin e tij në gjuhën angleze, Rybar tha se të gjithë të ndaluarit “qëndronin ligjërisht në Mal të Zi dhe se ishte planifikuar filmimi i Manastirit të Cetinës, për të cilin ishte paraqitur më herët një kërkesë zyrtare”.
Rybar tha se ekipi i tij është në kontakt me Ministrinë e Jashtme të Rusisë, e cila po punon për zgjidhjen e situatës, duke pretenduar se “nuk është shkelur asnjë ligj i Malit të Zi”.
Deri më tani, Drejtoria e Policisë, ANB-ja dhe prokuroria kompetente nuk i janë përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment lidhur me aksionin.
Sipas gazetës Pobjeda, mes të arrestuarve janë Mikhail dhe Valeria Zvinchuk, të cilët cilësohen si drejtuesit e rrjetit, si dhe tre bashkëpunëtorë të tyre.
Priten më shumë detaje pas një njoftimi zyrtar nga institucionet malazeze.
Rybar është një rrjet mediatik dhe informativ rus, i themeluar në vitin 2018 nga Mikhail Zvinchuk, ish-punonjës i shërbimit për media të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë.
Mikhail Zvinchuk.
Gjatë luftës në Ukrainë, Rybar u bë një nga kanalet më me ndikim ushtarake proruse në Telegram.
Zvinchuk është nën sanksionet e Bashkimit Evropian që nga viti 2023, për shkak të mbështetjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe përhapjes së propagandës.
Bashkimi Evropian thotë se ai është anëtar i një grupi pune të formuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, për të koordinuar përpjekjet e mobilizimit në lidhje me luftën kundër Ukrainës.
SHIKONI EDHE:
Telegrami shpërndan propagandën ekstremiste ruse deri në SerbiShtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e kanë lidhur Rybar-in me operacionet e ndikimit të huaj dhe luftën informative.
Në vitin 2024, Departamenti amerikan i Shtetit, përmes programit Rewards for Justice, ofroi një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione mbi personat e lidhur me projektin Rybar, duke përmendur dyshimet se rrjeti kishte marrë pjesë në operacione të ndikimit të huaj.
Vitet e fundit, rrjeti i ka zgjeruar aktivitetet edhe në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.