Derisa Kremlini e mbështet publikisht presidentin në largim të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi më 25 tetor, mediat shtetërore ruse në Serbi i japin hapësirë edhe Listës së Studentëve, veçanërisht qëndrimit të saj se nuk do të vendoste sanksione ndaj Rusisë nëse vjen në pushtet.
Nga ana tjetër, shumica e kanaleve proruse në Telegram në Serbi, krahas kritikave për margjinalizimin e së djathtës brenda lëvizjes studentore, megjithatë mbajnë një qëndrim kritik ndaj pushtetit të tanishëm.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha më 1 tetor se shpreson se Vuçiqi, i cili është bartës i listës së Partisë Përparimtare Serbe (SNS) “Serbia e Bashkuar”, do të jetë kryeministri i ardhshëm.
Ai shtoi se Rusia e vlerëson dhe e mirëpret politikën e përmbajtur që ndjek Vuçiqi, si dhe dëshirën e tij për bashkëpunim me Rusinë.
SHIKONI EDHE:
Kë, në fakt, përfaqësojnë partitë “ruse” në Serbi?Pikërisht si pasojë e mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, si dhe për shkak të regresit demokratik në vend dhe mungesës së përparimit në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Serbia ka ngecur në integrimin evropian.
Ish-diplomati serb Sreqko Gjukiq konsideron se mbështetja e Putinit për Vuçiqin bazohet në interesat strategjike të Rusisë, dhe se Vuçiqi konsiderohet “njeriu më i duhur që mund të sigurojë ruajtjen e këtyre interesave në Serbi dhe në rajon”.
“Kjo politikë është personalizuar te Vuçiqi”, shton ai.
Si i pozicionojnë mediat ruse aktorët para zgjedhjeve në Serbi?
Qëndrimi zyrtar i Moskës ndaj Vuçiqit gjatë viteve të fundit ka qenë kryesisht i qartë: Kremlini e sheh atë si partner politik dhe mbështet vazhdimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Moskës.
Nga ana tjetër, mediat shtetërore ruse në Serbi, Russia Today (RT) dhe Sputnik, në prag të zgjedhjeve ndjekin dhe transmetojnë vazhdimisht qëndrimet e Listës së Studentëve “Studentët fitojnë”, veçanërisht kur bëhet fjalë për qëndrimin e saj ndaj Rusisë.
Lëvizja studentore në Serbi u krijua rreth dy vjet më parë, kur studentët në mbarë Serbinë kërkuan përgjegjësi pas vdekjes së 16 njerëzve si pasojë e shembjes së një strehe në stacionin hekurudhor në Novi Sad.
Pas kësaj pasuan protesta masive kundër korrupsionit, e më pas edhe kërkesat për shpalljen e zgjedhjeve, ndërsa pushteti në Beograd gjatë gjithë kohës pretendon se bëhet fjalë për “ndikim të jashtëm” ose “revolucion me ngjyra”.
Në kuadër të temave parazgjedhore, RT më 30 shtator publikoi një tekst për reagimet ndaj qëndrimit të Listës së Studentëve se nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Vetë titulli, “I prekën në nerv BE-në: Cilat janë reagimet pas qëndrimit të ‘Listës së Studentëve’ se është kundër sanksioneve ndaj Rusisë”, e vendos çështjen e sanksioneve si një nga pikat kyç të marrëdhënieve të Serbisë me Rusinë dhe Perëndimin.
RT për Listë e Studentëve.
Në tekst, ndër të tjera, thuhet se reagimi i një pjese të opinionit publik në rrjetet sociale ishte i ashpër, por njëkohësisht rikujtohet narrativa për marrëdhëniet historike mes Serbisë dhe Rusisë, me pretendimin se Rusia “kurrë nuk i ka bombarduar serbët” dhe se u ka ndihmuar atyre.
Po atë ditë, RT publikoi edhe tekstin “Cili është programi i Listës së Studentëve për sanksionet ndaj Federatës Ruse”, në të cilin, përveç qëndrimit të studentëve se nuk do të vendosin sanksione ndaj Moskës, transmetohen edhe kritikat e tyre ndaj pushtetit të Vuçiqit.
“Ata iu përgjigjën përfaqësuesve të pushtetit me pyetjet: ‘kur do të sanksionohen përgjegjësit për shembjen e strehës, kur do t’i marrim dy minutat e incizimit nga pika e pagesës së taksës rrugore në Dolevac, kush është fajtor për (mos)dhënien e Gazivodës’”.
RT për Listën e Studentëve.
Sputnik gjithashtu i jep hapësirë Lëvizjes Studentore, përkatësisht transmeton aktivitetet dhe qëndrimet e saj kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Moskën.
Narrativa në kanalet proruse në Telegram
Në kanalin prorus Evroazia, i cili ndiqet nga afër 13.000 përdorues të Telegramit, nuk është publikuar informacioni për mbështetjen e Putinit për Vuçiqin.
Edhe pse kanali ka një qëndrim dukshëm negativ ndaj strukturave në pushtet në Serbi, në të mund të lexohen edhe kritika ndaj kandidatëve të Listës së Studentëve.
Një numër i konsiderueshëm i publikimeve negative për Listën e Studentëve lidhej largimin nga lista të kandidaturës së profesorit Milo Lompar.
Profesori universitar Lompar, i njohur për qëndrimet e tij të djathta, kishte folur më herët në tubime të organizuara nga Lëvizja Studentore.
Në njërën prej paraqitjeve të tij, ai tha se në Kushtetutën e Serbisë “Kosova dhe Metohija janë pjesë ‘e patjetërsueshme’ e Serbisë”, si dhe përmendi mbrojtjen e sovranitetit të Republikës Sërpska, të popullit serb në Mal të Zi, të drejtave kombëtare serbe në Kroaci dhe Maqedoninë e Veriut.
Narrativë të ngjashme ka edhe organizata nacionaliste e krahut të djathtë Patrulla Popullore, e cila megjithatë mbështet hapur Lëvizjen Studentore kundër pushtetit në Serbi. Grupin joformal Patrulla Popullore e përbëjnë kryesisht ultranacionalistë serbë, ndërsa udhëheqësi i saj, Damnjan Knezheviq, më herët në Beograd kishte organizuar edhe një tubim në mbështetje të Rusisë me rastin e përvjetorit të luftës në Ukrainë.
Kanalet proruse të Telegramit për Listën e Studentëve.
Në kanalin e tyre në Telegram, më 1 tetor u publikua një video ku shfaqen anëtarë të Patrullës Popullore duke shkruar grafite në mbështetje të Listës së Studentëve.
Ndër të tjera, ata thonë se ishin të zhgënjyer pas largimit nga lista të kandidatit nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut dhe të profesorit Lompar, por se mbështetja mbetet, ndër të tjera për shkak të “Memorandumit për Kosovën” të studentëve.
“Disa nuk janë të vetëdijshëm për dallimet e mëdha mes jush, por kjo nuk duhet të jetë justifikim për vazhdimin e këtij regjimi tradhtar, të paktën jo për njerëzit e ndërgjegjshëm mbarëkombëtar. Prandaj, të dashur studentë, përgjegjësia për vendimet është e juaja, mbështetjen e keni”, thuhet në kanalin e Patrullës Popullore.
Këtë publikim e ka transmetuar edhe kanali Bunt je stanje duha, një nga llogaritë më të ndjekura proruse dhe të krahut të djathtë në Telegram në Serbi.
Publikimet e analizuara tregojnë se kanali e mbështet Lëvizjen Studentore dhe ka një qëndrim dukshëm kundër regjimit.
Ndër kanalet proruse që mbështesin hapur Vuçiqin është llogaria në Telegram Istočna budućnost, me mbi 30.000 ndjekës.
Ky kanal e ka transmetuar informacionin se Putin ka mbështetur Vuçiqin, ndërsa nuk e ka publikuar lajmin për deklaratën e Listës së Studentëve se nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Publikimet për Listën e Studentëve janë dukshëm negative, duke përdorur shprehje diskredituese për t’i përshkruar ata.
Si i shohin kanalet ruse në Telegram zgjedhjet në Serbi?
Ndër kanalet që në mënyrë neutrale transmetojnë lajme nga Serbia janë profilet në Telegram Srbija-live dhe O Srbiji na ruskom, të cilat së bashku kanë më shumë se 55.000 ndjekës.
Nga ana tjetër, Srpski glasnik, një kanal që publikon informacione në gjuhën ruse dhe ka një këndvështrim prorus e nacionalist ndaj politikës rajonale, në publikimet e tij kritikon pushtetin në Serbi.
Në kanal është transmetuar edhe informacioni për prezantimin e Listës së Studentëve, me komentin: “Objektivisht, kjo listë, për nga niveli i arsimimit të kandidatëve, reputacioni i tyre dhe besimi i qytetarëve, i tejkalon dukshëm të gjitha listat e tjera së bashku”.
Veprimi i dorëzimit të listës zgjedhore në Komisionin Zgjedhor të Republikës më 14 shtator 2026. Në krye të kolonës është një model i monumentit të "Fitores", një nga simbolet e Beogradit.
Srpski glasnik, i cili në përshkrimin e kanalit pretendon se transmeton lajmet kryesore nga Ballkani dhe Serbia, nuk e ka publikuar informacionin se Putin shprehu shpresën që Vuçiq të bëhet kryeministri i ri i Serbisë.
Ky lajm mungon edhe në publikimet e kanalit Srbin na liniji-Zli orlovi. Bëhet fjalë për një llogari të drejtuar nga Aleksandar Lisov, reporter rus i luftës, i cili, sipas pretendimit të tij, ka akreditim nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Ky kanal nuk shpreh mbështetje të qartë për forcat opozitare në zgjedhjet e ardhshme në Serbi, por kritikon pushtetin dhe Vuçiqin për bashkëpunimin me Perëndimin dhe eksportin e armëve në Ukrainë.
Ndër publikimet e fundit në këtë kanal është edhe një kritikë ndaj emërimit të Ana Bërnabiqit si ushtruese e detyrës së presidentes së Republikës, ku si arsye për kritikë përmendet përkatësia e saj në komunitetin LGBT.
Pse Putin “zgjodhi” Vuçiqin?
Ish-diplomati Gjukiq thotë se mbështetja e Putinit është e qartë dhe e padiskutueshme dhe se të gjitha narrativat e tjera vetëm tregojnë “shumëllojshmërinë e opinionit publik dhe politikës ruse”.
“Është e padiskutueshme gjithashtu se Vuçiqi është më shumë njeri i Rusisë sesa evropian, perëndimor apo kinez. Kjo i përshtatet shumë opinionit publik serb prorus, e veçanërisht elektoratit të tij. Mendoj se kjo (mbështetja e Putinit) është bërë në kohën dhe masën e duhur”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sreqko Gjukiq.
Ai thotë se Partia Përparimtare Serbe i mban vazhdimisht marrëdhëniet e mira me Rusinë dhe se asgjë nuk mund t’i “turbullojë” ato.
Megjithatë, Gjukiq vlerëson se edhe Lista e Studentëve është “e orientuar si proruse”, dhe se nuk ka dallim të madh në skenën politike të Serbisë kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Moskën.
“Mendoj se vetëm opsioni evropian angazhohet për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, edhe atë me gjysmë zëri. Problemi në politikën serbe është se nuk mund ta artikuloni qartë politikën tuaj, sepse politika shtetërore menjëherë do t’ju radhisë në mesin e armiqve, tradhtarëve, shitësve të Kosovës. Sepse nëse jeni kundër Rusisë, ju do ta shisni Kosovën”, thotë ai.