Mbrëmë, 22-vjeçari Flor Rexha nga Malisheva, me flamurin me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), po shkonte drejt sheshit “Skënderbeu” në Prishtinë për t’iu bashkuar protestës kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Flori nuk kishte lindur ende kur u zhvillua lufta në Kosovë. Por, babai i tij ishte 22 vjeç – po aq sa ai sot — kur iu bashkua UÇK-së. Sot, ai është veteran dhe invalid i luftës, ndërsa gjyshi i Florit, Skender Bytyqi, është dëshmor.
Flor Rexha, rrugës për në protestën që po mbahet çdo natë në Prishtinë, e që po quhet "Jo në emrin tim".
“Unë jam rritur me UÇK-në, jam rritur me heronjtë, ata për mua janë heronj të gjallë, si të vdekurit si të gjallët për mua janë heronj. Për mua UÇK-ja është gjithçka”, thotë ai.
Sikurse Flori, shumë nga të rinjtë që po marrin pjesë në protestat e përnatshme në Prishtinë nuk e kanë përjetuar vetë luftën, por thonë se për UÇK-në dhe atë periudhë kanë mësuar nga familjet e tyre.
Radio Evropa e Lirë bisedoi me disa prej tyre në natën e gjashtë të protestave.
Protesta nuk është veç në sheshe. Qytetarë të shumtë parakalojnë me makinat e tyre nëpër rrugët e Prishtinës çdo natë, në mbështetje të ish-eprorëve të UÇK-së.
Protestat nisën pas aktgjykimit të 16 shtatorit, me të cilin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u shpallën fajtorë në shkallë të parë për katër akuza për krime lufte, ndërsa u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Flori thotë se e ka përcjellë nga fillimi procesin gjyqësor dhe se kishte dyshime që në fillim se Gjykata Speciale – siç njihen ndryshe Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë – do të kishte “vetëm vendime politike dhe asnjëherë gjykim të drejtë”.
“Nuk janë dënuar vetëm katër persona”, thotë ai.
Protestuesit po kërkojnë lirimin e katërshes së UÇK-së.
Sipas tij, trupi gjykues dënoi “dëshmorë, fëmijë të vrarë, të pagjeturit, gratë e dhunuara, na kanë dënuar varrezat, gjakun, themelet e këtij shteti”.
Kur pyetet për viktimat, Flori nuk u referohet drejtpërdrejt viktimave të përmendura në aktgjykim. Ai flet për personat e vrarë pas luftës dhe thotë se familjarët e tyre duhet të kërkojnë drejtësi tek institucionet e Kosovës.
Edhe 20-vjeçarja Lediona Sadria nga Gjakova kishte ardhur në protestë me familjarët e saj. Ajo thotë se ka marrë pjesë edhe netët e tjera dhe se do të vazhdojë të protestojë, sepse aktgjykimin e konsideron të padrejtë.
Lediona Sadria para nisjes së protestës. Sikurse Lediona, edhe shumë pjesëmarrës të tjerë në protestë kanë të veshura bluza me mbishkrime "Liria ka emër", apo me mesazhe të tjera në mbështetje të UÇK-së.
“Zëri ynë duhet të arrijë deri atje”, thotë ajo.
Lediona ka lindur pas luftës në Kosovë, por për UÇK-në thotë se ka dëgjuar vazhdimisht nga familja dhe se e konsideron të rëndësishme që gjenerata e saj të mos e harrojë atë periudhë.
“Është gjithçka. Ne jemi këtu ku jemi për shkak të UÇK-së”, thotë ajo.
Kur pyetet për viktimat e përmendura në aktgjykim, Lediona nuk u referohet drejtpërdrejt atyre. Ajo thotë se vendimin e konsideron të padrejtë dhe se ish-krerët e UÇK-së “është dashur të jenë këtu, në vendin e tyre, për të cilin kanë luftuar”.
Tre të rinj duke u nisur drejt sheshit "Skënderbeu", disa minuta para orës 21:00, kur edhe zyrtarisht çdo natë thirret protesta.
Nga Prizreni në Prishtinë kishte ardhur vetëm për protestën edhe 21-vjeçari Albin Vehapi.
Babai dhe xhaxhallarët e tij, thotë ai, kishin ardhur nga Zvicra për të luftuar në Kosovë.
“Jam krenar”, thotë Albini, i cili aktgjykimin e sheh si goditje jo vetëm ndaj katër ish-krerëve, por edhe ndaj atyre që kanë luftuar.
Vehapi gjatë protestës të së martës.
“Jemi thyer paksa nga 16 shtatori dhe nuk jemi disi as vetvetja si popull”, thotë ai, duke shtuar se do të vazhdojë të marrë pjesë në protesta.
Edhe Muhamet Zeqa, 19 vjeç nga Vushtrria, ishte në protestë për të gjashtën natë radhazi.
Muhamet Zeqa në protestën e 21 shtatorit.
Ai ka lindur pas luftës. Për atë periudhë, thotë se ka mësuar kryesisht nga familja dhe veçanërisht nga xhaxhai i tij, i cili kishte marrë pjesë në luftë.
Sipas tij, brezi i tij e gëzon lirinë falë sakrificës së atyre që luftuan.
"Ata luftuan që ne sot të studiojmë të lirë", thuhet në një nga pankartat e shumta që mund të shiheshin në duart e mijëra protestuesve në Prishtinë më 21 shtator.
Pikërisht kjo lidhje familjare përsëritet në shumë prej rrëfimeve të protestuesve të rinj: luftën nuk e kanë përjetuar vetë, por rrëfimet, bindjet dhe raportin me UÇK-në i kanë marrë nga prindërit, xhaxhallarët apo gjyshërit.
Nga diaspora, vetëm për protestën
Ela, 32 vjeçe nga Kaçaniku, jeton jashtë Kosovës. Ajo thotë se kishte ardhur në vend vetëm për një ditë, për të marrë pjesë në protestë.
“Nesër do të shkoj. Kaq kam pasur pushim dhe munda të vij një ditë”, thotë ajo.
Edhe Ela nuk ishte në Kosovë gjatë luftës. Në atë kohë ndodhej në Gjermani, por familja e saj kishte qenë e lidhur me zhvillimet politike para luftës. Sipas saj, të dy prindërit kishin qenë të burgosur për pjesëmarrje në demonstratat e viteve ’80 dhe ’90.
Për të është e rëndësishme që edhe fëmijët e saj të rriten duke ditur për UÇK-në.
Ela thotë se e priti vendimin në Hagë, ku qytetarë nga diaspora dhe Kosova kishin shkuar për të ndjekur shpalljen e aktgjykimit ndaj katërshes së UÇK-së.
“UÇK-ja për mua është krenaria jonë. Unë me këtë krenohem para fëmijëve të mi”, thotë ajo.
Aktgjykimin e 16 shtatorit Ela e kishte pritur në Hagë.
“Kemi pritur që po lirohen dhe kemi shkuar për të festuar”, thotë ajo, duke e përshkruar momentin e shpalljes së dënimit si emocional dhe të rëndë.
Çfarë thotë gjykata për viktimat?
Protestuesit me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë e shohin aktgjykimin kryesisht si një vendim që shkon përtej katër të dënuarve dhe prek, sipas tyre, UÇK-në dhe luftën e saj.
Por, gjatë shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues konstatoi përgjegjësi për katër të akuzuarit dhe tha se midis prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999, anëtarë të UÇK-së privuan arbitrarisht nga liria së paku 385 persona që i akuzonin se ishin “kolaboracionistë”, “spiunë” apo “tradhtarë”.
"Dje ata luftuan për ne, sot ne ngrihemi në këmbë për ta", shkruan në pankartën që mban ky protestues.
Ata u shpallën fajtorë edhe për trajtimin mizor të 49 personave, torturimin e 303 personave dhe vrasjen e 96 personave.
Në shumicën e rasteve, tha trupi gjykues më 16 shtator, nuk kishte prova se këta persona ishin përfshirë në veprimtari kriminale, luftime apo veprimtari që do të përbënin shqetësim legjitim sigurie.
Gjykata trajton krime të pretenduara të kryera nga janari i vitit 1998 deri në fund të dhjetorit të vitit 1999.
Yllka Tahiri, 35 vjeçe, e cila po ashtu ka marrë pjesë në protesta që nga nata e parë, thotë se nëse pretendimet për viktimat janë të sakta, ato duhet të marrin drejtësi.
Në protestat e përnatshme, disa prindër zgjedhin që të marrin me vete edhe fëmijët e tyre.
Megjithatë, edhe ajo e sheh aktgjykimin kryesisht si vendim kundër UÇK-së.
Yllka ishte gjashtë apo shtatë vjeçe gjatë luftës dhe thotë se ende ruan kujtime nga ajo periudhë.
Për të, UÇK-ja lidhet drejtpërdrejt me lirinë që Kosova gëzon sot.
Protesta si formësim i identitetit
Pjesëmarrja e madhe e të rinjve në protestat e përnatshme nuk është e rastësishme, sipas sociologut Artan Muhaxhiri.
Ai thotë se protestat janë një formë e veprimit kolektiv, e mbështetur në identitet të përbashkët dhe mobilizim emocional.
Sipas tij, pjesëmarrja e vazhdueshme i forcon lidhjet mes protestuesve dhe mes gjeneratave, ndërsa protesta shndërrohet edhe në një hapësirë ku të rinjtë formësojnë raportin e tyre me historinë e luftës dhe me UÇK-në.
Socilogu Artan Muhaxhiri.
“Është një formë specifike, veçanërisht e gjeneratës së re, e cila me anë të shfrytëzimit të ikonografisë së UÇK-së është duke e formësuar identitetin e vet në një dimension të ri dhe të parealizuar deri më tani. Është një qasje e re që do ta fuqizojë këtë aspekt identitar të çlirimit dhe luftës edhe te gjeneratat e reja dhe do të shndërrohet në një fondament të identitetit kolektiv për të ardhmen”, vlerëson ai.
Muhaxhiri thotë për Radion Evropa e Lirë se pjesëmarrja e të rinjve është edhe një formë vetëdijesimi për një pjesë të historisë që, sipas tij, është zbehur dhe demonizuar institucionalisht, duke krijuar distancë nga sakrificat e viteve ’90.
Pamje nga protesta e 21 shtatorit. Edhe për të martën është thirrur protestë e re.
Sipas tij, kjo bën që vendimi i Hagës të perceptohet si “një lloj tradhtie e bashkësisë ndërkombëtare ndaj gjithë sakrificave të Kosovës që janë bërë për shpresën e integrimit”.
Dhomat e Specializuara u themeluan nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, përmes ndryshimeve kushtetuese dhe një ligji të posaçëm, pas hetimeve që pasuan pretendimet e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës të hartuar nga Dick Marty.
Pas aktgjykimit dënues ndaj katërshes së UÇK-së, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – partia e themeluar dhe për vite e udhëhequr nga Hashim Thaçi – ka ndërmarrë një nismë ligjore për ndryshimin e ligjit për Specialen, duke argumentuar se ndryshimet e propozuara nuk synojnë zhbërjen e saj.
Makina me flamuj të UÇK-së e flamuj kombëtar shqiptar u panë në rrugët e Prishtinës mbrëmjen e së martës.
Si në protestat e përnatshme në Prishtinë, ashtu edhe në ato të organizuara nga veteranët e UÇK-së, është kërkuar ndryshimi i ligjit apo zhbërja e Speciales, si dhe rritja e mbështetjes së shtetit gjatë fazës së apelimit.
Çështja e apelimit pritet të zgjatë vite kohë, teksa katërshja e UÇK-së gjendet në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.
Në protestat e mbrëmjes marrin pjesë edhe familjarë të katërshes së UÇK-së.
Në përgjithësi, Gjykata Speciale deri më tani ka shqiptuar vetëm aktgjykime dënuese, si për raste për pengim të drejtësisë ashtu edhe ato për krime lufte.
Për shumë nga të rinjtë në shesh, protesta nuk lidhet vetëm me aktgjykimin, por edhe me një luftë që nuk e kanë përjetuar vetë dhe me të cilën janë rritur.
Gjatë viteve ’90, Serbia e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave.
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës në Kosovë më 1998-99, shumica dërrmuese e tyre shqiptarë të vrarë nga forcat serbe. Ndërkaq, më shumë se 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të jenë të zhdukur.