Ibrahim Fazlija pretendon se më 12 nëntor të vitit 1999, nga Komuna e Pejës kundërligjshëm i është marrë e drejta e shfrytëzimit të pronës në Pejë, me sipërfaqe prej mbi katër ari dhe i është bartur në pronësi një personi tjetër.
Lënda e tij për, për dy dekada është duke u zvarritur nëpër gjykata.
“Toka për cilën bëhet fjalë ka qenë pronë e imja me fletë poseduese dhe kopje të planit. E kam blerë nga një serb, ashtu siç kanë blerë edhe shumë të tjerë. Edhe e kam njoftuar personin që e ka marrë këtë tokë dhe ai nuk më ka dëgjuar, dhe ai ka filluar ndërtimin. Shtator ka qenë, 1999 kur ai ka filluar ndërtimin, unë menjëherë e kam njoftuar në fillim dhe i kam thënë që e kam fletën poseduese dhe kopjen e planit. Tha që ia ka dhënë komuna, por unë i thash komuna ta ka dhënë, por kjo nuk është pronë e komunës, por e imja”, thotë Fazlija.
Your browser doesn’t support HTML5
Vitin e kaluar Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesë-padinë e paditësit, Ibrahim Fazlija. Më këtë aktgjykim, kjo gjykatë detyron të paditurit Komunën e Pejës dhe Rrustem Berishën, të cilit komuna ia kishte dhënë pronën, që t’ia njohin të drejtën e pronësisë Ibrahim Fazliut dhe njëherësh këtë patundshmëri t’ia dorëzojnë në posedim.
Por, këtu nuk mbaron gjithçka me këtë lëndë. Lënda është kthyer në Gjykatën e Apelit.
Emisioni “Iustitia” i është drejtuar me kërkesë për intervistë, kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha për ta pyetur lidhur me zvarritjen e rastit të Ibrahim Fazlijajt. Kjo gjykata përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se lënda është në Gjykatën e Apelit, sipas ankesës ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë.
“Meqenëse, lënda komplet është në Gjykatën e Apelit, në mungesë të shkresave të lëndës e kemi të pamundur të ju përgjigjemi pyetjeve tuaja”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Pejë.
Emisioni “Iustitia” ka kontaktuar edhe Komunën e Pejës lidhur me këtë rast, por ata nuk i janë përgjigjur kërkesës sonë.
Ndërkaq, i kontaktuar nga emisioni “Iustitia”, Rrustem Berisha nuk ka dashur të flasë lidhur me këtë çështje. Sipas tij, çdo prononcim për këtë lëndë është ndërhyrje në gjyqësi. Por, Berisha ka thënë se çfarëdo vendimi që merr drejtësia, do ta respektojë.
Lojë pingpongu
Me këtë lëndë, gjykatat kanë luajtur lojën e pingpongut, duke e zvarritur zgjidhjen e saj.
Në hulumtimin e zhvilluar nga emisioni “Iustitia” del se mbi 40 për qind e lëndëve janë dërguar në rigjykim nga Gjykata e Apelit, edhe pse ligjet në fuqi përcaktojnë se Apeli ka të drejtë t’i gjykojë vetë këto lëndë, për të mos e zvarritur drejtësinë.
Rastet që kthehen në rigjykim duhet të nisin nga fillimi, që do të thotë se duhen të paktën dy-tre vjet deri në vendimmarrjen e shkallës së parë.
Hasan Shala, kryetar i Gjykatës së Apelit, thotë se është shumë gabim dhe nuk guxon që një lëndë të kthehet dy-tri herë në organin administrativ.
Ai thotë se kanë vërejtje që shumë gjyqtarë nuk punojnë në mënyrë profesionale. Por, institucioni që ai udhëheqë, shton Shala, është duke punuar për të ulur numrin e lëndëve që kthehen në rigjykim.
“Numri i lëndëve të cilat anulohen në Gjykatë të Apelit është me një standard. Në penale diku 15-16 për qind kthehen në rigjykim që është ne nivelin e standardi të regjionit. Deri në 30 për qind maksimumi është që mund të kthehen lëndët në rigjykim. Ne në penale e kemi diku 15 -16 për qind, në civile e kemi 20, por kur vjen gjithmonë diku afër 17-18 për qind e lëndëve kthehen në rigjykim, që është një standard shumë normal. Mirëpo, lëndët pse unë them më shumë duhet të ndryshohen, nuk nevojë për të kthehen nëse ka mundësi, por ka raste kur detyrimisht jemi të obliguar t’i prishim, për shkak se nuk është vërtetuar gjendja faktike të plotë. Për të vërtetuar gjendjen faktike në mënyre të drejtë edhe të plotë, që të nxirren provat e veçanta, atëherë duhet ta kthejmë lëndën në shkallë të parë”, thotë Shala.
SHIKONI EDHE: Mungesa e kontrollit gjyqësor penalizon qytetarëtRikthimi i lëndëve në rigjykim, i papranueshëm
Rikthimin e lëndëve në rigjykim, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci e konsideron të papranueshëm. Sipas tij, edhe ligjet në fuqi e rregullojnë qartë këtë çështje.
Lëndët civile, shton Peci, nuk mund të rikthehen në rigjykim më shumë se dy herë.
“Nuk është në rregull hiç, në kuptimin e përgjithshëm nuk dua të ndërhyj në diskrecionin e gjykatoreve të kolegjeve se pse i kthejnë lëndët, por kjo është një dukuri që kemi vërejtje në vazhdimësi edhe nga faktori ndërkombëtar. Te ne janë rregullat ligjore, e di që ligji shkruan se për çfarë mund të kthehet një rast. Në fushën civile, ligji e ka specifikuar që mundet dy herë të prishet edhe atë duhet të japë arsye e qartë, por në të tretën herë duhet të vendosë vetë në bazë të ligjit. Nëse dy herë ka gabuar shkalla e parë, kur të vjen herën e tretë nuk duhet të kthehet, por duhet ta vendosë përfundimisht çështjen. Nuk mund të lidhem si dukuri se çfarë po ndodh, por në këtë drejtim duhet forcuar ose ata gjyqtarë të shkallës së parë ose këta të Gjykatës së Apelit”, thotë ai.
Your browser doesn’t support HTML5
Sipas gjetjeve të monitorimit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, edhe Gjykata e Apelit, sikurse gjykata e shkallës së parë, është gjykatë e rregullt.
Sipas ligjit, ajo ka autoritet të vendosë në mënyrë të pavarur nga gjykata e shkallës së parë.
Sipas IKD-së, për këtë arsye, Gjykata e Apelit duhet të ndalojë praktikën e kthimit të lëndëve në rivendosje, përveç në rastet kur ky veprim është i domosdoshëm.
Ish-kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, thotë se me rikthimin e lëndëve civile shtyhen edhe afatet për realizimin e të drejtës.
“Edhe kjo është një problem i madh në gjyqësorin e Kosovës për arsye se krijon një rreth vicioz në shkallë të parë, në shkallë të dytë, prapë në shkallën e parë. Edhe këtu do të duhej në amendamentimet e ardhshme të krijohen mekanizma të tilla që të mos lejojë këtë lloj pingpongu nga gjykata e nivelit më të lartë te një gjykatë e nivelit më të ulët. Këtë e shoh si problem, dhe me keqardhje mund të them që shumë shpesh në gjykatat ne nivel të dytë, veçmas në Gjykatën e Apelit, pa asnjë arsyeje ligjore prishen, kthehen lëndët në gjykatën e shkallës së parë, pastaj ata nuk dinë se çfarë të bëjnë me atë lëndë dhe vendosin prapë njëjtë dhe kthehet”, thotë Hasani.
Edhe pas 22 vjetësh, çështja e pronës së Ibrahim Fazlijajt nuk është zgjidhur përfundimisht. Në tokën në të cilën ai pretendon se është e tij vazhdon të jetojnë personat të cilëve Komuna e Pejës ua ndau tokën.
“Kjo është e kundërligjshme për mua. Nuk është dashur. Kjo është dashur të jepet përfundimisht (vendimi) që toka është e imja, edhe fleta poseduese edhe kopja e planit është në emrin tim dhe pronar tjetër për këtë tokë nuk ka dhe pa të drejtë ankese. Ai është ankuar, sa zgjat tash në Gjykatën e Apelit. Kjo zgjat, prej 1999 deri më tash janë bërë 22 vjet për një tokë”, thotë ai.