Opozita serbe në Kosovë me nismë të re bashkëpunimi

Mitrovicë e Veriut. Fotografi nga arkivi.

Uniteti, lufta për një pozitë më të mirë të komunitetit serb në Kosovë dhe perceptimi ndryshe i rrethanave politike.

Këto janë disa nga arsyet përse iniciativat qytetare serbe “Rrënjët” dhe “Veriu për të gjithë”, si dhe partia politike Lëvizja Popullore Serbe nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi më 15 mars.

Këto subjekte politike kanë këshilltarë në kuvendet komunale të Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut dhe Ranillugut.

Një nga nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, njëherësh udhëheqës i iniciativës qytetare “Rrënjët”, Ivan Vuçkoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja e bashkëpunimit nënkupton edhe mundësinë e veprimit të përbashkët të këtyre tri subjekteve politike në zgjedhjet e ardhshme.

Aktualisht, mbetet e paqartë nëse në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare, pasi Gjykata Kushtetuese e vendit vendosi një masë të përkohshme deri më 31 mars, duke pezulluar zbatimin e dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, derisa ta shqyrtojë kushtetutshmërinë e këtij vendimi.

SHIKONI EDHE: “Kush e dëgjon një vend që nuk mund të gjejë president?”

A ka vend për veprime të reja politike?

Zoran Saviq, nga organizata joqeveritare Aktiv në Mitrovicë të Veriut, thotë se çdo bashkëpunim midis partive opozitare serbe në Kosovë është i mirëpritur, me kusht që të ketë një qëllim dhe strategji të përbashkët.

Por, sipas tij, mbetet të shihet nëse marrëveshja e fundit do të rezultojë në një alternativë më serioze politike në praktikë.

“Ajo që është e sigurt, është se pluralizmi politik është shumë i nevojshëm në mesin e komunitetit serb në Kosovë. Vetëm një front më i gjerë politik mund të përfaqësojë një kundërpeshë më serioze ndaj opsioneve ekzistuese nga komuniteti serb - nga njëra anë, Lista Serbe, të cilën Beogradi e sheh si adresën e vetme legjitime politike për serbët në Kosovë, gjë që nuk është absolutisht e vërtetë, dhe nga ana tjetër, partia e Nenad Rashiqit, të cilën institucionet e Kosovës e shohin si partneren e vetme nga komuniteti serb”, thotë Saviq për Radion Evropa e Lirë.

Politikologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, beson se një pjesë e opozitës serbe ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi sepse llogarit në thirrjen e zgjedhjeve të reja. Por, ai është skeptik se në fund - nëse caktohen zgjedhje të reja - këto parti do të dalin me një listë të vetme të përbashkët.

Ai kujton se në prag të zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar, nuk kishte ndonjë paraqitje të përbashkët të partive opozitare serbe apo iniciativave qytetare, por shton se ka hapësirë për veprime të reja politike.

“Zgjedhjet kanë treguar tashmë se ka hapësirë që një pjesë e votuesve të votojnë për një ‘rrugë të tretë’”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.

Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit, fitoi nëntë nga dhjetë vendet parlamentare, të rezervuara për komunitetin serb, në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndërsa një vend e fitoi Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, i cili ka bashkëpunim të mirë me Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti dhe aktualisht është ministër për Komunitete dhe Kthim.

SHIKONI EDHE: A mund të izolohet Lista Serbe nga Vetëvendosja?

Kush mund t'i bashkohet aleancës së re?

Vuçkoviq, i cili është edhe këshilltar në Kuvendin Komunal të Leposaviqit, thotë se janë të hapur për bashkëpunim me organizata ose individë të tjerë politikë, por me përjashtim të atyre që kanë bashkëpunuar me Listën Serbe ose Qeverinë e Albin Kurtit në të kaluarën.

“Ne besojmë se uniteti mund të çojë në përparim. Ne nuk e nënshkruam këtë marrëveshje për të konkurruar me askënd, por duam të ofrojmë një perceptim ndryshe të kushteve politike. Nuk na intereson nëse kjo do të reflektohet në Listën Serbe apo në partinë e Rashiqit. Ne do të ofrojmë programin tonë, njerëzit tanë - kjo është e gjitha që na intereson”, thotë Vuçkoqviq.

Ai shton se të gjithë nënshkruesit e marrëveshjes ruajnë individualitetin e tyre, por se veprimi i përbashkët është ende i mundur kur bëhet fjalë për interesa të rëndësishme të komunitetit serb.

Millija Bishevac, që përfaqëson Lëvizjen Popullore Serbe, tha në një konferencë për media më 15 mars se marrëveshja për bashkëpunim me iniciativat qytetare “Rrënjët” dhe “Veriu për të gjithë” u nënshkrua për t’i ofruar komunitetit serb një alternativë, përkatësisht për të krijuar “politikë autentike”.

“Për shumë vite, këtu është ndjekur politika e gabuar, e diktuar nga Lista Serbe, e cila gjithmonë ka pasur mbështetjen zyrtare të Beogradit dhe po na çon drejt shkatërrimit. Pikërisht për këtë arsye, kemi vendosur të nisim një proces të bashkimit të të gjithë atyre që mendojnë ndryshe”, tha ai.

A është e qëndrueshme politika e pavarur e serbëve të Kosovës?

Saviq thotë se një politikë që përpiqet të jetë e pavarur si nga Beogradi, ashtu edhe nga Prishtina, “ka logjikë”, por se është shumë e vështirë të arrihet në praktikë.

Ai thekson se Lista Serbe ka mbështetje të fortë politike dhe institucionale nga Beogradi dhe se, për këtë arsye, është e vështirë për t’iu kundërvënë asaj.

“Përveç kësaj, prej vitesh është ndërtuar një narrativ se qytetarët - në këtë rast nga komuniteti serb - i sigurojnë kushtet themelore për ekzistencë nga buxheti i Republikës së Serbisë, vetëm falë faktit që Lista Serbe është në pushtet. Kjo gjë është absolutisht e pavërtetë. Nga ana tjetër, Nenad Rashiq ka gjithashtu mbështetje të konsiderueshme nga aktorë të caktuar politikë në Prishtinë, kështu që hapësira për opsionet politike që përpiqen të jenë të pavarura nga të dyja palët, është mjaft e ngushtë”, thotë Saviq.

Megjithatë, ai shton se bashkimi i aktorëve politikë të opozitës është i nevojshëm dhe se ndryshimet në nivel lokal tashmë janë të vërejtshme - thjesht nga fakti se po dëgjohen zëra politikë që nuk janë nga Lista Serbe.

“Unë besoj se kjo është e rëndësishme për një shoqëri që, të paktën në mënyrë deklarative, përpiqet për parime demokratike, sepse mungesa e debatit, dialogut dhe përballjes së opinioneve të ndryshme mbi çështje që prekin komunitetin serb, është një nga arsyet kryesore përse ai ndodhet në një situatë katastrofike sot”, thotë Saviq.

Gogiq, në anën tjetër, thotë se tri subjektet politike që nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit, i koordinuan veprimet e tyre në nivel lokal, por se “aleanca nuk do të ketë kuptim nëse ato nuk shkojnë në zgjedhje së bashku”.

“Ky është testi bazë. Këtu ngecën më herët, sepse kur ishte më e nevojshme, para zgjedhjeve, ndodhi një përçarje. Tani, mbetet të shihet nëse kjo aleancë do të mbijetojë, po qe se ka zgjedhje në Kosovë”, përfundon Gogiq.

Përgatiti: Valona Tela