Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj pesë personave që u arrestuan më 9 qershor, gjatë një operacioni të autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare.
Gjykata njoftoi se masa u shqiptua nga D.SH., R.R., B.D., B.I. dhe I.B, duke argumentuar se ekziston rreziku real që nëse ata lihen në liri “mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale dhe të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale”.
“Gjykata gjithashtu konsideron se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke asgjësuar, fshehur, ndryshuar ose falsifikuar provat e veprave penale apo duke ndikuar edhe në dëshmitarë”, u tha në njoftim.
Operacioni ndaj rrjetit të dyshuar kosovar të trafikimit të drogës u krye mëngjesin e së martës nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, pas një hetimi trevjeçar të mbështetur nga Europoli – agjencia e zbatimit të ligjit e Bashkimit Evropian – dhe autoritetet e Belgjikës, Francës dhe Holandës.
I emëruar “White Star” (Ylli i bardhë), operacioni pati si provë kryesore të dhënat e siguruara nga platforma Sky ECC, komunikimet në të cilën u dekriptuan nga autoritetet evropiane në vitin 2021.
Çfarë është Sky ECC?
Sipas Europolit - agjenci e zbatimit të ligjit e Bashkimit Evropian - Sky ECC ishte një platformë e komunikimit kriminal me pagesë, e zhvilluar nga kompania kanadeze, Sky Global.
Platforma ofronte një sërë funksionesh, përfshirë fshehtësinë e shkëmbimit të informacionit (mesazhe, fotografi ose mesazhe zanore) dhe anonimitetin e përdoruesve.
“Përveç kësaj, ajo ofronte: zbulimin e manipulimeve, fshirjen në distancë, si dhe masa të paprecedente sigurie për mbrojtjen e pajisjes, si funksioni i panikut [që u mundësonte përdoruesve të fshinin përmbajtjen e pajisjes me shtypjen e një butoni] dhe një ndërfaqe të aplikacionit që mund të fshihej lehtësisht”, thuhet në të dhënat e Europolit.
Sky ECC u mbyll zyrtarisht në marsin e vitit 2021, por qindra miliona mesazhe të enkriptuara mbeten ende të disponueshme. Këto mesazhe përmbajnë të dhëna të vlefshme për strukturën, funksionimin dhe lidhjet ndërkombëtare të rrjeteve kriminale, dhe vazhdojnë të mbështesin hetimet në mbarë BE-në.
Grupi dyshohet për trafikim të drogës dhe shpëlarje të parave.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, të dyshuarit që nga fillimi i vitit 2019 kanë marrë pjesë në veprimtarinë e një grupi të organizuar kriminal, që merrej me “blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve”.
Në dosje thuhet po ashtu se grupi dyshohet se trafikonte kokainë nga shtetet e Amerikës së Jugut; heroinë nga Irani, Afganistani dhe Turqia; si dhe marihuanë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Spanja.
Sipas hetimeve, droga transportohej përmes kompanive transportuese drejt Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Kroacisë, Gjermanisë, Zvicrës, dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.
Sa i përket dyshimeve për pastrim parash, në dosjen e Prokurorisë thuhet se dyshohet që “fitimet e siguruara nga aktiviteti kriminal i transferonin në biznese të ndryshme, të themeluara nga vetë të dyshuarit ose persona të afërt me ta”.
Një pjesë e mjeteve, sipas dokumentit të Prokurorisë, konvertohej në prona të luajtshme dhe të paluajtshme, përfshirë tokë, shtëpi, banesa dhe vetura.
Artikullin lidhur me detajet nga dosja e Prokurorisë për arrestimet e 9 qershorit mund ta lexoni KËTU
Europoli, ndërkaq ka thënë se grupi kriminal operonte nga Kosova, teksa anëtarët e tij koordinonin trafikimin ndërkombëtar të drogës, dhe menaxhonin pastrimin e fitimeve të paligjshme në disa shtete evropiane.
Në njoftimin e kësaj agjencie të BE-së është thënë se nga fillimi i hetimeve (të lidhura me platformën Sky ECC) janë hetuar 42 persona, janë kryer 76 kontrolle dhe janë sekuestruar pasuri me vlerë të vlerësuar të përgjithshme prej rreth 80 milionë eurosh.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, aktiviteti i personave që u arrestuan të martën është i ndërlidhur me një rast të hetuar paraprakisht gjatë vitit 2025, në aksionin e quajtur “Qielli i Thyer”.