Shpallja e partisë “Të Bashkuar për Shqipërinë”, dy ditë para protestës së paralajmëruar për 28 nëntor, ka nxitur debat mes protestuesve në Tiranë për mënyrën se si lëvizja mund të përfaqësohet në zgjedhje.
Për themeluesit, një parti e re është mundësi për t’i dhënë protestës përfaqësim politik.
Por, disa protestues druhen se krijimi i partive do ta përçajë lëvizjen dhe do ta dobësojë kauzën e përbashkët. Ata propozojnë që protestuesit të bashkohen rreth një kandidati për Tiranën në zgjedhjet lokale të 9 majit.
Në prezantimin e nismës, përfaqësuesit e partisë thanë se ajo lindi nga bashkëpunimi mes studentëve dhe profesionistëve dhe se pjesëmarrja e të dyja grupeve ishte e nevojshme për themelimin e saj.
“Ashtu si studentët nuk mund ta krijojnë të vetëm një parti, edhe intelektualët nuk mund ta bëjnë këtë pa pjesëmarrjen e studentëve”, thanë ata.
Pas shpalljes së partisë reaguan Lëvizja Studentore Kombëtare dhe “Revolucioni Studentor”, dy grupime jopolitike dhe jopartiake që njihen për organizimin e protestave.
SHIKONI EDHE:
Nga sheshi i protestës në alternativë politike, a do ta ndjekë Shqipëria modelin serb?Lëvizja Studentore Kombëtare u distancua nga nisma, duke thënë se nuk kishte krijuar parti dhe se nuk e mbështeste.
“Fryma e krijuar nga revolta qytetare tejkalon partitë dhe bindjet personale”, thuhej në reagimin e tyre.
“Revolucioni Studentor” tha se i mirëpret nismat që synojnë ta fuqizojnë protestën. Sipas përfaqësuesve të tij, grupimi do të mbështesë vetëm nismat që burojnë nga vullneti i shprehur lirshëm i studentëve dhe që pasqyrojnë kërkesat dhe interesat e qytetarëve.
Pse disa protestues duan një kandidat të përbashkët?
Anxhelo Tila, student i gazetarisë që prej gjashtë muajsh merr pjesë në protestë, mendon se shpallja e partisë e zhvendosi vëmendjen nga organizimi i tubimit të 28 nëntorit, pikërisht kur protestuesit duhej të përqendroheshin te përgatitjet.
“Gjithë fokusi, gjithë energjia duhej përqendruar te protesta dhe të mos kishte asnjë shpërqendrim. Më duket sikur një mund shumë i madh është çuar dëm, në njëfarë mënyre”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Krahas përgatitjeve për tubimin, sipas Tilës, studentët duhej të diskutonin edhe se si të dilnin me një kandidat të përbashkët për Tiranën në zgjedhjet e 9 majit. Ai e sheh një kandidaturë të përbashkët si mënyrë për të shmangur ndarjen e protestuesve mes disa partive.
Lorenco Sina, një tjetër protestues, e quan “shterpë” debatin për krijimin e një partie në këtë moment. Sipas tij, nëse protestuesit shpërndahen në disa parti, lëvizja do ta ketë më të vështirë të veprojë e bashkuar dhe rrezikon të përsërisë mënyrën e organizimit të brezit të vjetër politik.
“Po bëhet zhurmë për asgjë. Alternativa politike nuk është domosdo një parti e re politike. Duhet një frymë e re për ndryshim politik. Protesta duhet të dalë e përbashkuar, jo e përçarë mes disa partive. Krijimi i sa më shumë partive të reja është gabim strategjik dhe fatal”, thotë Sina për REL-in.
SHIKONI EDHE:
Të largohet Rama, po kush duhet të vijë?Ai propozon që protestuesit të hartojnë së bashku një kontratë të re sociale, e cila mund të përfshijë edhe një ose disa kandidatë të përbashkët. Sipas Sinës, një marrëveshje e tillë kërkon që grupet brenda protestës të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe të gjejnë mënyra për të bashkëpunuar.
Si synon të garojë partia e re?
Lulëzime Faria, nga “Të Bashkuar për Shqipërinë”, thotë se kritikat ndaj nismës nuk e shqetësojnë dhe se koha e shpalljes së saj nuk pritet ta dëmtojë protestën. Sipas saj, qytetarët dalin në shesh për të shprehur shqetësimet e tyre, pavarësisht nga përkatësia apo mbështetja partiake.
Duke iu referuar partisë “Aleanca e Diasporës për Shqipërinë”, të themeluar më 22 nëntor nga shqiptarë të diasporës, thotë se shpallja e kësaj partie nuk nxiti të njëjtat reagime dhe së shpejti mund të dalin edhe parti të tjera.
Drejtuesit e Aleancës thonë se synojnë t’u japin emigrantëve shqiptarë rol më aktiv në politikëbërjen e vendit, pasi, sipas tyre, partitë ekzistuese i kanë përdorur emigrantët për interesat e veta. Ata janë shprehur të hapur për kontributin e studentëve dhe të njerëzve nga fusha të ndryshme.
SHIKONI EDHE:
Nga studentët te pensionistët, çfarë i bashkon protestuesit në Tiranë?Faria ia atribuon reagimet ndaj partisë së re “Të Bashkuar për Shqipërinë” bashkëpunimit mes studentëve dhe profesionistëve.
“Reagimet ndaj nesh besoj se vijnë nga fakti se ne kemi atë që të tjerët nuk e kanë: gërshetimin mes studentëve dhe profesionistëve. Studentët janë katalizatori, ndërsa profesionistët do të përgatisin një program politik që deri tani nuk është parë”, thotë ajo.
Partia synon të garojë në zgjedhjet lokale të 9 majit. Përfaqësuesit e saj thonë se po shqyrtojnë se çfarë kandidatësh do të mbështesnin qytetarët brenda dhe jashtë protestës.
“Për ne, protesta është më e gjerë se sheshi, ndaj nuk mjafton që dikush të jetë i famshëm apo i pëlqyer në rrjet që të garojë. Duhet një kandidat që ka përgatitje politike, di dhe ka ide për mirëqeverisjen”, thotë Faria për REL-in.
Përfaqësuesit e nismës thonë se asaj i janë bashkuar studentë dhe pedagogë nga disa universitete të vendit. Ata thonë se kanë vendosur që drejtuesit të zgjidhen me mandate të kufizuara dhe të japin llogari publikisht. Sipas rregullave që kanë paraqitur, themeluesit nuk do të kenë privilegje dhe donatorët nuk do të kenë ndikim në vendimmarrje.
Për t’u regjistruar si parti politike, nisma duhet të mbledhë të paktën tre mijë nënshkrime mbështetëse dhe t’i dorëzojë ato në gjykatë bashkë me dokumentacionin përkatës. Gjykata ka 30 ditë kohë për të shqyrtuar kërkesën dhe për të verifikuar dokumentacionin. Për të marrë pjesë në zgjedhje, partia duhet të regjistrohet si subjekt zgjedhor në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të paktën 75 ditë para votimit.
Your browser doesn’t support HTML5
Protestat në Tiranë: Zemërim studentor apo pakënaqësi më e gjerë?
Ndërkohë, nga mesi i qershorit, një tjetër grupim studentor, “Rinia Nacionaliste”, kishte bërë të ditur se synon të shndërrohet në parti politike. Përfaqësuesit e tij thonë se duan të përfshijnë studentë dhe ekspertë nga fusha të ndryshme, pa lidhje me atë që grupimi e quan politika e vjetër.
Debati për përfaqësimin politik vjen rreth gjashtë muaj pas nisjes së protestës në maj. Protesta qytetare, e njohur si “Revolucioni Flamingo”, fillimisht kundërshtoi projektin turistik në Zvërnec të Vlorës, të lidhur me Jared Kushnerin. Studentët iu bashkuan protestës në fillim të tetorit, të ndjekur nga pedagogët. Me zgjerimin e lëvizjes, në protestë u shprehën edhe pakënaqësitë e grupeve të tjera qytetare ndaj qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
Dorëheqja e Ramës është kërkesa kryesore e protestuesve, të cilët distancohen edhe nga opozita aktuale dhe kërkojnë largimin e klasës së vjetër politike. Katër kërkesat e tjera janë krijimi i një qeverie teknike, kalimtare dhe jopartiake, ndryshime kushtetuese që prekin edhe Kodin Zgjedhor, anulimi i disa ligjeve, përfshirë atë për zonat e mbrojtura, dhe hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit.