Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kërkoi të martën që ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të trajtohen para 6 tetorit, duke paralajmëruar se Kuvendi rrezikon të shpërndahet pa e shqyrtuar këtë nismë.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, theksoi se kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e presidentit dhe se Kuvendi nuk duhet të shpërndahet pa e trajtuar projektligjin e PDK-së.
“Nuk mund të mos paralajmërojmë që është e papranueshme që të lejojmë që ky Kuvend të shpërbëhet - se duket që ky është qëllimi - pa e trajtuar këtë ligj”, tha Gruda.
Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
SHIKONI EDHE:
Partitë pa marrëveshje për presidentin e ri teksa afati po sosetGruda tha se edhe pse Qeveria ka 30 ditë për të dhënë mendimin për projektligjin, Kuvendit i kanë mbetur vetëm shtatë ditë për ta trajtuar atë.
“Nuk mund Kuvendi të mbetet peng i një zyre administrative. Kërkoj pak më shumë patriotizëm nga zyrtarët që punojnë në Qeveri”, tha ai.
Sipas Grudës, projektligji është hartuar me ekspertizë, por PDK-ja është e hapur për argumentet dhe propozimet e palëve të tjera.
Ai tha gjithashtu se projektligji parasheh që ndryshimet përkatëse të mos jenë nën kontrollin e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në Hagë, por të kontrollohen nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se projektligji nuk duhet të lidhet me zgjedhjen e presidentit.
“Ligji është mbi secilin kalkulim politik. Presidenti është konsensus politik, vullnet politik i subjekteve politike. Po, ligji e tejkalon këtë, ligji është obligim kombëtar i yni, obligim për gjakun e dëshmorëve, obligim për gjeneratat që kanë ardhur”, tha Tahiri.
PDK-ja e dorëzoi projektligjin në Kuvend më 21 shtator, disa ditë pasi Dhomat e Specializuara dënuan me gjithsej 81 vjet burgim katër ish-udhëheqës të UÇK-së: Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.
SHIKONI EDHE:
Çfarë parasheh nisma e PDK-së për ndryshime në ligjin për Specialen?Në dokumentin e propozuar, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, kërkohet, ndër të tjera, që dënimi maksimal që mund të shqiptohet nga Dhomat e Specializuara të jetë 15 vjet burgim dhe që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Projektligji iu dërgua Qeverisë për mendim më 25 shtator, pas mbledhjes së parë të Kryesisë së Kuvendit të legjislaturës së 11-të.
Nismën e PDK-së e ka mbështetur Aleanca, ndërsa LVV-ja ka thënë po e shqyrton fillimisht në aspektin juridik.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë thënë se qëndrimi i kësaj partie do të bëhet i ditur pasi ta pranojë zyrtarisht tekstin e projektligjit.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se projektligjin e PDK-së e ka dërguar te një ekip ekspertësh, por se ende nuk mund të japë vlerësim për përmbajtjen e tij.
Ajo, megjithatë, kritikoi mungesën e konsultimeve gjatë hartimit të tij, duke thënë se do të ishte më e drejtë që projektligji të hartohej nga Komisioni për Legjislacion ose që paraprakisht të konsultoheshin ekipet mbrojtëse të katër ish-krerëve të UÇK-së dhe ekspertë të fushës.
SHIKONI EDHE:
Nisma për ndryshimin e ligjit të Speciales është dërguar për mendim në QeveriNdërkohë, Radio Evropa e Lirë i ka kërkuar Qeverisë të hënën të sqarojë se kur pritet t’ia përcjellë Kuvendit mendimin për projektligjin, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka pranuar përgjigje.
Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha të hënën se partia e tij është e hapur për të diskutuar edhe tema të tjera me LVV-në, nëse miratohet projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
Hamza tha se për projektligjin kishte diskutuar edhe me kryeministrin Albin Kurti gjatë një takimi të dielën. Sipas tij, në takim ishte diskutuar edhe çështja e zgjedhjes së presidentit, por jo emrat e mundshëm.
“Nuk kemi shkuar për emrat, nuk i kemi folur, nëse kalohet ligji jemi të hapur edhe për tema tjera”, tha Hamza.