Në nisje të fushatës bombarduese shkatërruese të Shteteve të bashkuara dhe Izraelit, fraksionet rivale politike në Iran lanë mënjanë dallimet politike për t’u bashkuar pas vendimmarrësve të shtetit.
Por, që nga hyrja në fuqi e armëpushimit me SHBA-në më 8 prill, dallimet e thella politike në Republikën Islamike kanë dalë haptazi në sipërfaqe.
Mospajtimet publike lidhur me përpjekjet e Teheranit për të negociuar fundin e luftës dymujore ka përplasur fraksionin e vogël, por të zëshëm të ultrakonservatorëve në Iran, me konservatorët më të moderuar, një përballje që është bërë më e dukshme në Parlament dhe në ballinat e mediave të lidhura me shtetin.
Por, analistët paralajmërojnë se kjo çarje nuk është ideologjike. Dallimet kryesore, sipas tyre, nuk lidhen as me pyetjen nëse duhet të arrihet një marrëveshje me SHBA-në, por me kohën kur duhet të synohet arritja e paqes dhe çfarë lëshimesh duhen bërë.
SHIKONI EDHE:
SHBA zgjeron praninë ushtarake në Lindjen e Mesme teksa armëpushimi po lëkundetMosmarrëveshja u kristalizua në ditët pas rundit të parë të bisedimeve mes delegacioneve të udhëhequra nga kreu i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, dhe nënpresidenti amerikan, JD Vance, në Pakistan më 11-12 prill.
Ajo që kishte qenë kryesisht një përplasje pas dyerve të mbyllura shpërtheu në një luftë të hapur mediatike, kur agjencia e lajmeve Tasnim – e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit – publikoi një editorial më 25 prill, duke i tallur ultrakonservatorët, e duke i krahasuar pritjet e tyre nga bisedimet me përrallën e “fasuleve magjike”.
Ultrakonservatorët kanë thënë se Irani nuk duhet të bëjë asnjë lëshim ndaj SHBA-së, përfshirë edhe në lidhje me programin e tij bërthamor, një qëndrim i papranueshëm për Uashingtonin. Ata gjithashtu këmbëngulin që çdo marrëveshje paqeje duhet të përfshijë edhe aleatët rajonalë të Iranit dhe të garantojë heqjen e të gjitha sanksioneve ndaj Teheranit.
SHIKONI EDHE:
Trump: Teherani mund ta kontaktojë SHBA-në nëse dëshiron negociataNë një shkrim tjetër, Tasnim akuzoi Raja News, një ueb-faqe e afërt me ultrakonservatorët, për nxitje “të përçarjes” dhe se po u shërben interesave të presidentit amerikan, Donald Trump, duke kritikuar ekipin negociator iranian. Ditë më parë, Trump kishte thënë se brenda udhëheqjes së Iranit kishte “përplasje të mëdha dhe konfuzion”.
Ali Afshari, analist politik iranian me bazë në Uashington, paralajmëroi që të mos i jepet shumë peshë përplasjes publike.
“Nuk besoj se kemi ende prova që kjo mosmarrëveshje përfaqëson një çarje të madhe strukturore”, tha ai për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë.
Fushata e bombardimeve nga SHBA-ja dhe Izraeli, e nisur më 28 shkurt, ka eliminuar një pjesë të madhe të udhëheqjes politike dhe ushtarake të Iranit. Ajatollah Ali Khamenei, që prej kohësh ishte lider suprem, u vra dhe ai u pasua nga djali i tij, Mojtaba në këtë post. Por, Mojtaba Khamenei ende nuk është shfaqur në publik që nga marrja e pushtetit.
Caku kryesor i ultrakonservatorëve është Qalibafi, kryenegociatori i Iranit në bisedimet me SHBA-në. Politikanët e lidhur me Fronti Pajdari, një fraksion me ndikim ultrakonservator i lidhur me ish-kandidatin për president Saeed Jalili, akuzoi ekipin negociator se po shkel vijat e kuqe të vendosura nga lideri i ri suprem.
SHIKONI EDHE:
Mohammad Baqer Qalibaf - njeriu me të cilin SHBA-ja mund të jetë duke komunikuar në IranMahmoud Nabavian, një deputet i lidhur me Pajdarin që shoqëroi delegacionin në Pakistan, tha se bisedimet ishin “dëm i pastër” dhe se diskutimi për kufizime ndaj programit bërthamor të Iranit ishte një “gabim strategjik”.
Parlamenti i Iranit më 27 prill votoi për një deklaratë që shprehte mbështetje për ekipin negociator. Vetëm shtatë nga 261 deputetë, të gjithë figura të njohura të Pajdarit, refuzuan ta nënshkruanin atë.
“Irani po e shet naftën e tij me dyfishin e çmimit para luftës”, shkroi Nabavian në X një ditë më pas, duke u bërë thirrje “frikacakëve” t’i bashkohen publikut, që siç sugjeroi ai, nuk i mbështet bisedimet. Lufta ka tronditur tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe ka përmbysur ekonominë globale, ndërsa eksponentë të linjës së ashpër duket se shpresojnë se kjo do ta detyrojë përfundimisht Uashingtonin të bëjë lëshime.
Afshari tha se përçarja mes ultrakonservatorëve dhe konservatorëve më të moderuar lidhet me kohën e zhvillimit të bisedimeve për paqe.
SHIKONI EDHE:
Çfarë përmbajnë planet për paqe me Iranin?Ultrakonservatorët duan të vazhdojnë luftën dhe të negociojnë nga një pozicion force, tha ai. E kundërta, Qalibaf dhe konservatorë të tjerë më të moderuar duan t’i japin fund luftës tani dhe të sigurojnë një marrëveshje për aq kohë sa ende munden ta arrijnë një gjë të tillë.
“Mosmarrëveshja ekziston në këtë nivel, por nuk shkon deri aty sa dikush në bllokun [ultrakonservator] të jetë duke kërkuar që të mos ketë fare marrëveshje”, argumentoi Afshari.
Dallimet politike në Iran janë përkeqësuar nga mungesa e Mojtaba Khameneit, i cili jeton në fshehtësi dhe raportohet se është i plagosur rëndë. Sipas raportimeve, ai ka kontakte minimale me zyrtarët iranianë.
“Mungesa e një autoriteti qendror e vendimtar për shkak të mungesës së liderit suprem, Mojtaba Khamenei, ka të ngjarë që të bëjë që këto mosmarrëveshje të përshkallëzohen në domenin publik, në vend që të mbeten të kufizuara brenda kanaleve të regjimit”, shkroi Instituti për Studimin e Luftës, një institut me seli në SHBA, në një raport më 28 prill.