Përplasje mes demonstruesve dhe policisë gjatë protestës antiqeveritare në Shqipëri

Një koktej molotovi shpërthen pranë një veture të policisë në Tiranë të Shqipërisë. 20 shkurt 2026.

Policia në Tiranë ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji gjatë përplasjeve me protestuesit opozitarë, të cilët po kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë shqiptare pas pretendimeve të ngritura për korrupsion kundër zëvendëskryeministres, Belinda Balluku.

Protesta e 20 shkurtit u thirr nga Partia Demokratike në opozitë. Protestuesit hodhën koktej molotovi dhe fishekzjarrë ndaj ndërtesës së Kryeministrisë dhe policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji.

Një person duke hedhur fishekzjarrë gjatë protestës në Tiranë.

Edhe në protestat paraprake ka pasur dhunë dhe të lënduar si në anën e protestuesve, ashtu edhe të policisë.

Tensionet politike janë përshkallëzuar që nga dhjetori i kaluar, pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ngriti aktakuzë kundër ministres së Edi Ramës, Balluku.

Një person kalon pranë vendit ku protestuesit hodhën koktej molotovi në Tiranë.

SPAK e akuzon Ballukun për ndërhyrje në tenderë publikë që kishin të bënin me projekte të mëdha infrastrukturore dhe për favorizim të kompanive të caktuara. Balluku i ka mohuar akuzat.

Mijëra mbështetës të PD-së brohoritën “Rama ik” dhe “Rama në burg” gjatë protestës.

“Ditët e Edi Ramës janë të numëruara”, tha kreu i PD-së, Sali Berisha.

Një gjykatë në Shqipëri e ka pezulluar nga detyra Ballukun, por SPAK ka kërkuar nga Parlamenti që t’ia heqë imunitetin, në mënyrë që të mund të arrestohet.

Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama, që vitin e kaluar fitoi mandatin e katërt me radhë qeverisës, ka shumicë në Parlament dhe është e paqartë nëse Kuvendi do t’ia heqë imunitetin Ballukut, e cila po ashtu mban postin e ministres së Infrastrukturës dhe konsiderohet aleate e ngushtë e kryeministrit.

Rama është ankuar për tejkalim të kompetencave nga gjyqësori, veçmas për ndalimet para zhvillimit të gjykimeve.

Shqipëria synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian deri më 2030, por blloku ka kërkuar nga Tirana që të bëjë më shumë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.