Pezullohet një polic në Shqipëri pasi goditi një deputet të PD-së me plumb gome

Tiranë, 29 nëntor 2026.

Një zyrtar policor në Shqipëri është pezulluar nga puna, pasi gjatë protestës antiqeveritare më 29 nëntor në Tiranë, ka goditur me plumb gome deputetin e Partisë Demokratike në opozitë, Kliti Hoti.

Protesta, e thirrur nga studentët, nisi të dielën e qetë, por më pas situata shpërtheu në dhunë, me protestuesit dhe Policinë që u përplasën në rrugët e Tiranës. Protestuesit përdorën gurë dhe mjete të tjera ndaj Policisë dhe kjo e fundit përdori topa uji, gaz lotjsellës e plumba gome për t'i shpërndarë ata.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë protestës të së dielës janë lënduar 12 persona.

Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe Qeverisë së tij. Rama, në anën tjetër, u ka bërë thirrje për dialog, por studentët kanë refuzuar.

Autoritetet thanë se kanë nisur hetime dhe masa disiplinore ndaj policit që qëlloi në shpinë me plumb gome deputetin Hoti.

PD-ja ka dalë në mbështetje të protestave të studentëve. Megjithatë, në protesta shpesh dëgjohen edhe thirrje kundër vetë kreut të PD-së, Sali Berisha.

Kreu i PD-së, Berisha e dënoi rastin ndaj deputetit ë partisë së tij, duke thënë se ky ishte një “sulm kriminal me qëllim vrasjen” e deputetit.

Por, përmes një reagimi, Policia e Shtetit tha se polici në fjalë nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumb gome.

“Çdo akt dhune dhe çdo rast i dyshuar i tejkalimit të kompetencave duhet të trajtohet me objektivitet, transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale, në përputhje të plotë me ligjin”, u tha në reagim.

Paraprakisht, ministri i Brendshëm, Ervin Demo, tha se kishte kërkuar pezullimin e policit në fjalë që dyshohet për përdorim joprporcional të forcës.

“E drejta për protestë paqësore garantohet. Dhuna nuk tolerohet, nga askush”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Një ditë më parë, protesta e thirrur nga studentët u përshkua po ashtu me dhunë. Në një përditësim të të dhënave, Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë tha se gjatë protestës të së shtunës u plagosën 61 persona, përfshirë policë dhe gazetarë. Shifrat paraprake flisnin për rreth 50 të plagosur. Njëri nga të plagosurit gjatë së shtunës, sipas mjekëve, është në gjendje të rënduar, ndërkaq një tjetër ka lëndime në sy.

Ndërkaq, po të shtunën, Policia shoqëroi 31 persona dhe 12 prej tyre u arrestuan.

Kjo protestë u mbajt në ditën kur Shqipëria shënoi 114-vjetorin e pavarësisë.

Protestat e udhëhequra nga studentët u nxitën për shkak të pakënaqësive me sistemin arsimor, mungesën e vendeve të punës dhe korrupsionin e perceptuar në qeverisje.

SHIKONI EDHE:

Nga sheshi i protestës në alternativë politike, a do ta ndjekë Shqipëria modelin serb?



Ato pasojnë protestat disamujore, që nisën në maj dhe që ishin kryesisht paqësore, kundër një projekti turistik luksoz në bregdet, që është lidhur me Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump.

Kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e Ramës dhe Qeverisë së tij. Protestuesit po ashtu distancohen nga opozita aktuale dhe kërkojnë largimin e klasës së vjetër politike.

Katër kërkesat e tjera janë krijimi i një qeverie teknike, kalimtare dhe jopartiake, ndryshime kushtetuese që prekin edhe Kodin Zgjedhor, anulimi i disa ligjeve, përfshirë atë për zonat e mbrojtura, dhe hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit.