Polonia heq kontrollet e përkohshme kufitare me Sllovakinë

Zonë kufitare në Poloni. Fotografi nga arkivi.

Polonia u ka dhënë fund kontrolleve të përkohshme kufitare me Sllovakinë fqinje të dielën.

Varshava i pati kthyer kontrollet e tilla qysh prej tetorit të vitit të kaluar, me qëllim të kontrollimit të migrimit të paligjshëm.

Pezullimi i kontrolleve ka hyrë në fuqi në mesnatë, sipas agjencisë polake të lajmeve PAP.

Ministria e Brendshme në Varshavë e ka arsyetuar këtë hap me “stabilizim të migrimit përmes të ashtuquajturës rrugë ballkanike”.

Lexoni edhe këtë: Cilat vende të BE-së i kanë rikthyer kontrollet kufitare?

Megjithatë, situata do të vazhdojë të monitorohet, çka nënkupton se kontrollet mund të rikthehen mes këtyre dy vendeve të BE-së, nëse është e nevojshme.

Polonia dhe Sllovakia janë anëtare të Zonës Schengen – që mundëson lëvizje të lirë – prandaj nuk ekzistojnë kontrolle të rregullta kufitare.

Mirëpo, prej fundit të vitit të kaluar, vendet e bllokut evropian i kanë rikthyer me raste këto kontrollet.