Kriza e mbeturinave në Prishtinë, në fotografi
Mbeturinat e pambledhura shihen në rrugë dhe hapësira publike në pjesë të ndryshme të Prishtinës.
Kontejnerë të stërmbushur dhe mbeturina të hedhura përreth tyre shihen edhe në afërsi të njërës prej ndërtesave të Qeverisë së Kosovës.
Në lagjen “Dardania”, hapësira e dedikuar për kontejnerë është mbushur me mbeturina inerte dhe mbetje të tjera.
Ndërkaq, kontejnerët janë lënë jashtë hapësirës së dedikuar për ta, ndonëse janë gjysmë të zbrazur.
Qytetarët shpesh lënë qese me mbetje ushqimore pranë kontejnerëve, që ato të përdoren për ushqimin e kafshëve, në vend se të hidhen.
Mbeturinat kanë mbuluar edhe hapësirën përreth kontejnerëve pranë rrugës “Muharrem Fejza” në Prishtinë, në mbrëmjen e 12 tetorit.
Thuajse të gjitha mbeturinat që mblidhen në Kosovë, nuk ndahen apo riciklohen por hidhen në një nga 8 deponitë sanitare publike në Kosovë.
Sipas raporteve zyrtare, pothuajse të gjitha këto deponi nuk i përmbushin standardet mjedisore dhe duhet të mbyllen.
Sipas Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, rreth 30 për qind e mbeturinave që hidhen janë mbetje organike. Të tjerat janë edhe materiale që mund të riciklohen si plastika apo letra.
Kompania rajonale “Pastrimi” ka pasur mosmarrëveshje të shpeshta me Komunën e Prishtinës gjatë dy vjetëve të fundit, çka ka shkaktuar kriza të shumta të mbledhjes së mbeturinave në kryeqytet.
Komuna nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se kur pritet të nisë punën kompania e re e pastrimit, e cila u themelua nga Komuna më 25 shtator.
Menaxhimi i mbeturinave dhe mungesa e riciklimit janë ndër problemet për të cilat Kosova kritikohet vazhdimisht në raportet e progresit të Bashkimit Evropian.