Protestuesi i verbuar nga forcat e sigurisë së Iranit tani përballet me dënimin me vdekje

Ali Zarei.

Një burrë iranian, i cili u largua nga vendi pasi u lëndua gjatë protestave të vitit 2022, është dënuar me vdekje pasi u kthye në Iran nga Gjermania, thonë miqtë e tij dhe organizatat për të drejtat e njeriut.

Ali Zarei, i cili po mbahet në burgun Qezel Hesar në Karaj, është dënuar me vdekje nga një Gjykatë Revolucionare në Teheran për “prishje të rendit në tokë”, sipas grupit iranian për të drejtat e njeriut HRANA, me bazë në Shtetet e Bashkuara.

Sipas aktgjykimit, i cili iu dorëzua Zareit më 23 gusht, ai akuzohet për “veprimtari të madhe politike, krijimin e raporteve të sajuara për dëme, prodhimin e lajmeve të rreme, propagandë kundër regjimit, cenim të sigurisë dhe për hyrje dhe dalje të paligjshme nga vendi”.

Zarei u arrestua nga agjentë të Ministrisë së Inteligjencës së Iranit më 28 prill, pasi u kthye në Iran.

SHIKONI EDHE:

Parlamenti iranian shtyn përpara projektligjin që mund ta kthejë kontaktin me të huajt në vepër penale

Vendimi i Zareit për t'u kthyer ka habitur ata që e njihnin në Gjermani, duke pasur parasysh përvojën e tij gjatë protestave të vitit 2022 dhe rreziqet me të cilat përballej pas kthimit.

Parviz Yari, një gazetar dhe aktivist iranian që jetoi me Zarein në Gjermani për rreth një muaj, i tha Radios Farda të Radios Evropa e Lirë se Zarei kishte vendosur më herët të kthehej, por ndryshoi mendje pasi Yari e paralajmëroi për rreziqet.

“Ai ma tregoi këtë si mik dhe këshilltar. Natyrisht, ia shpjegova rrethanat”, tha Yari. “Madje reagova pak më ashpër dhe kjo bëri që ai të ndryshonte mendje”.

Yari tha se Zarei përfundimisht vendosi të kthehej pa e njoftuar atë.

Ai ia atribuoi vendimin pjesërisht atmosferës mes disa mbështetësve të opozitës iraniane pas protestave vdekjeprurëse në janar të këtij viti, duke thënë se qarqet monarkiste në mërgim kishin krijuar përshtypjen se ndryshimi politik në Iran ishte i pashmangshëm.

“Përshtypja ime është se imazhi që kjo lëvizje kishte krijuar për ato ditë në Iran në mendjet e aktivistëve politikë jashtë vendit ishte se Republika Islamike dukej se ishte në prag të kolapsit, se treni kishte nisur nga stacioni dhe njerëzit thjesht duhej të hipnin”, tha Yari.

Zarei kishte humbur shikimin në syrin e djathtë gjatë shtypjes brutale të protestave të vitit 2022 nga shteti dhe më pas u largua nga Irani për në Gjermani. Ai ishte vetëm njëri nga shumë protestuesit që u qëlluan në sy, në atë që dukej se ishte një taktikë e qëllimshme.

Video nga arkivi: Rrëfimi i një protestuesi iranian gjysmë të verbuar

Your browser doesn’t support HTML5

Gjysmë i verbuar nga policia iraniane: Rrëfimi i një protestuesi

Yari tha se Zarei e identifikonte veten si monarkist, por theksoi se ai nuk ishte formalisht i lidhur me ndonjë parti apo organizatë të caktuar politike.

“Ai nuk merrte mbështetje financiare nga askush dhe nuk ishte organizator i ndonjë demonstrate”, shtoi Yari.

Megjithatë, Zarei mori pjesë në tubime të mbështetësve të opozitës iraniane, përfshirë ngjarje në mbështetje të ish-princit të kurorës, Reza Pahlavi, i cili jeton në mërgim. Në shkurt të këtij viti, ai mbajti një fjalim në një protestë në Munih, ku sipas shifrave të policisë gjermane morën pjesë 250.000 njerëz.

“Revolucioni i vitit 1979 ka përfunduar!”, bërtiti Zarei në një fjalim të zjarrtë para turmës, duke iu referuar ngjarjeve gjatë të cilave pushteti i tanishëm kerikal i Iranit mori pushtetin.

Yari tha se pasi mbërriti në Gjermani, Zarei gjeti punë në një restorant, u regjistrua në një palestër dhe po përpiqej të mësonte gjermanisht. Por, dhuna që shoqëroi protestat në Iran këtë vit vazhdoi të kishte ndikim të fuqishëm tek ai.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar më shumë se 6.000 vdekje gjatë shtypjes së protestave nga forcat e sigurisë, por shumë prej tyre thonë se numri real i viktimave është shumë më i lartë. Disa vlerësime e vendosin shifrën në dhjetëra mijëra.

“Ajo që mendoj se ishte një pikë kthese për qëndrimin e Zareit në Gjermani ishin protestat e janarit dhe dhuna e paparë që Republika Islamike përdori për të shtypur njerëzit”, tha Yari. “Kjo krijoi një traumë kolektive për të gjithë ne dhe, në mërgim, mendoj se është disi më e vështirë të përballosh një traumë të tillë”.

Yari tha se rrjedha e informacionit për rastin e Zareit ka qenë e kufizuar për shkak të kontakteve të tij të kufizuara me familjen dhe avokatin, si dhe për shkak të njohurive të kufizuara të familjes për çështjet politike.

SHIKONI EDHE:

Në Iran raportohet se janë ekzekutuar të paktën 71 persona gjatë korrikut

“Që nga arrestimi i Zareit, fatkeqësisht, atij i janë kufizuar takimet me familjen dhe telefonatat me ta, madje edhe komunikimi me avokatin e tij”, tha Yari.

Ai tha se informacionet në dispozicion të personave jashtë Iranit sugjerojnë se rasti aktual përfshin akuza të lidhura me një ligj të diskutueshëm, të miratuar së fundmi, që ka të bëjë me spiunazhin dhe bashkëpunimin me shtete armiqësore.

Zareit mund të ankohet kundër dënimit me vdekje.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar rreth 50 ekzekutime me motive politike këtë vit.