Manipulimi i votave: Pse u zbulua tani dhe a ka ndodhur edhe më herët?

Fillimisht procesi i rinumërimit nisi vetëm në disa komuna, më pas u mor vendimi për të gjitha.

Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.

Ulje-ngritjet e konsiderueshme të partive politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë ranë shpejt në hije, kur nisi të zbulohej ajo që duket se është shkallë e gjerë e manipulimit me vota të kandidatëve për deputetë. Nga të gjitha partitë, në disa qytete. A ka ndodhur diçka e tillë në të kaluarën, pse u bë e madhe kjo punë tani?

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!

🎧 Dëgjojeni këtë newsletter:

Your browser doesn’t support HTML5

Manipulimi i votave: Pse u zbulua tani dhe a ka ndodhur edhe më herët?

“Procesi më i komprometuar zgjedhor” – kështu e përshkroi Laura Pula, koordinatore nacionale për zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, krejt atë që ndodhi pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë.

Dhe njëmend, vështirë të krahasohet me diçka të ngjashme në të kaluarën.

Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë intervistuar qindra njerëz, kanë ndaluar dhjetëra dhe po i vazhdojnë hetimet nën dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë.

Si rezultat, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për rinumërim të plotë të votave për kandidatë në të gjitha komunat e vendit. Votat për partitë nuk u cenuan.

Ndonëse shumëkush u habit me atë se çfarë ndodhi, për njohësit e zhvillimeve politike duket se manipulimi me vota ka qenë “sekret publik”.

Shembull, për Artan Muhaxhirin, diçka e tillë ka qenë praktikë e pranuar nga të gjithë dhe asnjërës parti politike nuk i ka konvenuar të reagojë.

Arsyeja?

Sipas tij, liderët dëshirojnë ta dirigjojnë mënyrën e përzgjedhjes së deputetëve, për t’i çuar përpara më lehtë agjendat e tyre.

“Kësaj radhe ishte një evoluim, mbase i rastësishëm i sistemit, sepse ndonjëherë mjafton që brenda sistemit të ekzistojë vetëm një person në pozitë të rëndësishme, i cili nuk është pjesë e skemës kriminale, dhe ta demaskojë atë. Fjala është për kryeprokurorin e Prizrenit [Petrit Kryeziun], i cili pati guxim që ta ngre zërin në mënyrë të fuqishme, me shpejtësi ndaj këtyre keqpërdorimeve dhe pastaj për këtë arsye nuk pati mundësi që kjo vjedhje e madhe industriale të mbulohej”, i tha ai Radios Evropa e Lirë (REL).

Për dallim prej Muhaxhirit, që fajin e drejton tek udhëheqësitë partiake, Agon Maliqi beson se kjo situatë mund të tregojë se liderët e partive politike ndoshta nuk i kanë strukturat e tyre nën kontroll si dikur.

“Është përfolur shumë edhe më herët se ka shumë ndikim të komisionerëve lokalë dhe bashkëpunim ndërpartiak të numëruesve, që kryesisht vijnë nga të njëjtat rajone, dhe kanë interes të përbashkët që të bashkëpunojnë, sepse pa bashkëpunim mes tyre kjo nuk bëhet”.

REL-i ka bërë përpjekje të marrë komente nga partitë më të mëdha shqiptare lidhur me këto pretendime, mirëpo ato nuk kanë qenë të qasshme.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje.

Pse publiku mësoi tani për këtë “fenomen”?

Maliqi beson se manipulimi me vota në një shkallë kaq të madhe – në disa raste është raportuar për mbi 6.000 vota dallim vetëm për një kandidat – mund të jetë mundësuar edhe nga mënyra e ndryshimit të votimit.

Në proceset e fundit zgjedhore, qytetarët kanë mundur të zgjedhin deri në dhjetë kandidatë për deputetë, nga pesë sa kanë qenë më parë.

Juristja e mediave, Flutura Kusari e ka përmendur ditë më parë edhe mundësinë që procesi i manipulimit të jetë lehtësuar për shkak të numrit më të vogël të vëzhguesve në zgjedhje nga rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, në mungesë fondesh.

Eugen Cakolli nga ky rrjet ka thënë për Radiotelevizionin e Kosovës se fakti që numërimi i votave ka ndodhur më 31 dhjetor, 1, 2 janar, atëherë mund të mos ketë pasur fare vëzhgim të punës së komisionerëve.

Për Muhaxhirin, edhe vendimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për të caktuar 28 dhjetorin si ditë të zgjedhjeve ka qenë vendim “absurd” dhe për këtë arsye mund të ketë pasur mbikëqyrje më të vogël.

Në vjetët e fundit, Kosova është lavdëruar disa herë nga faktori ndërkombëtar për procese zgjedhore të drejta dhe transparente.

Si ndodhi manipulimi?

Në qendrat komunale të numërimit, secili fletëvotim iu nënshtrohet disa kontrolleve.

Fillimisht fletëvotimi lexohet me zë të lartë nga një numërues, më pas shfaqet në ekran përmes kamerës dhe regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër, ndërsa një person i tretë e verifikon fletën.

E, manipulimi besohet se bëhet në fazën e leximit të votave për kandidatë.

Numëruesi mund ta ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke e zëvendësuar me numrin e një kandidati tjetër. Kështu, sistemi regjistron votë për kandidatin e gabuar, edhe pse fletëvotimi real tregon diçka tjetër.

Koordinatorja për zgjedhje, Laura Pula, ka bërë të ditur se në hetime do të përfshihen edhe kandidatët që u janë shtuar vota.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, çdo manipulim i qëllimshëm i votës apo rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burgim.

Një zyrtare duke i futur në sistem të dhënat e një fletëvotimi.

Çfarë flet kjo situatë për partitë?

Zyrtarë partiakë të Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i kanë dënuar dyshimet për manipulime dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të mos amnistohen.

Por, Agon Maliqi beson se kaq nuk mjafton.

“Ai dënim nuk do të duhej të ishte vetëm retorik, duhet të matet në të ardhmen nëse do të emërohen këta komisionerë manipulues sërish në ato role, a do të shpërblehen me role tjera ekzekutive”.

Për Muhaxhirin, manipulimet treguan “ngjashmëritë ekstreme të partive”.

“Ky është indikatori më i qartë se si funksionojnë partitë politike, në mënyrë jodemokratike, në mënyrë manipulative dhe për këtë arsye nuk ka meritokraci. Ky është fakti kryesor që partitë që nuk kanë ekspertizë, nuk kanë profesionistë të nivelit që do të duhej të kishin, dhe në vend të projekteve zhvillimore, ekonomike, socio-kulturore, kemi vetëm popullizëm e pseudo-patriotizëm”.

KQZ-ja beson që deri në fund të janarit do të përfundojë procesi i rinumërimit, duke i hapur rrugën certifikimit të rezultateve dhe më pas formimit të institucioneve të reja.

Miratimi i buxhetit të shtetit, marrëveshjet ndërkombëtare dhe shmangia e zgjedhjeve të reja, për shkak të pozitës së presidentit, konsiderohen hapa jetikë që vendi të mos hyjë në një terren të pashkelur më parë.

Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).

Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:

Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.