Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi, i filluan bisedimet në takimin e tyre në Nju Delhi të premten, duke folur për tregtinë mes vendeve të tyre dhe për paqen në Ukrainë.
India e priti liderin rus me tapet të kuq dhe Modi i tha atij se India i mbështet përpjekjet për paqe në Ukrainë.
Kjo është vizita e parë e Putinit në Indi pas katër vjetësh, dhe synimi i tij është ta rrisë tregtinë me blerësin kryesor të armëve dhe naftës së transportuar përmes detit nga Rusia, në një kohë kur sanksionet perëndimore po ushtrojnë trysni mbi lidhjet e tyre shumëvjeçare.
Vizita po ndodh në një kohë kur Nju Delhi është i angazhuar në bisedime me Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje tregtare që synon uljen e tarifave ndëshkuese të vendosura nga presidenti Donald Trump mbi mallrat indiane për shkak të blerjes së naftës ruse nga India.
SHIKONI EDHE: Trump vendos tarifë 25% ndaj Indisë dhe paralajmëron taksë shtesë për naftën ruseMoska ka qenë furnizuesi kryesor i armëve për Indinë prej dekadash dhe ka thënë se dëshiron të importojë më shumë mallra indiane në përpjekje për ta çuar tregtinë në 100 miliardë dollarë deri në vitin 2030, tregti e cila deri më tani ka qenë kryesisht në favor të Rusisë për shkak të importeve indiane të energjisë.
Qëkurse vendet evropiane ulën varësinë ndaj energjisë ruse pas pushtimit të Ukrainës pothuajse katër vjet më parë, India rriti blerjet e naftës ruse me zbritje, para se t’i ulte sërish këtë vit si pasojë e trysnisë së tarifave dhe sanksioneve amerikane.
“India nuk është neutrale, India ka një qëndrim, dhe ky qëndrim është për paqe”, i tha Modi Putinit në hapje të bisedimeve.
“Ne mbështesim çdo përpjekje për paqe dhe qëndrojmë krah për krah me çdo nismë të ndërmarrë për paqe”, shtoi ai.
Putin, në përgjigje, e falënderoi Modin për vëmendjen dhe përpjekjet e tij për ta gjetur një zgjidhje për konfliktin.
SHIKONI EDHE: Modi, Putinit: Lufta nuk mund të zgjidhë problemet“Ne patëm mundësi, dhe ju ma dhatë këtë mundësi, të flasim në hollësi për atë që po ndodh në drejtimin ukrainas dhe për hapat që po ndërmarrim së bashku me disa partnerë të tjerë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, drejt një zgjidhjeje të mundshme paqësore të kësaj krize”, tha Putin.
“Ndërsa vendet dhe ekonomitë tona rriten, edhe mundësitë për bashkëpunim po zgjerohet”, shtoi ai.
India dhe Rusia pritet të nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh në fund të bisedimeve zyrtare.
Modi dhe Putin pritet të diskutojnë gjithashtu çështje që përfshijnë fuqinë punëtore dhe energjinë bërthamore civile.
SHIKONI EDHE: Rusia thotë se takimi “domethënës” me SHBA-në për paqe në Ukrainë mbaroi “pa përparim”Putin mbërriti në Indi një ditë pasi zhvilloi bisedime me të dërguarit kryesorë të Trumpit për një marrëveshje të mundshme paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por ata nuk arritën ndonjë kompromis.
India nuk ka pranuar ta dënojë Rusinë për luftën dhe ka bërë thirrje për paqe përmes dialogut dhe diplomacisë, ndërkohë që ka thënë se lidhjet e saj me Moskën janë vënë padrejtësisht në shënjestër nga vendet perëndimore, të cilat, sipas Indisë, kanë vazhduar të bëjnë biznes me Moskën kur ka qenë në interesin e tyre.