Rreth nëntë orë debate e polemika në Kuvendin e Kosovës nuk janë përmbyllë me procedurën e votimit të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Seanca është shtyrë të vazhdohet të mërkurën, kur me gjasë do të iniciohet edhe procedura e votimit, ndonëse sipas koalicionit qeverisës, votimi do të ndodhë vetëm nëse paraprakisht sigurohen votat për ratifikim.
Polemikat janë zhvilluar kryesisht ndërmjet deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, si kundërshtuese e marrëveshjes në njërën anë, dhe pjesës tjetër të Kuvendit që e mbështetë marrëveshjen, në anën tjetër.
Por, pavarësisht faktit që partitë e koalicionit qeverisës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës u deklaruan në mbështetje të marrëveshjes, ishte mjaftë e qartë se Kuvendi nuk i kishte 80 votat e nevojshme për ratifikim. Andaj, edhe votimi për ratifikimin e demarkacionit u shty për ditën pasuese, të mërkurën.
Në mbështetje të marrëveshjes, besohej se ishin jo më shumë se 78 deputetë, ndërkaq mungonin edhe të paktën dy vota. Njëra votë, sipas pritjeve të spektrit që mbështetë marrëveshjen eventualisht mund të shtohet të mërkurën, kur deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi pritet të kthehet, ngaqë ai mungoi të martën me arsyetimin se kishte probleme shëndetësore. Kurse vota tjetër, ka të bëj me deputetin e komunitetit goran, nga Lista Serbe, Adem Hoxha i cili të martën nuk ishte i pranishëm në seancë.
Prania e këtyre dy deputetëve në vazhdimin e seancës dhe vota e tyre pro-demarkacionit, shihet si esenciale për kalimin e marrëveshjes.
Gjatë debatit parlamentar, arsyetimin për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje e ka bërë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai tha se Kosova ka kaluar një fazë jo të lehtë, por pas shumë përpjekjesh, bisedash e negociatash, më në fund është arritur një version i pranueshëm për të gjitha palët.
Si të tillë, ai ftoi deputetët që të votojnë për ratifikimin e marrëveshjes.
“Vota për këtë ligj është votë për shtetin, për perspektivën euro-atlantike dhe lirinë e lëvizjes”, theksoi Haradinaj.
Ai tha se i siguron të gjithë se me ratifikimin e demarkacionit, nuk cenohet integriteti i Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se LDK e mbështet këtë marrëveshje. Ai rikujtoi se kjo çështja ka mund të zgjidhet qysh para dy vjet e gjysmë dhe se është zvarritur pa ndonjë arsye.
Ai ka ftuar edhe partinë tjetër opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje që ta përkrahë marrëveshjen. Po ashtu, Hoti e ka rikujtuar edhe kryeministrin Ramush Haradinaj për kundërshtimin e ashpër që dikur i bënte kësaj marrëveshjeje. Andaj, Hoti tha se pas ratifikimit të Demarkacionit, kryeministri Haradinaj do të duhej të jepte dorëheqje.
Mbështetje ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacion i ka dhënë edhe Partia Demokratike e Kosovës përmes deputetit, Memli Krasniqi.
“Gati tre vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes, ne sot jemi mbledhur për t’i dhënë drejtim, unë besoj për ratifikimin e saj dhe për t’i çliruar edhe qytetarët nga kjo temë, e cila është shndërruar në traumë kolektive”, tha Krasniqi.
Me qëndrime krejtësisht ndryshe është paraqitur Lëvizja Vetëvendosje. Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se në sallë janë sjell edhe nënshkrimet e peticionit të qytetarëve të Kosovës kundër Demarkacionit, peticion të cilin e kishte mbështetur edhe vetë kryeministri Haradinaj, kur ishte në opozitë.
Deputetët e Vetëvendosjes më pas i vendosën kutitë me peticionin e nënshkruar afër vendit ku Haradinaj qëndronte ulur në sallën e Kuvendit.
Konjufca tha se Vetëvendosje e ka të qartë qëndrimin e saj, është kundër kësaj marrëveshjeje dhe do të votojë kundër ratifikimit të saj.
Pavarësisht faktit që seanca tashmë është caktuar të mbahet sot, nga ora 16, dilemat mbesin ende nëse janë siguruar 80 votat e nevojshme për ratifikim.
Në këtë seancë, si të pavarur janë paraqitur deputetët nga Grupi i Pavarur, i formuar si fraksion i dalë nga Vetëvendosje. Deputeti Visar Ymeri nga ky grup tha se marrëveshja mbetet e papranueshme dhe si e tillë edhe e dëmshme dhe e gabuar. Andaj, edhe fraksioni i dalë nga Vetëvendosje rikonfirmoi votën kundër kësaj marrëveshjeje.
Ndërkohë, mbështetje ratifikimit të kësaj marrëveshjeje i kanë dhënë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma Socialdemokratike dhe Grupi 6 plus që përfaqëson komunitetet joserbe.
Ndërkaq, deputetët nga Lista Serbe nuk janë paraqitur fare në seancë.
Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, është vënë si kusht i pashmangshëm për Kosovën nga Komisioni Evropian për heqjen e regjimit të vizave.
Aktualisht, kjo marrëveshje po mbështetet nga partitë në pushtet, si Partia Demokratike e Koosvës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokratike, Aleanca Kosova e Re, si dhe partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës.
Por, pavarësisht këtij fakti, brenda këtyre subjekteve politike ka deputetë që po e mbajnë në dilema dhe pikëpyetje votën e tyre për apo kundër Demarkacionit, me çka po e mbajnë të komplikuar edhe gjithë procesin e ratifikimit të marrëveshjes.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, edhe më herët gjatë ditës i ka ftuar deputetët që të votojnë, në mënyrë që me votën e tyre të shmangin izolimin e qytetarëve të Kosovës, si të vetmit në rajon pa liberalizmin e vizave.
Haradinaj ka deklaruar se, jo vetëm vota kundër, por edhe mungesa e një deputeti të vetëm në seancën e së martës, mund të ndikojë në vazhdimin e izolimit.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie iu ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë sot për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Përmes një postimi në Twitter, ambasadori Delawie ka shkruar se raportet në Kosovë tregojnë se rinia dëshiron uljen e papunësisë dhe liberalizimin e vizave.
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta votojnë Marrëveshjen e demarkacionit dhe të tregojnë se po dëgjojnë brengat serioze”, ka shkruar ai.
Kundër marrëveshjes është deklaruar Lëvizja Vetëvendosje, si dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur, i cili është formuar si fraksion i dalë nga Vetëvendosje.
Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Ndërkohë, Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, por jo edhe ai i Kosovës, për shkak të mungesës së konsensusit të brendshëm.
Mungesa e ratifikimit, ndërlidhet me kundërshtimet e brendshme nga një pjesë e spektrit politik, i cili vlerëson se me anë të kësaj marrëveshjeje, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë.
Dështimi eventual i ratifikimit të Marrëveshjes nga Kuvendi i Kosovës, besohet se do të krijonte pasoja të mëdha politike për Kosovën, qoftë për kah dështimi i marrëveshjes me Malin e Zi apo edhe me humbjen e rastit për liberalizimin e vizave, ngase ratifikimi mbetet kusht i Bashkimit Evropian për hapjen e perspektivës për qytetarët e Kosovës për lëvizjen e lirë, pa viza.