Tetëmbëdhjetë lista, 2.418 kandidatë.
Vetëm 250 prej tyre do të bëhen pjesë e përbërjes së re të Kuvendit të Serbisë dhe do të kenë mundësinë ta formojnë pushtetin.
Qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit më 25 tetor, në zgjedhje të tjera të parakohshme: të tretat në pesë vjetët e fundit.
Për të hyrë në Kuvend, listat duhet të sigurojnë të paktën 3 për qind të numrit të përgjithshëm të votave.
Përjashtim bëjnë nëntë listat e pakicave. Për to vlejnë disa rregulla të ndryshme, përkatësisht një prag më i ulët që duhet ta kalojnë.
Zgjedhjet mbahen në një atmosferë thellësisht të polarizuar, të nxitur nga protestat masive kundër Qeverisë, të cilat nisën në nëntor të vitit 2024.
Kush janë kandidatët dhe për çfarë angazhohen? Radio Evropa e Lirë ju sjell një pasqyrë të tyre.
Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar
Listën e koalicionit të mbledhur rreth Partisë Përparimtare Serbe (SNS) e kryeson Aleksandar Vuçiq.
Aleksandar Vuçiq në tubimin zgjedhor të Partisë Progresive Serbe në Beograd, 3 tetor 2026.
Ai e nisi fushatën nga pozita e presidentit të shtetit. Më 27 shtator dha dorëheqje dhe njoftoi se synon të bëhet kryeministër për herë të tretë.
Për çfarë angazhohet Serbia e Bashkuar?
Përfaqësuesit e listës që ai kryeson thonë se qytetarët, në këto zgjedhje, do të zgjedhin mes një "Serbie të bashkuar" dhe një "Serbie të përçarë".
Premtimi parazgjedhor i Vuçiqit është se, nëse mbetet në pushtet, do ta zvogëlojë ndjeshëm numrin e ministrive.
Akuzave për korrupsion të përhapur , Vuçiqi u është përgjigjur duke lansuar portalin "Ko si bre ti" ("Kush je ti, ore"), ku qytetarët mund të raportojnë zyrtarët "arrogantë" dhe "të korruptuar".
Në njërin prej tubimeve, ai tha gjithashtu se do të ruajë vazhdimësinë e politikës së jashtme dhe se nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë.
SNS-ja mbron politikën e neutralitetit ushtarak. Ajo është kundër anëtarësimit në NATO, por mbështet bashkëpunimin me aleancën.
Përfaqësuesit e saj thonë se janë pro anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë fushatës, Vuçiqi e përsëriti qëndrimin e tij se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Për herë të parë, për zgjedhjet parlamentare në nivel vendi, përparimtarët garojnë së bashku me Partinë Radikale Serbe (SRS), të ekstremit të djathtë nacionalist. Lideri i saj, Vojislav Sheshel, është dënuar me vendim të formës së prerë për krim lufte, për nxitjen e përndjekjes së popullsisë kroate nga Vojvodina.
Postera elektoral të Vojislav Sheshelit dhe Aleksandar Vuçiqit në Beograd. Fotografi arkivi nga 31 mars 2017
Radikalët janë një parti haptazi proruse dhe angazhohen për ndërprerjen e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, që bie ndesh me politikën zyrtare të përparimtarëve në pushtet.
Në listën e kandidatëve të propozuar nga SRS-ja për deputetë është edhe Vjerica Radeta, ekstradimin e së cilës e kërkon Mekanizmi Rezidual në Hagë, në kuadër të një procesi për mosrespektimin e Tribunalit.
Përveç SNS-së dhe SRS-së, në këtë listë janë edhe kandidatët e Partisë së Pensionistëve të Bashkuar, Bujqve dhe Proletarëve të Serbisë (PUPS), Partisë së Punëtorëve dhe Partisë Popullore Fshatare.
Ivica Daçiq – Faktori i Stabilitetit
Bartës i kësaj liste është lideri i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) dhe ministri i Brendshëm në qeverinë e deritanishme, Ivica Daçiq.
Gjatë gati dy dekadave të fundit, asnjë kombinim për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve nuk ka kaluar pa partinë e tij. SPS-ja ka qenë pjesë e çdo qeverie.
Ivica Daçiç është ministër i Policisë në qeverinë në largim të Serbisë.
Socialistët janë në koalicion me përparimtarët që nga ardhja e këtyre të fundit në pushtet, në vitin 2012.
Ata thonë se dëshirojnë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe pas këtyre zgjedhjeve.
Për çfarë angazhohet SPS-ja?
Në SPS thonë se partia e tyre ka "dy themele të politikës: shtetformues dhe socialist".
Që nga fillimi i fushatës, ata shpesh kanë bërë paralele mes këtyre zgjedhjeve dhe 5 tetorit të vitit 2000. Atëherë, gjatë protestave masive në Beograd, mori fund sundimi i liderit të atëhershëm të socialistëve dhe ish-presidentit autokrat të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), Sllobodan Millosheviq, sundimi i të cilit u karakterizua nga sanksionet ndërkombëtare dhe luftërat.
Socialistët i cilësojnë ato protesta si "mashtrimi më i madh në historinë e Serbisë". Ata u bëjnë thirrje votuesve të tyre që "të mos lejojnë" përsëritjen e një ndërrimi të tillë të pushtetit.
SPS-ja konsiderohet parti proruse dhe kundërshton vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Ajo mbështet bashkëpunimin me Kinën.
Njëkohësisht, angazhohet për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Në listën e socialistëve janë edhe partia Serbia e Bashkuar, të Gjelbrit e Serbisë, si dhe disa përfaqësues të Partisë Socialdemokrate të Serbisë.
Lista Studentore
Studentët në Serbi po marrin pjesë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare me listën e tyre.
Lëvizja studentore u krijua pas protestave masive kundër Qeverisë, të cilat shpërthyen pas shembjes së strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad, në nëntor të vitit 2024, kur humbën jetën 16 persona.
Pamje nga një proteste masive e thirrur nga studentët, në Beograd, 15 mars 2025.
Ata e akuzojnë pushtetin aktual se aksidenti ndodhi si pasojë e korrupsionit të përhapur gjerësisht në vend.
Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ishte një nga kërkesat e tyre.
Çfarë përfaqësojnë ata?
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndryshimet sistemike dhe institucionet e pavarura janë temat kryesore të programit të listës "Studentët Fitojnë".
Ata konsiderojnë se bashkëpunimi me Bashkimin Evropian është i domosdoshëm, por se anëtarësimi në BE është çështje për të cilën qytetarët duhet të shprehen përmes një referendumi.
Njëkohësisht, ata kundërshtojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Deri më tani, nuk kanë mbajtur një qëndrim të qartë për NATO-n.
Qëndrimi i tyre është se Kosova është "pjesë e pandashme e Serbisë".
Tubim zgjedhor i Listës Studentore në Novi Sad, 10 shtator 2026.
Shumica e kandidatëve të listës studentore nuk kanë mbajtur kurrë poste shtetërore.
I pari në listë është Ilija Srdanoviq, profesor i mjekësisë urgjente dhe kardiolog në Institutin për Sëmundjet Kardiovaskulare të Vojvodinës.
Mes kandidatëve ka edhe profesorë universitarë, mësimdhënës, juristë, ekonomistë, sportistë dhe artistë.
Studentët theksojnë se lista nuk ka një lider të vetëm politik dhe se kandidatët i kanë përzgjedhur në asambletë plenare, ku kanë marrë pjesë studentë nga të gjitha fakultetet shtetërore.
Listën e tyre e kanë mbështetur disa parti opozitare që deri më tani kanë qenë të përfaqësuara në parlament, si dhe dhjetëra organizata joqeveritare dhe lëvizje qytetare.
Rasim Ljajiq – Populli
Në listën që mban emrin e Rasim Ljajiqit, një funksionari prej shumë vitesh dhe ministri në disa qeveri, bëjnë pjesë Partia Demokratike e Sanxhakut (SDP) dhe Partia Demokratike Malazeze (CDP).
Bartësi i listës "Populli", Rasim Ljajiq, më 5 dhjetor 2017.
Çfarë synon kjo listë?
Nën sloganin "Është koha për normalitet", koalicioni përcjell gjatë fushatës mesazhin se angazhohet për uljen e tensioneve në shoqëri dhe për dialogun mes pushtetit dhe opozitës.
Ata synojnë të fitojnë sa më shumë mandate, në mënyrë që, gjatë ndarjes së pushtetit pas zgjedhjeve, "të kenë fjalën e tyre" për çështje të caktuara. Thonë se do të bisedojnë me "këdo që i fton" dhe që do të jetë në gjendje të krijojë shumicën parlamentare.
Sa i përket Kosovës, Ljajiqi mendon se Serbia nuk duhet ta njohë pavarësinë që Kosova shpalli në vitin 2008, por mbështet dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.
Ai gjithashtu vlerëson se, "pavarësisht të gjitha mangësive", Serbia nuk ka alternativë ndaj rrugës evropiane. Sipas tij, sanksionet ndaj Rusisë duhet të vendosen vetëm kur vendi të jetë afër anëtarësimit në BE.
Ljajiqi nuk është kandidat për deputet, por merr pjesë aktivisht në fushatë.
Në prag të zgjedhjeve, ai dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Socialdemokrate të Serbisë, e cila nuk është parti e pakicës kombëtare dhe që në këto zgjedhje garon në koalicion me SPS-në.
Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës – Balint Pastor
Edhe kjo listë ka statusin e listës së pakicës kombëtare.
Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës (SVM) është partia më e madhe e këtij komuniteti në Serbi.
Balint Pastor, qershor 2024.
Për çfarë angazhohet kjos listë?
Ajo angazhohet për mbrojtjen e interesave të pakicës kombëtare hungareze.
Si pika kryesore të programit të saj, SVM-ja përmend edhe luftën kundër "migrimit të paligjshëm", integrimin evropian dhe partneritetin strategjik mes Serbisë dhe Hungarisë.
Gjatë viteve të mëparshme, ajo ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Partinë Përparimtare Serbe (SNS).
Për SVM-në, këto do të jenë zgjedhjet e para që nga ndryshimi i pushtetit në Hungari në prill, kur aleati i saj, Viktor Orban, dhe partia e tij Fidesz humbën pushtetin pas 16 vjetësh.
Usame Zukorliq (SPP) – Lëvizja për Bashkim
Usame Zukorliq, lideri i Lëvizjës për Bashkim.
Bartës i kësaj liste të pakicës kombëtare boshnjake është kryetari i Partisë së Drejtësisë dhe Pajtimit, Usame Zukorliq.
Për çfarë angazhohet ai?
Ata kanë deklaruar se një nga synimet e tyre është përmirësimi i marrëdhënieve me shtetet fqinje të rajonit.
Theks të veçantë i kushtojnë marrëdhënieve mes Beogradit dhe Sarajevës.
SPP-ja është parti proevropiane.
Zukorliqi ka deklaruar më herët se beson që Serbia, megjithatë, një ditë do t'i bashkohet NATO-s.
Që nga viti 2022, kjo parti ka ministra në Qeverinë e Serbisë.
Megjithatë, në fund të vitit 2025, Zukorliqi shprehu publikisht pakënaqësinë e tij me bashkëpunimin me partinë në pushtet.
Partia Ruse "Serbia në BRICS" – Slobodan Nikoliq
Edhe listës së Partisë Ruse i është njohur statusi i listës së pakicës kombëtare.
Nikoliqi është ish-nënkryetar i Partisë Popullore Fshatare, e cila prej vitesh është pjesë e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga SNS-ja.
Për çfarë angazhohen?
Ata angazhohen për forcimin e lidhjeve mes Serbisë dhe Rusisë.
Mbështesin anëtarësimin e Serbisë në BRICS, në Bashkimin Ekonomik Euroaziatik dhe anëtarësimin e plotë në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive (ODKB).
Rusia është shteti udhëheqës në të gjitha këto organizata, të cilat konsiderohen si kundërpeshë ndaj Perëndimit.
Ata kundërshtojnë anëtarësimin në BE dhe NATO.
Dhe e mohojnë pavarësinë e Kosovës.
Kjo nuk është hera e parë që Partia Ruse merr pjesë në zgjedhje. Deri më tani, ajo ka pasur përfaqësues në kuvendet lokale, si dhe një deputet në Kuvendin e Serbisë.
Ajo ka bashkëpunuar me Partinë Përparimtare Serbe.
E Djathta Autentike – Millosh Jovanoviq
Këtë listë e përbëjnë koalicioni i orientuar djathtas, Partia e Re Demokratike e Serbisë, Monarkistët (Lëvizja për Mbretërinë e Serbisë – POKS) dhe koalicioni NADA.
Millosh Jovanoviq.
Për çfarë angazhohen?
Ata e përshkruajnë veten si "grupim euroskeptik" dhe thonë se nuk duan që "Brukseli të jetë kryeqyteti i tyre".
Vlerësojnë se vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë do të ishte "në kundërshtim me interesat shtetërore dhe kombëtare".
Ata angazhohen që Serbia të mbetet jashtë aleancave të përhershme ushtarake.
Nuk e njohin dhe nuk duan ta njohin pavarësinë e Kosovës.
I pari në këtë listë zgjedhore është lideri i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Milosh Jovanoviq.
Serbia Evropiane – Marinika Tepiq dhe Zdravko Ponosh
Bëhet fjalë për një koalicion proevropian, ku janë bashkuar Partia e Lirisë dhe Drejtësisë e Dragan Gjilasit, Serbia Qendër e Zdravko Ponoshit dhe Lëvizja Qytetare Solidariteti e Goran Jeshiqit.
Dragan Gjilas dhe Marinika Tepiq, zyrtarë të Partisë për Liri dhe Drejtësi, Nëntor 2021.
Kryetari i partisë së Qendrës Serbe Zdravko Ponosh, mars 2025.
Për çfarë angazhohen?
Synimi kryesor i këtij koalicioni është anëtarësimi i Serbisë në BE. Përfaqësuesit e tij thonë se kanë një plan për përmbushjen e të gjitha standardeve të anëtarësimit deri në vitin 2030.
Ata theksojnë se prioritetet e tyre janë ligje të barabarta për të gjithë, tolerancë zero ndaj korrupsionit, gjyqësor i pavarur, media të lira dhe zgjedhje të lira.
Zotohen për harmonizimin e politikës së jashtme me atë të Bashkimit Evropian, çka nënkupton edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Kundërshtojnë anëtarësimin e Serbisë në NATO, por mbështesin bashkëpunimin përmes programit Partneriteti për Paqe.
Janë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, por mbështesin dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
Pavarësisht presionit publik që të tërhiqeshin nga gara dhe të mbështesnin listën studentore, ky koalicion vendosi të marrë pjesë në zgjedhje.
Duke shpjeguar këtë vendim, përfaqësuesit e tij thanë se kanë "ide të qarta dhe një program për ta çmontuar regjimin e Partisë Përparimtare Serbe brenda 100 ditësh". Ata rikujtuan se studentët "nuk duan bashkëpunim me opozitën".
SDA e Sanxhakut – Mbrojtësit e Sanxhakut
Edhe kjo listë zgjedhore ka statusin e listës së pakicës kombëtare. SDA e Sanxhakut është një nga përfaqësuesit politikë të boshnjakëve në Serbi.
Sulejman Ugljanin, kryetar i SDA Sanxhakut, voton në zgjedhjet e prillit 2016.
Për çfarë angazhohen?
Ajo angazhohen për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të boshnjakëve, siç është përfaqësimi proporcional në organet dhe institucionet shtetërore.
Mbështet anëtarësimin e Serbisë në BE dhe NATO.
E njohin pavarësinë e Kosovës.
Bogoljub Kariq – Lëvizja Forcat e Serbisë BK
Pas më shumë se 20 vjetësh, biznesmeni dhe politikani Bogolub Kariq ka hyrë i vetëm në garën zgjedhore, në vend që të jetë pjesë e koalicionit të SNS-së.
Kariq në selinë zgjedhore të SNS-së duke festuar fitoren e Vuçiqit në zgjedhjet presidenciale në Serbi, prill 2017.
Ai i ka vënë lëvizjes së tij një objektiv të lartë: fitimin e 39 për qind të votave. Beson se pas zgjedhjeve, si studentët, ashtu edhe SNS-ja, do të vijnë të bisedojnë me të.
Fjalimet e tij gjatë fushatës, në përgjithësi, përfundojnë me mesazhin: "Ju do Bogolubi i juaj".
Për çfarë angazhohet kjo lëvizje?
Lëvizja Forcat e Serbisë thotë se po merr pjesë në zgjedhje me synimin për zhvillimin ekonomik dhe tejkalimin e përçarjeve.
Ajo angazhohet për anëtarësimin e Serbisë në BE, zhvillimin e marrëdhënieve me SHBA-në, si dhe për "bashkëpunim sa më të mirë në kuadër të Partneritetit për Paqe".
Njëkohësisht, mbështet ruajtjen e marrëdhënieve me Kinën dhe Rusinë.
Sipas saj, "interesat e Serbisë" lidhur me Kosovën duhet të "mbrohen përmes diplomacisë dhe në mënyrë paqësore".
Kariqi është ish-president i kompanisë BK. Në Serbi, ai ishte i dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Në vitin 2006, u largua drejt Rusisë, pas së cilës vazhdoi aktivitetin e biznesit edhe në Bjellorusi.
Së bashku me vëllanë e tij, Dragomir Kariqin, ai ndërtoi një perandori ndërtimore në këtë shtet.
Për shkak të lidhjeve të biznesit me regjimin e autokratit bjellorus Aleksandar Lukashenko, Kariqi u vu nën sanksionet e Bashkimit Evropian. Edhe kompania e familjes Kariq ishte në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Bogolub dhe Dragolub Kariq në një takim me presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, në Minsk, 22 qershor 2015.
Pasi ndaj tij u hoq fletarrestimi ndërkombëtar, Kariqi u kthye në Serbi në vitin 2016. Ai vazhdoi pa pengesa aktivitetin e biznesit, me mbështetjen e pushtetit të Partisë Përparimtare Serbe.
Hetimi ndaj tij u ndërpre.
Partia Liberale e Gjelbër
Këtë listë e kryeson mjeku Dejan Zhujoviq, specialist i pulmologjisë.
Ai u bë i njohur për publikun e gjerë gjatë pandemisë së koronavirusit, për shkak të kritikave ndaj politikave shëndetësore të shtetit gjatë pandemisë. Pikërisht atëherë paralajmëroi edhe angazhimin e tij politik.
Ndër të tjera, partia e tij mori pjesë në zgjedhjet lokale në Negotin dhe Zajeçar, si dhe në zgjedhjet në disa komuna në mars të këtij viti. Ajo është përballur me akuza se është "satelit" i Partisë Përparimtare Serbe, pretendime që Zhujoviqi i ka mohuar.
Për çfarë zotohet ai?
Partia Liberale e Gjelbër nuk ka uebfaqe të vetën dhe as program politik të qasshëm publikisht.
Në llogarinë e saj në Instagram, ajo thotë se lufton për një Serbi të lirë, demokratike dhe të pastër.
Koalicioni Forca
Kjo është një listë e pakicës kombëtare, e koalicionit boshnjako-grek Snaga (Forca), i themeluar në vitin 2024.
Koalicioni përbëhet nga Partia e së Ardhmes dhe Zhvillimit dhe Partia Qytetare e Grekëve të Serbisë.
Bartës i listës është Ferid Buliq, profesor universitar nga Novi Pazari.
Për çfarë angazhohet?
Në uebfaqen e koalicionit Snaga, rubrika "Parimet programore" është e zbrazët.
Deri më tani, gjatë fushatës, ata kanë deklaruar se angazhohen për demokratizimin e shoqërisë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe të pakicave, si dhe barazinë e komuniteteve kombëtare.
Partia e Unitetit Ruso-Serb
Kjo është një tjetër listë e pakicës kombëtare ruse në këto zgjedhje. Ajo është paraqitur nga Partia e Unitetit Ruso-Serb, e regjistruar vetëm pak ditë para shpalljes së zgjedhjeve.
Përfaqësues i partisë është sportisti Rade Saviq nga Smedereva. Selia e partisë ndodhet në Beograd.
Përfaqësuesit e saj thonë se veprimtaria e tyre ka "bekimin" e patriarkut rus dhe mbështetjen e Leonid Slluckit, liderit të Partisë Liberal-Demokratike të Rusisë (LDPR), ultranacionaliste, i cili është edhe kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të Dumës ruse.
Lideri i Partisë ultranacionaliste Liberale Demokratike të Rusisë (LDPR), Leonid Slutsku, dhe president i Partisë së Unitetit Ruso-Serb. Postuar në faqen e internetit të Partisë së Unitetit Ruso-Serb.
Për çfarë angazhohet kjo listë?
Në uebfaqen e partisë thuhet se synimi i saj është ndërtimi i një Serbie të begatë.
Ajo angazhohet që Serbia të heqë dorë nga kandidatura për anëtarësim në BE dhe për "forcimin e aleancës" me "vëllezërit rusë".
"Babë, kjo është për ty" e Petar Gjuriqit
Kjo listë e një grupi qytetarësh kryesohet nga Petar Gjuriq, i njohur për sloganin "Babë, kjo është për ty".
Slogani lindi gjatë protestave të vitit 2020, në kohën e pandemisë së koronavirusit, kur Gjuriqi foli publikisht për vdekjen e babait të tij, i cili kishte ndërruar jetë nga COVID-19.
Petar Gjuriq.
Lëvizja "Babë, kjo është për ty" u formua një vit më vonë. Në këto zgjedhje, ajo ka vetëm nëntë kandidatë për Kuvend.
Për çfarë angazhohen?
Në uebfaqen e lëvizjes thuhet se ajo angazhohet për ndryshimin e «të gjithë sistemit» dhe luftën kundër korrupsionit.
Ajo mbështet anëtarësimin e Serbisë në BE.
Gjuriqi zhvillon gjithashtu një fushatë për «legalizimin dhe dekriminalizimin» e kanabisit.
Kjo listë fillimisht u shpall zyrtarisht, por më pas vendimi për shpalljen e saj u anulua. Pasi u korrigjuan mangësitë, komisioni e shpalli përsëri.
Vladimir Gajiq – Alternativa për Serbinë
Këtë listë e përbëjnë BUNT – Serbia e Vërtetë, parti e pakicës kombëtare ruse, e udhëhequr nga Dushan Markoviq nga Jagodina, si dhe Partia Popullore e avokatit Vladimir Gajiq.
Ata e paraqesin veten si "alternativë si ndaj pushtetit, ashtu edhe ndaj listës studentore".
Vladimir Gajiq.
Për çfarë angazhohen?
Ata mbështesin marrëdhënie "vëllazërore" me Rusinë dhe marrëdhënie "të çelnikta" me Kinën.
Gjithashtu, angazhohen për marrëdhëniet "më të mira të mundshme" me Shtetet e Bashkuara.
Ata kërkojnë "ngrirjen" e negociatave me Brukselin, për shkak të qëndrimit të BE-së ndaj pavarësisë së Kosovës.
Për veten thonë se janë monarkistë.
Koalicioni Shqiptar
Tetë parti shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja do të përpiqen për herë të parë të fitojnë mandate parlamentare përmes një liste të vetme, të quajtur "Koalicioni Shqiptar".
Një rol të rëndësishëm në bashkimin e tyre e pati Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, i cili arriti t'i ulte rivalët politikë në të njëjtën tryezë.
Marrëveshja mes partive shqiptare për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet parlamentare në Serbi u arrit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 29 shtator 2026, në Prishtinë.
Në listën e përbashkët bëjnë pjesë Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja për Progres Demokratik, Lëvizja për Reforma, Alternativa për Luginën dhe Unioni Demokratik Shqiptar.
Për çfarë angazhohen?
Ata kërkojnë respektimin e marrëveshjeve të nënshkruara mes përfaqësuesve të shqiptarëve dhe Qeverisë së Serbisë.
Ndër synimet e tyre janë përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore, rimëkëmbja ekonomike e komunave të Luginës së Preshevës, përdorimi zyrtar i gjuhës, shkrimit dhe simboleve kombëtare shqiptare.
I pari në listën "Koalicioni Shqiptar" do të jetë lideri i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi. Kandidati i dytë do të jetë nga Alternativa për Ndryshim, ndërsa i treti nga Partia Demokratike.
Në përbërjen e kaluar të Kuvendit të Serbisë, Kamberi ishte përfaqësuesi i vetëm i popullit shqiptar.
Nëna Serbi – Gruda
Kjo është një listë e pakicës kombëtare sllovake.
I pari në listë është Vitomir Nedeljkoviq, inxhinier me diplomë master nga Kragujevci. Ai është ish-nënkryetar i Partisë Demokristiane të Serbisë. Ka qenë edhe anëtar i Partisë Demokratike, e më vonë i Partisë Socialdemokrate të Boris Tadiqit.
Ai ka qenë gjithashtu këshilltar i Partisë Përparimtare Serbe në kuvendin lokal të qytetit të Kragujevcit, të formuar në vitin 2020.
Për çfarë angazhohen?
Ata mbështesin decentralizimin, mbrojtjen e mjedisit dhe "ruajtjen e identitetit dhe të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Serbisë".
Gjithashtu, propozojnë vendosjen e "pensioneve kombëtare për nënat". Ideja e tyre është që të jepet "një mirënjohje e veçantë kombëtare për nënat që njëkohësisht kanë punuar dhe kanë rritur familje me shumë fëmijë".
Ata angazhohen për bashkëpunim më të fortë ekonomik mes Serbisë dhe Sllovakisë.
Gjithashtu, thonë se mbështesin rrugën evropiane të Serbisë.