Të paktën 15 të vrarë e dhjetëra të plagosur teksa Rusia e godet Ukrainën me qindra dronë e raketa

Pasojat e bombardimeve të ashpra ruse në ndërtesat e banimit në Dnieper, Ukrainë, më 16 prill.

Rusia i ka lëshuar qindra dronë dhe raketa drejt Kievit, Dnipros dhe qyteteve të tjera të Ukrainës, duke i vrarë të paktën 15 njerëz në gjithë vendin, në një nga bombardimet më të mëdha të muajve të fundit.

Ekipet e emergjencës u përpoqën të enjten t’i shuajnë zjarret dhe të gjejnë të mbijetuar në ndërtesa të larta banimi në kryeqytetin ukrainas.

Mbi 45 njerëz u plagosën në Kiev, tha kryetari i kryeqytetit, Vitali Klitschko, ndërsa një zyrtar tjetër theksoi se numri i të plagosurve shkoi në të paktën 58.

Në një postim në Telegram, Klitschko tha se numri i të vdekurve në Kiev, që ishte katër, përfshinte edhe një fëmijë 12-vjeçar. Ai paralajmëroi banorët se qyteti mund të sulmohet sërish.

SHIKONI EDHE:

Gjendja në fushëbetejën e Ukrainës: Mot pranveror, sezoni i ri i luftimeve dhe një sulm i madh rus

Në qytetin qendror të Dnipros, të paktën tre njerëz u vranë dhe 27 u plagosën nga një sulm me raketa, tha guvernatori Oleksandr Hanzha në Telegram.

Pesë nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë, shtoi ai.

Qyteti port i Odesës në Detin e Zi u godit rëndë, thanë zyrtarët, ku u raportua për tetë njerëz të vrarë dhe më shumë se një duzinë të plagosur.

Sulmet pothuajse të përnatshme të Rusisë ndaj Ukrainës janë pakësuar javët e fundit, pas një dimri të ashpër gjatë të cilit Rusia goditi centralet e ngrohjes dhe energjisë, duke lënë miliona ukrainas pa ngrohje dhe pa rrymë.

SHIKONI EDHE:

Rusia i godet disa qytete në një sulm të madh gjatë ditës në Ukrainë

Në sulmin gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes, Rusia lëshoi më shumë se 650 dronë ndaj objektivave ukrainase, së bashku me afro katër duzina raketa lundruese dhe balistike, raportoi ushtria ukrainase.

Ndërkohë, Ukraina ka rritur intensitetin e sulmeve të saj me dronë ndaj objektivave ruse.

Së fundmi, ajo goditi dy terminale të mëdha nafte në Detin Baltik, në një përpjekje të dukshme për ta penguar Rusinë të eksportojë naftë.

Qyteti rus Tuapse, i cili gjendet në bregdetin e Detit të Zi midis Novorossiisk dhe Soçit, u godit nga dronë ukrainas, tha guvernatori Veniamin Kondratyev në një postim në Telegram. Të paktën dy fëmijë u vranë.

Pajme satelitore të një zjarri në ambientet e një depoje nafte në Tuapse në Detin e Zi, pas një sulmi ukrainas më 16 prill.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë më vonë deklaroi në llogarinë e saj në Telegram të enjten se sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit kishin kapur dhe shkatërruar 207 dronë ukrainas gjatë natës mbi rajonet Belgorod, Smolensk, Kursk, Briansk, Oriol dhe Krasnodar, si dhe mbi Krime dhe mbi Detin e Zi dhe Detin Azov.

Bisedimet e mbështetura nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila nisi më 2022, kanë ngecur, pasi Uashingtoni po e zhvendos vëmendjen drejt luftës në Iran.

Rusia nuk ka dhënë asnjë shenjë se po i zbut kërkesat e saj të ashpra për tokën ukrainase dhe garancitë e sigurisë, të cilat Kievi i ka cilësuar të papranueshme.