Sulmi rus filloi në orët e para të 19 marsit, në vijat e pemëve pa gjethe dhe livadhet në lindje dhe juglindje të Limanit: turma motoçikletash, automjete për terrene të vështirë dhe motoçikleta; më shumë se dy duzina automjetesh të blinduara, qindra ushtarë dhe dronë që gumëzhinin mbi kokë.
Sulmi katërorësh u zgjerua në shtatë lokacione pranë qytetit ukrainas dhe përfshiu një ofensivë më të madhe të mekanizuar së bashku me të ashtuquajturat taktika infiltrimi, ku ushtarë të armatosur lehtë përpiqen të kalojnë me shpejtësi përtej mbrojtjeve dhe dronëve ukrainas, pastaj të qëndrojnë të strehuar derisa të vijnë përforcimet.
Sipas Korpusit të Tretë të Ushtrisë së Ukrainës, një nga njësitë më të kalitura në betejë, ishte “një dështim i madh”.
Oficeri më i lartë ushtarak i Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrskiy, deklaroi se pothuajse 5.000 ushtarë rusë u vranë midis 18 dhe 19 marsit.
“Kjo është e ashtuquajtura përpjekje blitzkrieg: të depërtojnë shpejt në pozicione, të arrijnë në prapavijë dhe pastaj t’i shkatërrojnë vijat e mbrojtjes sonë”, tha kapiteni Oleksandr Borodin, zëdhënës i Korpusit të Tretë.
“Është e vështirë për mua të flas në mënyrë strategjike për të gjithë vijën e frontit. Por, për ne, ky ishte sulmi i parë i këtij lloji në më shumë se një vit”, i tha ai Radios Evropa e Lirë (REL).
Është e pamundur të konfirmohen pretendimet specifike të njësisë së Korpusit të Tretë; as ushtria ruse dhe as blogerët pro Kremlinit në Telegram nuk kanë komentuar. Studiuesit e burimeve të hapura kanë konfirmuar linjat e përgjithshme të sulmit pranë Limanit.
Gjithashtu nuk është e qartë nëse ky sulm është hapi i parë i një ofensive më të gjerë pranverore nga Rusia. Zyrtarët civilë dhe ushtarakë ukrainas, si dhe ekspertë të jashtëm, kanë qëndrime të përziera për këtë çështje.
Një gjë është e sigurt: pas pesë pranverash, lufta e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon.
“Rusët po ndjekin të njëjtin model si vitin e kaluar”, tha Konrad Muzyka, një analist ushtarak polak nga Rochan Consulting, i cili vizitoi pozicionet e përparme në Ukrainë më herët këtë muaj.
Ata “kryejnë sulme të mekanizuara dhe shohin nëse funksionojnë. Zakonisht nuk funksionojnë, pothuajse gjithmonë nuk funksionojnë, dhe pastaj kthehen te taktikat e infiltrimit”, sipas tij.
“Presim të shohim një rritje të aktivitetit tokësor rus nga fundi i marsit e tutje, dhe ka gjasa të rritet edhe më shumë sapo pemët të fillojnë të mbulohen me gjethe”, shtoi ai.
“Ritmi i operacioneve luftarake në front po përshpejtohet vërtet për shkak të përmirësimit të kushteve të motit”, tha Viktor Kevlyuk, ekspert ushtarak në Qendrën për Strategji të Mbrojtjes në Kiev.
“Kjo po ndodh kryesisht për shkak të forcimit të tokës, dukshmërisë më të mirë për dronët dhe mundësisë për të përdorur pajisje të rënda”, vlerësoi ai.
Në një fjalim me video më 22 mars, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se më shumë se 8.000 trupa ruse u vranë ose u plagosën rëndë gjatë javës paraprake.
Përveç fushëbetejës, Rusia dhe Ukraina kanë përshkallëzuar ndjeshëm luftën ajrore kundër njëra-tjetrës ditët e fundit, duke shkëmbyer sulme çdo natë me dhjetëra dronë - dhe raketa ruse - të lëshuara drejt caqeve.
Një sulm ajror rus më 24-25 mars ishte një nga më të mëdhenjtë që nga fillimi i pushtimit të plotë në shkurt 2022, thanë autoritetet ukrainase, me pothuajse 1.000 dronë të lëshuar brenda 24 orëve.
Armët e Prillit
Për Rusinë dhe Ukrainën, moti më i ngrohtë i pranverës e bën më të lehtë lëvizjen në terren. Toka forcohet për automjete të rënda dhe të lehta. Moti i qëndrueshëm është më i favorshëm për fluturimin e dronëve, dhe është më e vështirë për njësitë e këmbësorisë të fshihen pa mbulesë pemësh dhe shkurresh.
Kjo ndodh në një kohë kur bisedimet për paqe, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, kanë ngecur pas muajsh takimesh dypalëshe dhe trepalëshe midis Rusisë, Ukrainës dhe negociatorëve amerikanë.
Vëzhguesit e fajësojnë Rusinë për mos ndryshimin e kërkesave, që përfshijnë tërheqjen e Ukrainës nga pjesët e rajonit të Donjeckut që ende i kontrollon, si dhe luftën e administratës amerikane me Iranin, e cila tani është në javën e katërt dhe po përshkallëzohet.
Lufta me Iranin është e favorshme për Moskën sepse ka rritur çmimet globale të energjisë, dhe Rusia e ka financuar në masë të madhe ofensivën e saj katërvjeçare me të ardhurat nga nafta dhe gazi.
Sanksionet perëndimore kanë goditur këtë fluks të ardhurash, por tensionet në Lindjen e Mesme kanë dyfishuar vlerën e eksporteve të Moskës në një mesatare prej 270 milionë dollarësh në ditë, sipas Bloomberg.
Kjo është gjithashtu e favorshme për Kremlinin sepse furnizimet me armë nga SHBA-ja kanë qenë thelbësore për aftësinë e Ukrainës për të vazhduar luftën, dhe Uashingtoni tani po pakëson arsenalet e tij, përfshirë sistemet mbrojtëse raketore Patriot, për të cilat Ukraina ka nevojë urgjente.
Gjatë një dimri jashtëzakonisht të ashpër, Rusia zhvilloi një fushatë shumëmujore me dronë dhe raketa duke synuar infrastrukturën energjetike të Ukrainës - termocentrale, impiantet e ngrohjes, rrjetet e transmetimit, nënstacionet - për ta demoralizuar një popullsi tashmë të lodhur.
Në fushëbetejë, forcat e vogla të Ukrainës, të lodhura, me mungesë personeli dhe pajisjesh, vazhdojnë ta frenojnë një ushtri të madhe dhe të pajisur më mirë të Rusisë, duke lejuar vetëm përparime të vogla pej disa metrash, jo kilometrash.
Ukraina gjithashtu arriti disa përparime në disa zona gjatë dimrit, megjithëse shumë të vogla për ta ndryshuar në mënyrë vendimtare rrjedhën e luftës, thanë analistët.
Në një operacion pranë qytetit Huliaipole në rajonin e Zaporizhja në fund të janarit, Muzyka tha se forcat ukrainase arritën të lëviznin më shpejt, duke synuar ekipet ruse të dronëve dhe duke kufizuar aftësitë e ushtrisë ruse për zbulim, mbikëqyrje dhe vëzhgim.
“Ukrainasit përdorën një kombinim të goditjeve me UAV dhe artileri dhe e kuptonin shumë më mirë se ku ndodheshin ekipet ruse të UAV-ve. Ata arritën t’i vrisnin, t’i shkatërronin, ose të përdornin UAV-të për t’i mbajtur të bllokuar në strehime dhe llogore, të paaftë për të lëvizur”, tha ai.
Një pjesë e suksesit ukrainas lidhet edhe me faktin që trupat ruse në shkurt humbën qasje në Starlink, pasi pronari Elon Musk iu përgjigj kërkesave ukrainase për të ndërprerë terminalet e paautorizuara të përdorura gjerësisht nga forcat ruse. Rrjeti satelitor i internetit ka qenë thelbësor jo vetëm për komunikim, por edhe për sistemet e drejtimit të dronëve.
Limani, qyteti që ishte në fokus të sulmit të 19 marsit, ndodhet vetëm 30 kilometra në verilindje të Slovianskit, një nga dy të ashtuquajturat qytete-fortesa që janë në zemër të mbrojtjes së Ukrainës në rajonin e Donjeckut.
Kremlini ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga territori i mbetur i rajonit të Donjeckut, përfshirë Slovianskun dhe Kramatorskun. Ukraina ka refuzuar, pjesërisht nga frika se kontrolli rus mbi këto dy qytete do të hapte rrugën për një ofensivë të re në të ardhmen, edhe pas përfundimit të kësaj lufte.
Në rundin më të fundit të bisedimeve dypalëshe më 21-22 mars, negociatorët amerikanë thuhet se i bënë presion Ukrainës të pranojë tërheqjen e plotë nga Donjecku, sipas Ukrainskaya Pravda, duke cituar zyrtarë anonimë. Në një intervistë pasuese për Reuters, Zelensky tha se Shtetet e Bashkuara po e lidhnin ofrimin e garancive të sigurisë me këtë tërheqje.
Rritja e operacioneve ruse në javët e fundit në fakt nënkupton fillimin e një ofensive pranverore, argumentoi Roman Mykula, bashkëthemelues i Deep State, një grup monitorimi me burim të hapur me lidhje me ushtrinë ukrainase: pranë Kostiantinivkës, pranë Huliaipole dhe pranë Pokrovskut.
Sulmi i 19 marsit në Liman, tha ai, “ishte një përpjekje e madhe e motoçiklistëve rusë për të shtyrë frontin, për të sulmuar. Por, shumica e tyre u vranë. Dhe rusët nuk kanë asnjë sukses atje”.
Sulmi në Liman ishte një nga më të mëdhenjtë gjatë vitit të fundit në atë segment të vijës së frontit, tha Kevlyuk. Ai nuk përbën fillimin e një ofensive pranverore, shtoi ai; kjo pritet të ndodhë ndoshta në maj, dhe rusët do t’i ripozicionojnë forcat në javët në vijim gjatë përgatitjeve.
Forcat ruse “kanë mbetur prapa afatit në krijimin e pozicioneve fillestare për fushatën verore të këtij viti dhe për këtë arsye po nxitojnë rrëmujshëm”, tha ai.