Ndërlidhjet

Teksa konflikti me Iranin po përshkallëzohet, Ukraina i thotë SHBA-së: Jemi sprovuar me këtë

Një ushtar ukrainas me një dron Bulava. Fotografi nga arkivi.
Një ushtar ukrainas me një dron Bulava. Fotografi nga arkivi.

Në një kohë kur sulmet me dronë dhe raketa iraniane po e vënë në provë mbrojtjen amerikane në Lindjen e Mesme, një delegacion vizitor nga Ukraina thotë se Shtetet e Bashkuara tani po përballen me një të vërtetë në fushëbetejë, më të cilën Kievi është mësuar qysh nga muajt e parë të pushtimit të plotë nga Rusia.

“Sulmet e mëdha dhe në shkallë të gjerë me dronë të lirë… ndryshojnë vërtet mënyrën se si veprojnë sistemet”, tha Maryna Hrytsenko, drejtoreshë ekzekutive e Institutit Snake Island me bazë në Kiev, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë gjatë një vizite në Uashington më 24 mars.

Paralajmërimi i saj vjen derisa zyrtarët ukrainas po përpiqen ta bartin përvojën e tyre në vijën e frontit tek partnerët perëndimorë, duke argumentuar se lufta e Ukrainës i ka vënë në provë të vërtetë sistemet moderne të mbrojtjes ajrore.

Në qendër të këtij mesazhi është një pabarazi e theksuar ekonomike. Sistemet e avancuara, si sistemi i mbrojtjes ajrore Patriot, mbeten shumë efektive, por përdorimi i tyre kundër valëve të dronëve me kosto të ulët është i paqëndrueshëm në afat të gjatë.

“E kemi kuptuar prej kohësh që nuk është ekonomikisht efektive të përdoren raketa në vlerë prej 4.5 milionë dollarësh të Patriotit për ta rrëzuar një dron Shahed që kushton 500.000 dollarë”, tha Hrytsenko.

Një luftë që Ukraina e njeh mirë

Vizita e delegacionit ukrainas në SHBA - pas pjesëmarrjes në një forum sigurie në Majami dhe vazhdimit të takimeve në Uashington - vjen në një kohë kur konfliktet që përfshijnë Iranin po nxjerrin në pah dobësi që Ukraina i ka dokumentuar qysh nga viti 2022.

Grupi përfshin jo vetëm staf politik dhe analitik nga Instituti Snake Island, por edhe praktikues ushtarakë ukrainas të përfshirë drejtpërdrejt në operacionet e mbrojtjes ajrore.

Mes tyre janë një përfaqësues i forcave ajrore që punon ngushtë me sistemet amerikane dhe një oficer i lartë nga Korpusi i Ushtrisë përgjegjës për zbatimin e mbrojtjes ajrore përgjatë vijës së frontit.

Sipas Hrytsenkos, roli i tyre është të ofrojnë njohuri “të verifikuara në fushëbetejë” mbi mënyrën se si performojnë sistemet perëndimore nën sulme të vazhdueshme dhe në shkallë të gjerë, diçka në të cilën SHBA-ja ka pasur përvojë të kufizuar deri së voni.

“Mendoj se ajo me të cilën Amerika është përballur për herë të parë është sulmi masiv me dronë të lirë… që vërtet ndryshon mënyrën se si funksionojnë sistemet”, tha ajo.

Hrytsenko tha se Lindja e Mesme ende nuk po e përjeton të gjithë spektrin e kërcënimeve me të cilat përballet Ukraina sot, por zhvillimet e fundit i ngjajnë fazave të hershme të luftës.

“Gjuetarët” ukrainas të dronëve shënjestrojnë mjetet ruse në vijat ajrore të frontit

“Gjuetarët” ukrainas të dronëve shënjestrojnë mjetet ruse në vijat ajrore të frontit “Gjuetarët” ukrainas të dronëve shënjestrojnë mjetet ruse në vijat ajrore të frontit
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:49 0:00

“Mendoj se Lindja e Mesme nuk po përballet me gjithçka që ne po përballemi tani”, tha ajo, duke theksuar dallimet në kapacitetet detare dhe dinamikat e fushëbetejës.

Megjithatë, ajo nxori paralele në përdorimin e sulmeve masive me dronë dhe në shënjestrimin e sistemeve të zbulimit.

“Jo vetëm sistemet e mbrojtjes ajrore janë të rëndësishme, por edhe radarët, apo jo? Aftësia për të kuptuar se nga vjen ky [kërcënim]”, tha ajo, duke kujtuar se sfida të ngjashme u shfaqën në Ukrainë pasi dronët e projektuar nga Irani u përdorën në numër të madh.

Përgjigjja e Ukrainës ka qenë ndërtimi i një sistemi të shtresëzuar të mbrojtjes ajrore, duke kombinuar platformat perëndimore me teknologji të reja si dronë mbrojtës, sensorë akustikë dhe madje rrjete raportimi nga qytetarët.

Kjo qasje përshkruhet në një raport të fundit të Institutit Snake Island, “Holding Back the Sky”, i cili përshkruan evolucionin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës nga sistemet e epokës sovjetike në vitin 2022 në një arkitekturë hibride deri në fillim të vitit 2026.

“Ata na ndjekin neve, ne ata”: Përpjekjet e njësiteve të dronëve për ta mbrojtur Ukrainën

“Ata na ndjekin neve, ne ata”: Përpjekjet e njësiteve të dronëve për ta mbrojtur Ukrainën
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:19 0:00

Pa partneritet, s’ka ndihmë

Në takimet me Shtëpinë e Bardhë, Kongresin, Pentagonin dhe institutet kërkimore, delegacioni po ngulë këmbë në një mesazh të qëndrueshëm: Ukraina duhet të trajtohet si partnere sigurie, jo thjesht si përfitues e ndihmës.

“Nuk besojmë në ndihmë”, tha Hrytsenko. “Besojmë se bashkëpunimi afatgjatë ndërtohet përmes partneritetit”.

Ajo argumentoi se Ukraina mund ta ndihmojë SHBA-në të përballet me sfida më të gjera strategjike - nga Evropa deri në Indo-Paqësor - duke ndarë zgjidhje të sprovuara në fushëbetejë dhe duke ulur barrën mbi forcat amerikane.

“Ukraina mund të jetë në fakt fuqia… që mund ta ndihmojë Amerikën t’i përmbushë qëllimet e saj dhe ta ulë praninë e saj në Evropën nëse është e nevojshme”, tha ajo.

Delegacioni po kërkon gjithashtu bashkëpunimin praktik, përfshirë testimin e vazhdueshëm të teknologjive ukrainase të dronëve dhe mbrojtjes në SHBA, si dhe nevojën për të integruar trajnimin së bashku me prokurimin.

“Tashmë ka disa sisteme ukrainase që po testohen këtu”, tha ajo, duke shtuar se zbatimi, jo vetëm blerja, është thelbësor.

Vëmendje të ndryshme, kërcënime të përbashkëta

Konflikti që po zgjerohet me Iranin ka pasoja të përziera për Ukrainën, tha Hrytsenko.

Nga njëra anë, ai ka përforcuar paralajmërimet e Kievit për qasje gjithnjë e më të lehtë në luftën me dronë, madje edhe për aktorë joshtetërorë.

“Pragu për të hyrë në… luftë ushtarake… është ulur shumë, shumë”, tha ajo, duke vënë në dukje se komponentët tani mund të sigurohen lirë dhe të montohen gjithandej.

Nga ana tjetër, zhvendosja e vëmendjes dhe burimeve të SHBA-së paraqet rreziqe. Stoqet e raketave mbrojtëse - veçanërisht për sisteme si Patriot - janë zvogëluar, duke kufizuar potencialisht dërgesat afatshkurtra për Ukrainën.

“Amerikanët kanë përdorur shumë nga rezervat e tyre”, tha ajo, duke shtuar se Ukraina vazhdon të eksplorojë alternativa, por përballet me sfida në prodhimin e sistemeve të krahasueshme brenda vendit.

Në të njëjtën kohë, ajo e nënvizoi atë që Kievi e sheh si një bashkërendim gjithnjë e më të madh mes kundërshtarëve të SHBA-së.

“Mendoj se lidhja mes kundërshtarëve nuk ka qenë kurrë më e qartë se tani”, tha ajo, duke përmendur bashkëpunimin mes Rusisë, Iranit, Kinës dhe Koresë së Veriut.

Sipas Hrytsenkos, Rusia tashmë po mbështet Iranin në mënyra që t’i prekë drejtpërdrejt interesat amerikane.

“Qeveria jonë thotë se Rusia po u jep të dhëna të inteligjencës iranianëve, duke ndikuar dhe duke i ndihmuar ata të vrasin amerikanë dhe izraelitë”, tha ajo.

Lufta dhe diplomacia, të ndërthurura

Në fushëbetejë, Ukraina vazhdon t’i baraspeshojë operacionet ushtarake me përpjekjet diplomatike.

Hrytsenko konfirmoi se Kievi po kërkon përfitime për të forcuar pozicionin e tij negociues, derisa po përshtatet me një luftë gjithnjë e më të mbizotëruar nga dronët.

“Tani për tani, gjithçka ka të bëjë më shumë me dronët”, tha ajo, duke theksuar rëndësinë në rritje të mbrojtjes ajrore në vijën e frontit.

Në të njëjtën kohë, Ukraina ka ndryshuar qasjen e saj të komunikimit, duke u përqendruar më pak në njoftimin paraprak të kundërofensivave dhe më shumë në befasitë operacionale.

“Ne po kalojmë nga thjesht të folurit për masa kundërofensive, drejt kryerjes së tyre”, tha ajo.

Pavarësisht luftimeve të vazhdueshme, ajo përsëriti se Ukraina mbetet e hapur për negociata, por në kushte të formësuara nga forca.

“Rusia kupton vetëm forcën”, tha ajo.

Mësime që duhet zbatuar

Për Institutin Snake Island, qëllimi i vizitës në Uashington nuk është vetëm të ndajë njohuri, por të ndikojë mënyrën se si ato zbatohen.

“Është një rrugë e gjatë nga thjesht leximi dhe njohja… deri te marrja e vendimeve”, tha Hrytsenko.

Ajo theksoi se bashkëpunimi duhet të shkojë përtej prokurimit dhe të përfshijë trajnimin dhe integrimin e sistemeve ukrainase në strukturat ushtarake amerikane.

“Nuk mjafton vetëm të blihen armë ukrainase”, tha ajo. “Trajnimi, mënyra se si i zbaton këto… është kyç”.

Kjo përfshin bashkëpunimin e vazhdueshëm në teknologjitë e dronëve, luftën elektronike dhe sistemet detare, disa prej të cilave tashmë po testohen në kuadër të bashkëpunimeve të përbashkëta.

Derisa SHBA-ja po përballet me kërcënime në rajone të shumta, zyrtarët ukrainas thonë se përvoja e tyre ofron një pamje paraprake të asaj se si duket lufta moderne dhe një argument për bashkëpunim më të thellë të ndërtuar mbi këtë përvojë.

Përgatiti: Ekrem Idrizi
XS
SM
MD
LG