Rusia dhe Lindja e Mesme në fokus të turneut evropian të Rubios

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të vizitojë Islandën, Greqinë dhe Portugalinë nga data 5 deri më 8 tetor, për bisedime mbi sigurinë, mbrojtjen, energjinë, bashkëpunimin ekonomik dhe teknologjinë.

Vizita zhvillohet në kohën kur vendet aleate të NATO-s po përballen me shqetësime në rritje për aktivitetin ushtarak të Rusisë dhe paqëndrueshmërinë e vazhdueshme në Lindjen e Mesme.

Rubio do ta nisë vizitën në Rejkjavik, ku pritet të diskutojë me zyrtarët islandezë për sigurinë në Arktik dhe bashkëpunimin ekonomik.

Më pas, ai do të udhëtojë në Athinë për Dialogun e gjashtë Strategjik SHBA-Greqi.

Në agjendë do të jenë bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, energjia, siguria rajonale, Ukraina dhe Lindja e Mesme.

Në Lisbonë, bisedimet e Rubios do të përqendrohen në mbrojtje, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim në fushën e teknologjisë, sipas njoftimit të Departamentit amerikan të Shtetit.

Tri ndalesat pasqyrojnë fusha të ndryshme të bashkëpunimit të SHBA-së me aleatët e NATO-s - nga roli i Islandës në sigurinë e Atlantikut të Veriut dhe Arktikut, te pozita e Greqisë në Mesdheun Lindor dhe rëndësia afatgjatë e Portugalisë për operacionet ushtarake amerikane në Atlantik.

SHIKONI EDHE:

Zelensky dhe Putin kërcënojnë me sulme të reja, ndërsa Rusia paralajmëron të huajt

Islanda: Siguria dhe Arktiku

Islanda nuk ka ushtri të përhershme, por prej kohësh bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n në fushën e sigurisë, për shkak të pozitës së saj strategjike në Atlantikun e Veriut.

Dy ish-ambasadorë amerikanë në Islandë, të cilët folën për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, thanë se Rubio mund të presë gatishmëri nga Rejkjaviku për thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

Megjithatë, sipas tyre, ai duhet t’i ketë parasysh edhe shqetësimet e një vendi që i kushton rëndësi të madhe pavarësisë së vet.

“Islandezët janë një popull jashtëzakonisht i pavarur”, tha njëri prej ish-ambasadorëve, duke shtuar se bashkëpunimi mes SHBA-së dhe Islandës në fushën e sigurisë ka vazhduar që nga pushtimi rus i Krimesë më 2014.

Robert Gerber, ish-diplomat amerikan që ka shërbyer në Ambasadën e SHBA-së në Islandë, tha se vizita e Rubios mund të shërbejë për të çuar përpara zotimet e diskutuara në një takim të vendeve të Arktikut, të mbajtur në shtator në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Në ato diskutime, partnerët e Arktikut u zotuan të merrnin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre dhe për mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Gerber përmendi edhe përvojën e tij në Islandë për të ilustruar shqetësimet e sigurisë me të cilat përballet vendi.

“Kur isha rregullisht në Islandë, avionë rusë, bombardues apo avionë të tjerë fluturonin drejt Islandës, silleshin rreth ishullit dhe pastaj ktheheshin, vetëm për të parë se sa shpejt do të ngriheshin avionët e NATO-s”, tha Gerber për Radion Evropa e Lirë.

“Kërcënimi atje është real dhe ekziston prej kohësh”, tha ai, duke shtuar se aktiviteti i nëndetëseve në rajon vazhdon të jetë gjithashtu shqetësim.

SHIKONI EDHE:

Ministri letonez i Mbrojtjes: Sulmet hibride të Rusisë janë shqetësimi kryesor, jo retorika bërthamore

Kontributi i Islandës në NATO ndryshon nga ai i aleatëve më të mëdhenj, sipas Gerberit.

Vendi strehon bazën ajrore Keflavik, ka ofruar mbështetje për Ukrainën dhe, përmes Rojës Bregdetare, ofron kapacitete detare dhe të kërkim-shpëtimit.

Gerber tha se mbrojtja e kabllove nënujore të telekomunikacionit që lidhin Amerikën e Veriut me Evropën mund të jetë një tjetër fushë, ku bashkëpunimi mund të zgjerohet.

Rusët në Arktik

“Ata, natyrisht, duhet të përforcohen dhe të mbrohen, sepse rusët po zhvillojnë lloj-lloj aktivitetesh në Arktik”, tha ai.

Sipas Gerberit, edhe Roja Bregdetare e Islandës, përfshirë anijet dhe helikopterët e saj, mund të luajë rol të rëndësishëm në rast të një krize në Arktik.

Gerber tha se nuk pret që Rubio ta bindë Islandën të bëjë ndonjë ndryshim të madh në shpenzimet për mbrojtjen.

“Ekonomia e Islandës është relativisht e vogël”, tha Gerber, duke shtuar se qasja e vendit ndaj sigurisë ndikohet edhe nga qëndrimi i tij i pavarur politik.

Eric Green, ish-zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, i cili ka shërbyer edhe si zëvendësshef i misionit diplomatik në Islandë, tha se zyrtarët islandezë do të kërkojnë gjithashtu garanci nga Uashingtoni.

“Është pozitive që sekretari Rubio po viziton vende të NATO-s”, tha Green për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se zyrtarët islandezë do të duan garanci se Uashingtoni nuk është më i interesuar të ngrejë pretendime ndaj Grenlandës, bazuar në ato që ai i quajti “akuza të pabaza”.

SHIKONI EDHE:

Trump thotë se SHBA-ja dhe Danimarka kanë arritur marrëveshje për Grenlandën

Green tha gjithashtu se Islanda, një mbështetëse e fuqishme e Ukrainës, do të mirëpriste sinjale se Uashingtoni synon të bëjë më shumë për të ndihmuar Ukrainën dhe Evropën, ndërsa Rusia vazhdon luftën e saj.

Arktiku është bërë një zonë e konkurrencës në rritje, pasi shkrirja e akullit po hap rrugë të reja detare dhe po shton interesimin për burimet e rajonit.

Ish-ambasadori tha se Rusia ka forcuar praninë e saj ushtarake përgjatë bregdetit të Arktikut, ndërsa Kina ka synuar të zgjerojë praninë e saj në Islandë përmes porteve, projekteve kërkimore dhe nismave të tjera.

Greqia: Mbrojtja, energjia dhe siguria rajonale

Në Athinë, Rubio do ta udhëheqë delegacionin amerikan në Dialogun e gjashtë Strategjik SHBA-Greqi, më 6 dhe 7 tetor.

Dialogu, i nisur më 2018, shërben si kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, energjisë dhe çështjeve të tjera.

Në bisedime pritet të diskutohet për objektet dhe mbështetjen që Greqia ofron në kuadër të Marrëveshjes për Bashkëpunim të Ndërsjellë në Mbrojtje, si dhe për zhvillimet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

Geoffrey Pyatt, ish-ndihmëssekretar amerikan i Shtetit për burimet energjetike dhe ish-ambasador i SHBA-së në Greqi dhe Ukrainë, tha se dialogu u krijua si një mënyrë për të çuar përpara bashkëpunimin dypalësh, pavarësisht marrëdhënieve të tjera në rajon.

“Kur e krijuam Dialogun Strategjik gjatë mandatit tim si ambasador, ideja ishte të krijonim një forum për të çuar përpara agjendën e gjerë të bashkëpunimit dypalësh, pavarësisht marrëdhënieve të tjera rajonale”, tha Pyatt për Radion Evropa e Lirë.

Ai tha se bashkëpunimi ushtarak, mundësitë në fushën e energjisë dhe lidhjet mes qytetarëve të të dyja vendeve, përfshirë arsimin dhe investimet, kanë mbetur të qëndrueshme si gjatë administratave republikane, ashtu edhe atyre demokrate.

SHIKONI EDHE:

SHBA-ja do që ta ndryshojë hartën energjetike të Ballkanit

Pyatt vuri në pah edhe përkushtimin e Greqisë ndaj lidhjeve të saj evropiane dhe transatlantike.

“Greqia mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj identitetit të saj evropian, përfshirë edhe përkushtimin e palëkundur ndaj marrëdhënieve transatlantike”, tha ai.

Ndalesa e fundit e Rubios do të jetë Lisbona, ku, sipas Departamentit të Shtetit, ai do të diskutojë me udhëheqësit portugezë për mbrojtjen, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin në fushën e teknologjisë.

Një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit të Portugalisë me SHBA-në në fushën e sigurisë lidhet me Ishujt Azore, ku baza ajrore Lajes shërben, prej kohësh, si pikë e rëndësishme logjistike dhe furnizimi me karburant për operacionet ushtarake amerikane në Atlantik.

Përgatiti: Valona Tela