Hulumtim i REL-it: Si kërkoi SBU-ja qasje në të dhënat e gjykatës kundër korrupsionit në Ukrainë

Fotografi ilustruese.

Më herët gjatë këtij viti, hetuesit nga Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) kërkuan qasje të plotë në sistemin për menaxhimin e dokumenteve të Gjykatës së Lartë Kundër Korrupsionit (HACC), një pjesë kyç e infrastrukturës kundër korrupsionit në Ukrainë që përmbyll një zinxhir nga hetimet dhe ndjekja penale deri te shpallja e fajësisë apo pafajësisë.

Disa organizata të shoqërisë civile, që monitorojnë transparencën e qeverisjes dhe rreziqet e korrupsionit në mesin e zyrtarëve dhe agjencive të zbatimit të ligjit, më vonë e cilësuan këtë veprim si pjesë e një serie sulmesh ndaj institucioneve kundër korrupsionit në Ukrainë. Në këtë shtet, qytetarët dhe aktivistët thonë se korrupsioni në nivelet e larta minon mbrojtjen e vendit kundër pushtimit në shkallë të plotë të nisur nga Rusia, që tashmë ka hyrë në vitin e pestë.

Seancat dëgjimore për kërkesën për qasje, të mbajtura në Gjykatën e Qarkut Shevçenkivskij u mbajtën të mbyllura për publikun, me kërkesë të një zyrtari të SBU-së, i cili u thirr në konfidencialitetin e hetimit. Ai kundërshtoi edhe praninë e aktivistëve të shoqërisë civile në seancat dëgjimore, duke pretenduar se ata mund ta dëmtonin hetimin.

Gjykatësi miratoi kërkesën që seancat të mbaheshin me dyer të mbyllura, por në fund e refuzoi kërkesën për qasje. Ndonëse u mohua qasja e gjerë në sistem, aktivistët thanë se kjo përpjekje nxori në pah një mënyrë të mundshme për të minuar pavarësinë e sistemit kryesor kundër korrupsionit në Ukrainë, të përbërë nga Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU), Zyra e Prokurorit të Posaçëm Kundër Korrupsionit (SAPO) dhe HACC-u.

Kjo ndodhi një vit pas protestave të mëdha, të mbajtura në qytete anembanë Ukrainës, të cilat e shtynë presidentin Volodymyr Zelensky, të tërheqë një ligj që e kishte nënshkruar dy ditë më herët. Kritikët në Ukrainë dhe në Perëndim thanë se ky ligj ua hiqte pavarësinë NABU-s dhe SAPO-s, si dhe do të zhbënte përparimin e arritur ndër vite në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

SHIKONI EDHE:

Ligji për agjencitë kundër korrupsionit nxit protesta në Ukrainë dhe kritika ndërkombëtareZelensky nënshkruan ligjin që kufizon pavarësinë e agjencive kundër korrupsionit

Një kapitull i ri i përplasjes mes SBU-s dhe institucioneve kundër korrupsionit është parë këtë javë, me publikimin e përgjimeve të NABU-s lidhur me aktivitete të dyshuara kriminale të zyrtarëve të SBU-s, mes të tjerëve, në kuadër të një hetimi të quajtur Operacioni Carthage. Më 5 nëntor, NABU njoftoi se kishte dorëzuar njoftime për dyshimet ndaj një zyrtari të lartë të SBU-s dhe dy zyrtarëve të Policisë Kombëtare si dhe për të dyshuar të tjerë.

Schemes, njësia hulumtuese e Shërbimit Ukrainas të Radios Evropa e Lirë, pati mundësi që të rishikojë tekstin e vendimit konfidencial të marrë më 26 gusht nga Gjykata e Qarkut Shevçenkivskij. Gazetarët analizuan se si përfaqësuesit e SBU-s e arsyetuan kërkesën e tyre për qasje të përkohshme dhe të plotë në bazën e të dhënave të HACC-ut, çfarë mund të ketë shërbyer si bazë formale për një hap të tillë, pse kërkesa mund të ketë qenë kaq gjithëpërfshirëse dhe kush e mbrojti atë në gjykatë.

Koha kur u paraqit kërkesa ngre pikëpyetje për motivet e përpjekjes për të siguruar një qasje kaq të gjerë në sistemin e menaxhimit të dokumenteve të gjykatës.

Dhe, sfondi i kësaj kërkese është i ndërlikuar.

Në fund të gushtit të vitit 2026, hetuesit e SBU-s po hetonin intensivisht për ndërhyrje të mundshme nga punonjësit e HACC-ut në bazën e të dhënave të kësaj gjykate, gjatë caktimit automatik të një çështjeje te një gjyqtar.

Çështja ka të bëjë me një skemë të dyshuar korrupsioni, që përfshinte shitjen nën çmimin e tregut të pronave të sekuestruara, të cilat i ishin besuar Agjencisë për Rikuperimin dhe Administrimin e Aseteve (ARMA). NABU-ja dhe SAPO-ja, të cilat e kanë trajtuar këtë çështje që nga viti 2019, thanë se kishin konstatuar dëme që tejkalojnë 440 milionë hrivnia (9.7 milionë dollarë).

Anton Yanchuk, Viktor Vyshnyov dhe Andriy Dovbenko.

Në mesin e 11 të pandehurve ishin ish-drejtuesi i ARMA-s, Anton Yanchuk, dhe Viktor Vyshnyov, ish-drejtor i SETAM-it, një ndërmarrje shtetërore e themeluar nga Ministria e Drejtësisë për organizimin e ankandeve transparente online të pronave të sekuestruara.

Hetuesit pretendojnë se pronat iu shitën “kompanive të kontrolluara me çmime të lira, përmes një platforme të kontrolluar tregtare” dhe kanë identifikuar avokatin Andriy Dovbenko si organizatorin e dyshuar të skemës. Termi “të kontrolluara”, në këtë rast nënkupton se kompanitë ishin nën kontrollin e të pandehurve ose të bashkëpunëtorëve të tyre.

Sipas përgjimeve të cituara gjatë seancave dëgjimore në këtë çështje, pjesëmarrësit në skemën e dyshuar i quanin asetet e përfshira “shashlik” – mish i pjekur në hell - teksa ankandet i përshkruanin si “pjekje të shashlikut”.

Në maj të vitit 2025, aktakuza iu dërgua HACC-ut, sistemi i automatizuar i menaxhimit të dokumenteve të së cilit e caktoi gjyqtarin e rastit vetëm në përpjekjen e dytë. Kjo nxiti lëvizjet që pasuan: një hetim të ri, ekzaminime ekspertësh, seanca dëgjimore dhe atë që aktivistët më vonë do ta cilësonin si sulm të SBU-s ndaj sistemit kundër korrupsionit.

Pothuajse një vit më vonë, në prill të vitit 2026, hetuesit e SBU-s nisën një hetim për ndërhyrje të mundshme në sistemin e HACC-ut. Ata kërkuan softuerin dhe që përkohësisht të kishin qasje të plotë në një kopje të bazës së të dhënave të gjykatës.

Softueri, i quajtur D-3, ruan, veç tjerash, dokumentet e dorëzuara në gjykatën kundër korrupsionit nga hetuesit e NABU-s dhe prokurorët e SAPO-s. Ai përmban materiale që duhet të mbeten të panjohura për këdo tjetër përveç hetuesve deri në momentin e fundit të lejuar, siç janë kërkesat për urdhërkontrolle dhe autorizimet për masa të tjera hetimore.

Pse SBU-ja u interesua papritur për caktimin e automatizuar të gjyqtarit në HACC në të ashtuquajturin rast Shashlik, shumë muaj pasi ai kishte ndodhur? Këtë pyetje e ngriti Vyshnyov, i pandehuri dhe ish-drejtori i SETAM-it.

Në fund të shkurtit të këtij viti, avokati i Vyshnyovit u ankua në SBU për atë që ai pretendoi se ishte ndërhyrje e mundshme në sistemin e caktimit të automatizuar të çështjeve nga stafi administrativ i HACC-ut, përfshirë edhe drejtuesin e tij.

Schemes verifikoi të dhënat në regjistrin publik të vendimeve gjyqësore, në përpjekje për të përcaktuar nëse stafi i kësaj gjykate e kishte manipuluar vërtet sistemin dhe nëse SBU-ja kishte të drejtë ta hetonte këtë çështje.

“S’ka bazë të mjaftueshme”

Një vendim i Gjykatës së Shevçenkivskijt, i datës 1 prill, tregon se pas ankesës së Vyshnyovit në SBU, ky institucion vendosi menjëherë se çështja nuk ishte në kompetencën e tij hetimore dhe ia përcolli atë Byrosë Shtetërore të Hetimeve (SBI). Edhe SBI-ja refuzoi të hapte një rast bazuar në ankesën e Vyshnyovit, duke iu referuar “mungesës së bazës së mjaftueshme” për nisjen e një hetimi paraprak.

Pothuajse 10 muaj pas caktimit të çështjes në maj të vitit 2025, Vyshnyov iu drejtua gjykatës, ku gjyqtari i procedurës paraprake, Vadym Kovtunenko, vendosi lidhur me mundësinë e nisjes së hetimeve.

Në vendimin e tij, Kovtunenko në fakt e detyroi SBU-n të hapte një rast, siç tregon regjistri. Gjyqtari nuk shqyrtoi se cili institucion kishte kompetencë për të hetuar veprën e pretenduar të punonjësve të HACC-ut. Ai vendosi se, meqenëse ankesa ishte paraqitur fillimisht në SBU, ishte pikërisht ky institucion që duhej të merrte një vendim procedural brenda 24 orëve nga pranimi i vendimit të gjykatës.

A kishte diçka në veprimet e punonjësve të gjykatës kundër korrupsionit që duhej të hetohej nga hetuesit e SBU-s? Vendimi i vetë HACC-ut, i datës 14 maj, për përjashtimin e gjyqtarit të caktuar fillimisht për çështjen ARMA/SETAM, hedh dritë mbi këtë çështje, duke vënë në pah problemet e pretenduara me sistemin e automatizuar të caktimit të rasteve.

Gjyqtari u tërhoq nga çështja për shkak të përfshirjes së mëparshme në një rast të lidhur me të.

“Në fakt, disa përpjekje të njëpasnjëshme për caktimin automatik të kësaj aktakuze u bënë brenda një dite, më 1 maj 2025, disa prej të cilave ishin të pasakta”, thuhet në vendimin prej 11 faqesh për tërheqjen e gjyqtarit. Në këtë vendim përshkruhen të gjitha përpjekjet për caktimin e rastit dhe tregohet se çështja ishte regjistruar vërtet disa herë në sistem.

Gjykata i përshkroi këto si “gabime teknike, të korrigjuara në përputhje me procedurën” – një shpjegim i dhënë nga stafi i gjykatës, të cilin gjyqtari e vlerësoi si “plotësisht logjik”.

Në përgjigje të një kërkese të Schemes për informacione shtesë, HACC-ja tha se kishte shqyrtuar veprimet për caktimin e çështjes atë ditë dhe kishte konstatuar se gabimet “ishin rezultat i gabimit njerëzor dhe nuk kishte tregues se ka pasur ndërhyrje në sistem”.

Në të njëjtën kohë, HACC-ja tha se këto ngjarje çuan në nisjen e procedurave disiplinore ndaj një specialisteje të lartë që kishte regjistruar dhe caktuar rastin. Më 30 maj 2025, komisioni disiplinor i gjykatës konstatoi se ajo kishte kryer shkelje disiplinore, “kryerje të papërshtatshme të detyrave zyrtare”. Më 9 qershor, asaj iu shqiptua vërejtje.

Pra, Vyshnyov u ankua për ngjarje që kishin ndodhur 10 muaj më parë, ndonëse gjyqtari, që kishte konflikt të mundshëm interesi – që cili u tërhoq nga çështja për shkak të përfshirjes së mëparshme në një rast të ndërlidhur – në fund nuk e kishte shqyrtuar çështjen e tij. Megjithatë, SBU-ja nisi hetimet, me sa duket për shkak se u detyrua nga vendimi i gjyqtarit Kovtunenko.

Vendimi konfidencial i gushtit të vitit 2026, të cilin e analizoi Schemes, tregon se pak më shumë se dy javë pas regjistrimit të procedurës në prill, hetuesit e SBU-s siguruan qasje në të dhënat e softuerit D-3, por vetëm në ato që kishin të bënin me caktimin e çështjes për të cilën ishte ankuar Vyshnyov.

Gjykata e Shevçenkivskijt e autorizoi këtë qasje të SBU-s dhe HACC-ja e zbatoi vendimin. Burime nga organet e zbatimit të ligjit i thanë Schemes se gjyqtarja Inna Romanyshena kishte nxjerrë urdhrin për qasje të kufizuar – i cili përfshinte qasje vetëm në ditën e përpjekjeve për caktimin e çështjes, më 1 maj 2025 – pa i thirrur palët në gjykatë.

Çështja mund të kishte përfunduar me kaq. Por, nuk ndodhi kështu, pasi SBU-ja kërkoi qasje më të gjerë.

Për të kuptuar nëse çështja ishte caktuar në mënyrë të rregullt, përfaqësuesit e agjencisë thanë në gjykatë se tani u duhej të nxirrnin kopje të të gjitha të dhënave të bazës së të dhënave D-3, nga 1 maji 2025 deri në datën e seancës gjyqësore, më 26 gusht 2026.

Përfaqësuesit e gjykatës kundër korrupsionit e kundërshtuan kërkesën, duke thënë se nxjerrja e një kopjeje të të gjithë bazës së të dhënave ishte “e tepruar” dhe do të çonte “në zbulimin e të dhënave që kanë të bëjnë me çështje të tjera gjyqësore, të cilat nuk janë objekt i hetimit paraprak”.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, Yulia Matvyeyeva, e cila shqyrtoi argumentet, e hodhi poshtë kërkesën e SBU-s për qasje në një vëllim shumë më të madh të të dhënave të HACC-ut. Ajo theksoi se hetuesit veçse kishin pasur qasje të kufizuar në prill, lidhur me një çështje konkrete, dhe deklaroi se kërkesa për marrjen e një kopjeje të të gjithë bazës së të dhënave nuk ishte e arsyetuar pse një gjë e tillë ishte e nevojshme.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake vlerëson se këto rrethana tejkalojnë objektin e hetimit penal dhe, për këtë arsye, e refuzon kërkesën”, thuhet në vendimin e Matvyeyevas.

Si rezultat, SBU-ja nuk siguroi qasje në të gjithë bazën e të dhënave të HACC-ut dhe rrjedhimisht, as në informacionet për hetimet e tjera të NABU-s dhe SAPO-s.

Duke pasur parasysh tensionet e gjera shoqërore në Ukrainë lidhur me korrupsionin gjatë kohës së luftës dhe një sërë rastesh të bujshme kundër korrupsionit që janë zhvilluar gjatë rreth 16 muajve të fundit, kjo gjë ngre një pyetje të rëndësishme: Çfarë kërkonte SBU-ja në bazën e të dhënave dhe çfarë mund të kishte parë aty?

Rastësi?

Faza aktive e hetimit të SBU-s për caktimin e automatizuar të një çështjeje të caktuar, e pasuar nga kërkesa për qasje në të dhënat e bazës së të dhënave të HACC-ut për një periudhë prej gati një viti e gjysmë, përkoi me hetime të tjera të NABU-s dhe SAPO-s, përfshirë hetimet e bujshme që këto agjenci i kanë koduar me emrat Midas, Forrest Gump, Themis dhe Carthage.

Në operacionin Carthage, NABU dhe SAPO hetuan, veç tjerash, nëse zyrtarë të Policisë Kombëtare dhe zyrtarë të lartë të SBU-s mund t’u kenë ofruar mbrojtje qendrave të thirrjeve dhe tregtisë së drogës, si dhe nëse kishin ndihmuar në gjurmimin e personave që më pas pretendohet se ishin torturuar.

Më 5 nëntor, NABU njoftoi për lëshimin e një njoftimi zyrtar për dyshime ndaj një zyrtari të lartë të SBU-s dhe katër personave të tjerë, të cilët ky institucion i akuzon për përfshirje në një grup kriminal që, siç ka thënë, drejtonte qendra të rreme të thirrjeve, shiste drogë dhe prodhonte valutë të huaj të falsifikuar.

SHIKONI EDHE:

Tensione politike në Ukrainë mes bastisjeve kundër korrupsionit dhe sfidës së Fedorovit

Një ditë para kësaj, kur agjencitë kundër korrupsionit publikuan përgjime të bisedave mes anëtarëve të dyshuar të grupit, SBU-ja njoftoi se drejtuesi i saj, Oleksandr Poklad, kishte shkarkuar dy zyrtarë të lartë të SBU-s, të përfshirë në hetim.

Schemes e ka pyetur SBU-në nëse ka pasur dijeni për aktivitetet e mundshme të paligjshme të personelit të saj përpara publikimit të përgjimeve, por nuk ka marrë përgjigje.

A ishin këto thjesht procese paralele që rastësisht përkuan? Koha e paraqitjes së kërkesës së SBU-s dhe rastet e hetuara nga agjencitë kundër korrupsionit përputhen si më poshtë:

  • 1 maj 2025: Në kërkesën e saj të gushtit të vitit 2026, SBU-ja kërkoi qasje të plotë, përfshirë të drejtën për të kopjuar të dhënat, në bazën e brendshme të të dhënave të sistemit të menaxhimit të dokumenteve të gjykatës kundër korrupsionit, për periudhën nga 1 maji 2025 deri në fund të gushtit 2026. Data e fillimit ishte dita kur dështuan përpjekjet për caktimin e automatizuar të çështjes ARMA/SETAM, por nuk është e qartë pse SBU-ja e caktoi si datë përfundimtare një datë shumë më të vonshme.
  • Nga maji 2025 deri në verën e vitit 2026: Fazat e fshehta të disa hetimeve të NABU-s dhe SAPO-s. Teksa hetuesit dhe prokurorët përgjonin fshehurazi bisedat e të dyshuarve për muaj të tërë, kryenin vëzhgime dhe dokumentonin veprimet e personave të përfshirë në operacione, përfshirë Midas, Forrest Gump dhe Themis, në bazën e të dhënave të gjykatës grumbulloheshin informacione për kontrollet dhe masat e tjera hetimore të autorizuara nga HACC-ja.
  • Mesi i vitit 2025: Sipas NABU-s dhe SAPO-s, zyrtari i Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Serhiy Kropyva, që në përgjigjet e NABU-s mbante nofkën “Kancelari”, krijoi dhe drejtoi një organizatë kriminale, anëtarët e së cilës dyshohet se krijuan një sistem të marrjes së rregullt të ryshfeteve në këmbim të mosndërhyrjes në aktivitetet e paligjshme të qendrave të thirrjeve, që dyshohet se kryenin mashtrime.
  • Korrik 2026: Sipas raportimeve të mediave, NABU-ja kreu një sërë kontrollesh në kuadër të një hetimi për blerjen e banesave në Bukovel, një qendër skijimi në Karpate, nga prokurorët. Përgjimet e publikuara nga byroja tregojnë se pas këtyre veprimeve hetimore në korrik, Kropyva dhe bashkëpunëtorët e tij filluan të diskutonin në mënyrë intensive se si t’ua transferonin personave të tjerë banesat luksoze dhe asetet e tjera. Kropyva i tha gjykatës se shprehjet, që u regjistruan, “nuk i përkasin” atij, se prona e përmendur nuk ishte e tij dhe se ai kishte “luftuar kundër së keqes gjithë jetën”.
  • Gusht 2026: Kulmi i çështjeve Themis dhe Forrest Gump. NABU dhe SAPO njoftuan publikisht rezultatet e operacioneve të tyre, kryen kontrolle në zyrën presidenciale – selinë e administratës së presidentit Volodymyr Zelensky – në rrugën Bankova në Kiev dhe u dorëzuan njoftime për dyshime zyrtare ndaj zyrtarëve të lartë. Në mesin e personave ndaj të cilëve u ngritën dyshime ishin ish-zëvendësshefja e zyrës së Presidencës, Iryna Mudra, e cila mohon çdo keqbërje dhe thotë se është përballur me presion përmes një “vendimi në sferën publike”; ish-deputeti Maksym Mykytas, i cili e cilëson rastin ndaj tij si “manipulim politik” dhe deputeti Vadym Stolar, i cili i mohon akuzat.

Serhiy Kropyva gjatë një seance gjyqësore në Kiev më 15 shtator.


Më 19 gusht, hetuesit publikuan detaje nga hetimi në rastin Forrest Gump, duke përshkruar një “grup të dyshuar kriminal” që kishte organizuar pastrimin e parave për të paguar garancinë pasurore për lirimin e ish-ministrit të Energjisë dhe Drejtësisë, Herman Halushchenko.

Sipas hetuesve, për këtë qëllim grupi përdori bankën shtetërore Sense Bank. Detajet e operacionit për rastin Themis u publikuan më 20 gusht, dhe aty u përshkrua se si i njëjti “grup kriminal” dyshohet se kishte organizuar marrjen me forcë të pronave dhe bizneseve në Kiev përmes praktikave të paligjshme të sekuestrimit të tyre.

Më 26 gusht, Gjykata Shevçenkivskij shqyrtoi kërkesën e SBU-s për të shkarkuar një kopje të sistemit të HACC-ut, që përfshinte periudhën nga 1 maji 2025 e tutje.

Çfarë thonë autoritetet?

Arsyetimi zyrtar i SBU-s ishte një ankesë për caktimin e parregullt të gjyqtarëve në një çështje tjetër, që nuk kishte lidhje me këto operacione të bujshme. Por, aktivistët e shoqërisë civile tërhoqën vëmendjen te shtrirja e jashtëzakonshme e kërkesës: shërbimi i sigurisë kërkoi një kopje të sistemit që përmbante të gjitha vendimet gjyqësore, kërkesat e hetuesve dhe autorizimet për kontrolle të fshehta, për të gjithë punën e gjykatës kundër korrupsionit gjatë një periudhe 16-mujore, pikërisht periudhën kur, veç tjerash, po hetoheshin rastet Forrest Gump dhe Themis.

Aktivistët ngritën dyshime se koha kur u paraqit kërkesa mund të mos ishte rastësi dhe se kërkesa e SBU-s mund të kishte qenë një përpjekje për të siguruar, pas përfundimit të veprimeve hetimore, materiale konfidenciale të hetimeve të NABU-s dhe për të mësuar më shumë rreth hetimeve të tjera jopublike që shënjestronin zyrtarë të lartë.

Për të kërkuar përgjigje për rastin, Schemes kërkoi komente nga të gjitha palët e përfshira: SBU, HACC, SBI dhe Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.

SBU-ja konfirmoi se në shkurt të vitit 2026 kishte pranuar një ankesë për shkelje të mundshme në HACC, por tha se çështja “nuk bën pjesë në kompetencën hetimore të hetuesve të SBU-s”, ndaj fillimisht ia përcolli atë SBI-së. Më pas, në përputhje me ankesën dhe vendimin e Gjykatës së Shevçenkivskijt, ajo e regjistroi rastin. SBU-ja tha se hetuesit e saj “e zhvillojnë hetimin derisa një prokuror t’ia caktojë kompetencën një organi tjetër”.

E pyetur nga Schemes për një ndryshim të mundshëm në kompetencat hetimore, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tha se po mbikëqyrë procedurën dhe se “kompetenca hetimore mbetet e pandryshuar”. Ajo konfirmoi se një prokuror ka miratuar kërkesën drejtuar gjykatës për qasje të përkohshme në bazën e të dhënave D-3, me qëllim të kryerjes së një ekzaminimi forenzik, por gjykata e kishte refuzuar atë. Duke iu referuar ligjit, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës refuzoi të japë hollësi të tjera për hetimin paraprak.

SHIKONI EDHE:

Zelensky kërkon shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës pas një skandali të ri

Ndaras, gazetarët e pyetën personin që u ankua, Vyshnyovin, pse i ishte drejtuar SBU-s lidhur me ndërhyrjen e pretenduar në sistemin e caktimit të automatizuar të lëndëve, pothuajse 10 muaj pas vetë caktimit të lëndës dhe shpjegimit të stafit të HACC për ato që i kishte cilësuar si gabime teknike. Në një bisedë telefonike me Schemes, ai tha se ekipi i tij mbrojtës kishte qenë në kontakt me HACC-un “prej një kohe”. Meqë “hetimet e brendshme të gjykatës nuk dhanë asnjë rezultat”, tha ai, ata “iu drejtuan institucioneve të tjera”.

Pyetjeve të tjera, Vyshnyov iu përgjigj me shkrim. Ai dhe ekipi i tij mbrojtës insistojnë se në këtu ka pasur ndërhyrje e jo gabime: çështja ishte caktuar tri herë, secilën herë me një numër të ndryshëm, ndërsa gabimet ishin korrigjuar me laps korrigjues, gjë që mund të tregojë për “një përpjekje për t'ia kaluar lëndën një gjyqtari të përzgjedhur paraprakisht”.

Ai tha se ekipi i tij e kishte ngritur çështjen e caktimit të lëndës në pranverën e vitit 2025, kishte dërguar kërkesa në HACC dhe në ndërmarrjen shtetërore Sistemet Gjyqësore të Informacionit, si dhe kishte kërkuar përjashtimin e gjyqtarit. Ai deklaroi se iu drejtuan organeve të rendit vetëm pasi kishin mbledhur të gjitha dokumentet.

I pyetur pse iu drejtuan pikërisht SBU-s, Vyshnyov tha se ky institucion “luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në garantimin e sigurisë shtetërore teksa është në fuqi vendimi për gjendje lufte” dhe se hetuesit e tij “kanë përvojë të mirë” në trajtimin e rasteve të tilla. Ai theksoi se çdo institucion është i detyruar ta regjistrojë një kallëzim dhe se prokurori mund ta ricaktojë më pas kompetencën për zhvillimin e hetimeve. Vyshnyov dhe avokatët e tij thanë se nuk dinë asgjë më shumë për statusin e rastit, përveç faktit se ai është ende duke u zhvilluar.

HACC refuzoi të komentojë mbi statusin e procedurës penale.

Kush janë hetuesit?

Duke kërkuar që të gjejë të dhëna për motivet e mundshme të SBU-s për paraqitjen e kërkesës për qasje të gjerë në HACC, Schemes ekzaminoi biografitë, lidhjet dhe pasuritë e dy zyrtarëve që u paraqitën në gjykatë.

Sipas vendimit të siguruar nga Schemes, kërkesa e gushtit drejtuar Gjykatës së Qarkut në Shevçenkivskij ishte përgatitur nga Vladyslav Burykin, 32 vjeç, hetues i lartë për raste me rëndësi të veçantë në Seksionin 3 të Departamentit të Hetimeve Paraprake të Drejtorisë Kryesore të Hetimeve të SBU-s. Zyrtari tjetër që u paraqit në gjykatë ishte eprori i tij, Oleksandr Vovnyuk, 37 vjeç, zëvendësshef i këtij seksioni.

Pasi që dy zyrtarët janë të përfshirë në procedura të tjera publike dhe mbiemrat e tyre figurojnë në regjistrin publik të gjykatave dhe në njoftimet për dyshimet e ngritura ndaj tyre, Schemes e REL-it vendosi që t’i identifikojë me emër e mbiemër.

Vladyslav Burykin.

Burykin ka lindur në Snizhne, qytet në rajonin e Donjeckut të pushuar nga Rusia që nga viti 2014. Sipas burimeve publike, ai më herët kishte punuar në Drejtorinë Kryesore të SBU-s për rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut, me seli në Mariupol. Më 2024, sipas të dhënave, ai mbante gradën major i drejtësisë.

Deklarimi i tij i pasurisë, sikurse edhe i zyrtarëve të tjerë të SBU-s, nuk është i qasshëm për publikun. Gazetarët zbuluan se Burykin kishte blerë një Audi Q5 të vitit 2017 në vitin 2025. Ai vazhdon ta përdorë këtë veturë dhe këtë vit është gjobitur për tejkalim të shpejtësisë në Kiev.

Gazetarët verifikuan gjithashtu rastet e tjera që Burykin kishte hetuar në SBU.

Në vitin 2021, në gjykatë u dorëzua një aktakuzë kundër një burri që kishte jetuar në Debaltseve, në Donjeck – që ishte nën pushtimin rus që nga maji i vitit 2015 deri në prill të vitit 2019 – dhe, sipas hetuesve, ai kishte mbështetur autoritetet pushtuese për “arsye ideologjike”.

Gazetarët gjetën një rast tjetër në regjistrin gjyqësor, në të cilin Burykin kishte shërbyer si hetues. Rasti kishte të bënte me një banor të Horllivkës, qytet nën kontrollin rus, i cili sipas hetimeve të SBU-s kishte mbështetur pushtimin rus të rajonit të Donjeckut, kishte siguruar dokumente ruse, kishte përkrahur agresionin ushtarak të Rusisë dhe kishte kandiduar për një post në pushtetin lokal. Në vitin 2024, Burykin i kishte dorëzuar banorit të Horlivkës një njoftim për dyshimin për “veprimtari kolaboracioniste”.

Duket se familjarët e Burykinit kanë mbetur në territoret e pushtuara nga Rusia dhe qëndrimet e tyre mund të gjurmohen përmes aktivitetit të tyre në rrjetet sociale. Në VKontakte, një rrjet social rus që është i ndaluar në Ukrainë, gazetarët gjetën një video të publikuar në maj të vitit 2023, ku motra e hetuesit të SBU-s shfaqet duke performuar e veshur me uniformë ushtarake sovjetike dhe duke kënduar një këngë për pilotët ushtarakë, teksa prapa saj shihen simbole që shpesh përdoren në përvjetorët rus të fitores në Luftën e Dytë Botërore.

Në një video tjetër, të publikuar në mars të vitit 2024, ajo këndon këngën “Ne kemi një atdhe” – këngë që i bën jehonë pretendimit të pasaktë të presidentit rus, Vladimir Putin, se rusët dhe ukrainasit janë “një popull i vetëm”. Ndërkaq, një video të vitit 2020, ajo pozon me një fjalor rus dhe shpreh admirim për “Rusinë e fuqishme”.

Në VKontakte, babai i Burykinit ka shprehur nostalgji për diktatorin sovjetik Josef Stalin dhe ka publikuar imazhe që evokojnë shovinizmin e ekstremit të djathtë rus, si dhe një video që flet për dallimin mes “bukës ruse të Pashkëve dhe Pashkëve fashiste të Rajhut të Parë”.

Përmes bazave të të dhënave që kanë rrjedhur në publik, Schemes konstatoi se pas fillimit të luftës në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022, familjarët e Burykinit i kishin zëvendësuar dokumentet e të ashtuquajturës “Republika Popullore e Donjeckut” me dokumente ruse, sikurse kanë bërë shumë banorë të tjetër të territoreve të pushtuara. Në vitin 2023, motra dhe prindërit e tij kishin marrë pasaporta të reja ruse, të cilat janë ende të vlefshme.

Snizhne, qytet nën okupimin rus në rajonin e Donjeckut.

Prova të tjera tregojnë se ata vazhdojnë të jetojnë në Snizhne, ku babai i Burykinit ka një biznes të vogël, i cili nga prilli deri në gusht kishte të hyra mujore prej 50.000 deri në 150.000 rublash (610 deri në 1.830 dollarë).

Ish-zyrtari i SBU-s, Ivan Stupak, ekspert në Institutin Ukrainas për të Ardhmen, me seli në Kiev, tha se “shumë njerëz kanë familjarë në territoret e pushtuara” dhe sugjeroi se fakti që dikush ka familjarë pro-rusë nuk përbën domosdoshmërish konflikt interesi.

“Por, rrethana të tilla patjetër duhet të verifikohen dhe zyrtari është dashur t’i deklaronte në një raport të brendshëm drejtuar Drejtorisë së Sigurisë së Brendshme, pa asnjë dyshim”, i tha ai njësisë hulumtuese, Schemes.

SBU-ja konfirmoi për Schemes se familja e Burykinit jeton në pjesën e pushtuar nga Rusia në rajonin e Donjeckut dhe se ai kishte njoftuar për këtë eprorët e tij, siç kërkohet, duke shtuar se, megjithatë ai “nuk mban kontakte me ta”.

Sipas Stupakut, në kuadër të procedurave të brendshme të verifikimit të SBU-s, departamenti përkatës duhet t’i vlerësojë rreziqet që lidhen me informacione të tilla, pavarësisht nëse ato raportohen nga vetë zyrtari apo sigurohen përmes kanaleve të tjera, përfshirë edhe për mundësinë e rekrutimit të tij.

“Rusët shumë shpesh përdorin këtë qasje: ata gjejnë njerëz në territorin tonë përmes familjarëve të tyre. U thonë: ‘gjaku nuk bëhet ujë’ dhe ‘atdheun nuk e zgjedh’, dhe përpiqen t’i sjellin në anën e tyre”, tha ai. “Prandaj, sigurisht që ekziston rreziku i rekrutimit dhe, në rrethana të tilla, si vetë zyrtarët, ashtu edhe eprorët e tyre duhet ta kenë vazhdimisht parasysh këtë”.

Burykin, të cilin Schemes e kontaktoi përmes telefonit, refuzoi të komentonte për familjen e tij. Ai po ashtu nuk pranoi të shpjegojë pse kishte kërkuar qasje në një kopje të bazës së të dhënave D-3 ose nëse shihte rreziqe për infrastrukturën kundër korrupsionit. Ai u thirr në “konfidencialitetin e hetimit paraprak” dhe tha se “nuk e kam kompetencën” për të komentuar për këtë çështje.

Makina dhe shtëpi

Në seancën e mbyllur të Gjykatës së Qarkut të Shevçenkivskijt, Vovnyuk e mbështeti kërkesën e paraqitur nga Burykin. Asnjëri prej tyre nuk dha ndonjë koment substancial lidhur me pjesëmarrjen e tyre në seancën dëgjimore.

Deklarimet e pasurisë së Vovnyukut po ashtu nuk janë të qasshme për publikun dhe ai nuk ka llogari publike në rrjetet sociale. Gazetarët u përpoqën të hulumtonin të kaluarën e tij dhe pasurinë e familjes përmes burimeve dhe regjistrave publikë, të cilët tregojnë se ai është me origjinë nga rajoni perëndimor i Rivnes dhe më parë kishte punuar në rajonin e Kirovohradit, në Ukrainën qendrore.

Oleksandr Vovnyuk.

Vovnyuk ka në pronësi një makinë Tesla, të cilën e kishte blerë në vitin 2025, dhe këtë verë u aksidentua me këtë makinë. Bashkëshortja e tij, ish-avokate, e bleu një Audi Q3 të vitit 2022 në tetor të vitit 2025.

Gazetarët nuk gjetën asnjë shtëpi apo objekt tjetër banimi në pronë të çiftit. Zyrtarisht, Vovnyuk ka vetëm një parcelë toke të regjistruar në emrin e tij, në periferi të Kievit, në të cilën nuk ka ndërtesa. Megjithatë, bazat e të dhënave ukrainase, që u publikuan në mënyrë të paautorizuar, treguan se ai dhe bashkëshortja e tij porositnin rregullisht mallra online gjatë viteve 2025-2026 dhe i merrnin ato në një pikë postare në një vend tjetër, në fshatin e pasur Kozin, afër Kievit. Kjo sugjeron se ata mund të jetojnë atje.

Schemes zbuloi disa prona në Kiev dhe në rajonin përreth, të regjistruara në emër të prindërve të hetuesit. Pavarësisht kësaj, ata mund të vazhdojnë të jetojnë në rajonin e Rivnes, siç sugjerojnë ndihmat sociale që nëna e tij kishte marrë rregullisht nga këshilli lokal gjatë viteve 2020-2023 dhe gjobat e trafikut që i ishin shqiptuar babait të tij dhe i kishte pranuar atje nga viti 2017 deri në vitin 2024.

Përveç pronave në rajonin e Rivnes, nëna e Vovnyukut ka në pronësi një shtëpi dhe një parcelë toke në rajonin e Kievit që nga viti 2025. Ajo figuron edhe si pronare e një banese në një kompleks banesor në lagjen Kurenivka të Kievit.

Edhe babai i Vovnyukut zotëron prona në kryeqytet: dy lokale afariste, madhësia e të cilave sugjeron se mund të përdoren si depo, si dhe një banesë në një kompleks banesor në lagjen Solomjanka.

Llogaridhënia financiare e zyrtarëve të SBU-s ka qenë për vite të tëra temë debati, pasi pasuria dhe shpenzimet e tyre janë sekrete për publikun.

“Duhet të rishqyrtojmë se deklarimet e kujt duhet të jenë larg syrit të publikut dhe nëse klasifikimi i tyre si të tilla është vërtet i justifikuar”, tha Kateryna Ryzhenko, zëvendësdrejtoreshë ekzekutive për çështje ligjore në Transparency International Ukraine.

Ajo i tha Schemes se verifikimi i deklarimeve është përgjegjësi e Agjencisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit (NACP), por për zyrtarët operativë zbatohen procedura të veçanta të raportimit për të ruajtur sekretin. Ndonëse verifikimet nuk janë eliminuar tërësisht, gjendja e luftës u mundëson disa pjesëtarëve të shtyjnë dorëzimin e deklarimeve, teksa të tjerët i dorëzojnë ato përmes sistemit të brendshëm të SBU-s. Kjo bën që mbikëqyrja nga NACP-ja të jetë më e varur nga informacionet e ofruara nga vetë shërbimi i sigurisë.

Edhe cilësia e monitorimit të stilit të jetesës ngre pikëpyetje. Për shembull, Ryzhenko tha se verifikimi i pasurisë së ish-shefit të Departamentit të Sigurisë Kibernetike të SBU-s, Illya Vityuk, nga NACP-ja, i cili nuk kishte gjetur mospërputhje, u kundërshtua më vonë nga një njoftim për dyshime i lëshuar nga NABU dhe SAPO lidhur me pasurimin të paligjshëm dhe deklarim të rremë të pasurisë.

Duke përdorur bazat e të dhënave ruse që doli në publik, gazetarët konstatuan po ashtu se prindërit e Vovnyukut kishin udhëtuar disa herë drejt Krimesë së pushtuar dhe Rusisë pas aneksimit të këtij gadishulli dhe fillimit të luftës në pranverën e vitit 2014.

Schemes e pyeti Vovnyukun për prejardhjen e pronave të familjes së tij. Ai tha se informacionet në regjistra “nuk përputhen me realitetin”, duke deklaruar se prindërit e tij nuk jetojnë në Kiev dhe nuk kanë prona të paluajtshme në kryeqytet ose në rajonin përreth. Vovnyuk nuk iu përgjigj pyetjeve shtesë për vendbanimin e tij të pretenduar në Kozyn apo për blerjen e një makine Tesla.

Prindërit e Vovnyukut kanë refuzuar që të komentojnë për gazetarët. E pyetur për pronën, nëna e tij sqaroi se kishte vetëm një pjesë të saj, por nuk dha hollësi të tjera dhe e ndërpreu bisedën. Ndërkohë, sipas Regjistrit Shtetëror të të Drejtave Pronësore mbi Pasurinë e Paluajtshme, deri në kohën e publikimit të këtij artikulli, pronat e paluajtshme në Kiev dhe në rajonin e Kievit figuronin të regjistruara në emër të të dy prindërve, ndërsa regjistri nuk përmbante asnjë informacion për ndarjen e pronës apo për kufizime të tjera mbi të.

SBU-ja konfirmoi se prindërit e Vovnyukut kishin udhëtuar drejt Krimesë dhe Rusisë dhe se ai e kishte njoftuar eprorin e tij për këtë, në përputhje me procedurat. Megjithatë, në përgjigjen e saj thuhet se Vovnyuk “nuk ka jetuar me prindërit dhe nuk ndan të njëjtën ekonomi familjare me ta që nga viti 2006” dhe se për këtë arsye nuk i përfshin pronat e tyre në deklarimin e tij të pasurisë.

Sipas burimeve të Schemes, dy zyrtarët e SBU-s ishin përfshirë edhe në veprime të tjera që përfshinin pjesëtarë të NABU-s dhe SAPO-s. Si Vovnyuk, ashtu edhe Burykin refuzuan t’u përgjigjeshin pyetjeve për kërkesën drejtuar Gjykatës së Qarkut Shevçenkivskit, duke thënë se “informacionet për hetimin paraprak jepen vetëm në përgjigje të kërkesave zyrtare”.

Në përgjigje të kërkesës së Schemes, SBU-ja refuzoi të komentonte më shumë për përmbajtjen e rastit, duke u thirrur në konfidencialitet të hetimit paraprak.