Senatorja amerikane Jeanne Shaheen, anëtare e rangut më të lartë të pakicës në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, e nisi të mërkurën një vizitë në Ballkanin Perëndimor në Bosnje e Hercegovinë, ku u shpall “Qytetare Nderi e Sarajevës”.
Ajo po e udhëheq një delegacion të Kongresit amerikan që gjatë vizitës do të qëndrojë edhe në Shqipëri, Mal të Zi, Kroaci dhe Kosovë.
Delegacioni, pjesë e të cilit është edhe senatori demokrat Dick Durbin, do të qëndrojë në rajon nga 6 deri më 13 tetor, thuhet në ueb-faqen e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan.
Nuk është e qartë se në cilën datë saktësisht do të jetë në Kosovë Shaheen.
Gjatë vizitës, Shaheen pritet të takohet me zyrtarë qeveritarë, pjesëtarë të personelit diplomatik amerikan, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të rinj udhëheqës, për të diskutuar sigurinë rajonale, institucionet demokratike, mundësitë ekonomike dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
Kjo është vizita e fundit e Shaheenit në kuadër të një delegacioni të Kongresit në cilësinë e anëtares së rangut më të lartë të pakicës në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit.
Nderimi në Sarajevë
Shaheen, senatorja nga radhët e demokratëve, u nderua me titullin “Qytetare Nderi e Qytetit të Sarajevës” për vitin 2025.
Sarajeva tha se Shaheenit iu dha kjo mirënjohje për angazhimin dhe mbështetjen shumëvjeçare që ajo e ka dhënë për Bosnje e Hercegovinën, si dhe për përpjekjet e saj për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Bosnjës dhe Shteteve të Bashkuara.
Në njoftim thuhet se Shaheen, gjatë veprimtarisë së saj politike, është angazhuar për ruajtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe prosperitetit të Bosnje e Hercegovinës, si dhe ka mbështetur synimet euroatlantike të këtij vendi ballkanik.
Shaheen e pranoi çmimin nga kryetari i Sarajevës, Samir Avdiq, gjatë një ceremonie në komunën e Sarajevës.
Senatorja amerikane Jeanne Shaheen flet pas pranimit të çmimit "Qytetare Nderi e Qytetit të Sarajevës", më 7 tetor 2026.
Gjatë veprimtarisë së saj politike, Shaheen e ka vizituar disa herë Bosnje e Hercegovinën.
Interesi i Rusisë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor
Shaheen, demokratja kryesore në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, prej kohësh paralajmëron për rreziqet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe angazhohet për një prani më të fuqishme të Shteteve të Bashkuara në rajon.
Sa i përket Bosnje e Hercegovinës, ajo ka theksuar disa herë mbështetjen për sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të saj, duke vlerësuar se vazhdimi i angazhimit amerikan dhe ndërkombëtar është i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit.
Në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih, në shkurt të këtij viti, ku udhëhoqi delegacionin e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan në një takim me anëtarin e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviq, dhe me përfaqësuesin e atëhershëm ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, ajo shprehu shqetësim për retorikën dhe veprimet separatiste të ish-presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik.
SHIKONI EDHE:
Dodik takon Putinin në Moskë pesë ditë para zgjedhjeve në BosnjeAjo kishte thënë se veprimet e Dodikut rrezikonin Marrëveshjen e Dejtonit për Paqe, si dhe stabilitetin rajonal.
Tetorin e kaluar, Shtetet e Bashkuara ua hoqën sanksionet amerikane Dodikut, si dhe anëtares së Presidencës së Bosnjës, Zhelka Cvijanoviq, dhe disa anëtarëve të familjes së Dodikut.
Shaheen tha në një intervistë për REL-in se Rusia ka interes për destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, të cilin Moska e sheh si “një front të dytë të mundshëm”.
Ajo tha gjithashtu se SHBA-ja duhet të sigurohet se Rusia e kupton se forcat amerikane në rajon “janë në gjendje të lartë gatishmërie dhe po e përcjellin atë që po ndodh”.
Duke folur për shqetësimet lidhur me mundësinë e një destabilizimi që do të përfshinte Bosnje e Hercegovinën, Kosovën dhe Serbinë, ajo tha se “bëhet fjalë për lidhjen e Serbisë dhe serbëve në (entitetin e Bosnjës) Republika Sërpska me Rusinë, si dhe për interesin rus për destabilizimin e rajonit”.
SHIKONI EDHE:
Jeanne Shaheen për Rusinë, Ballkanin dhe NATO-n: “Putin po tenton të na rraskapit딓Rusia e sheh këtë si një front të dytë të mundshëm dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ruajtur stabilitetin në rajon. Gjithashtu, duhet ta bëjmë të qartë se edhe ushtria jonë po e përcjell situatën me shumë kujdes”, tha Shaheen, e cila është edhe bashkëkryesuese e Grupit të Senatit për Mbikëqyrjen e NATO-s.
Duke përmendur se NATO-ja ka forca në Kosovë dhe se EUFOR-i ka mision në Bosnje, ajo theksoi: “Duhet të sigurohemi që rusët ta dinë se këto forca janë në gjendje të lartë gatishmërie dhe po e përcjellin atë që po ndodh”.
Shaheen tha se SHBA-ja duhet të garantojë frenimin e luftës hibride ruse kudo që është e mundur.
“Kjo nuk është vetëm në interes të Amerikës, por edhe në interes të aleatëve tanë evropianë”, shtoi ajo.
E pyetur për shqetësimet lidhur me aktivitetet e Rusisë përgjatë krahut lindor të aleancës së NATO-s, Shaheen tha se Rusia nuk po zhvillon luftë hibride vetëm në atë zonë dhe se Serbinë e përdor si “pikë kalimi”.