Retorika e Vuçiqit për Iranin: A po i rrezikon Serbia marrëdhëniet me SHBA-në?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendon se nuk mbështet asnjë palë në konfliktin e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin, por vlerëson se bëhet fjalë për përpjekje për marrjen e pushtetit në Teheran.

Ai e krahasoi operacionin ushtarak me bombardimin e Jugosllavisë nga NATO-ja në vitin 1999 dhe me përmbysjen e regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Serbi - gjë që e çoi këtë vend në izolim ndërkombëtar.

Sipas Vuçiqit, edhe atëherë, qëllimi ishte ndryshimi i regjimit në Serbi dhe arritja e pavarësisë së Kosovës.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar këto deklarata.

SHIKONI EDHE: Vuçiq e krahason situatën në Iran me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999

Marko Savkoviq, nga Qendra joqeveritare për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (ISAC) në Beograd, vlerëson se, aktualisht, qëndrimet e Beogradit dhe të Uashingtonit janë mjaft larg njëri-tjetrit.

“Nuk ka asnjë proces që mund t’i afrojë - sigurisht që nuk është Kosova, nuk është Bosnja dhe asgjë që po ndodh në rajon”, thotë Savkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai vëren se “interesat amerikane janë qartazi diku tjetër”.

“Ndoshta Beogradi mund të presë pak dhe të ndjekë politikën e Bashkimit Evropian për një kohë”, shton Savkoviq.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën më 28 shkurt sulmet ndaj Iranit, i cili u kundërpërgjigj duke goditur bazat ushtarake amerikane në vendet fqinje të Gjirit Persik.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se e ka urdhëruar operacionin për ta penguar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.

Ai tha se qëllim është edhe ndalimi i programit iranian të raketave balistike dhe ndërprerja e dhunës ndaj protestuesve kundër qeverisë - mijëra prej të cilëve u vranë javëve të fundit nga reagimi brutal i autoriteteve.

Në sulmet e SHBA-së dhe Izraelit u vranë edhe udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, dhe shumë zyrtarë të tjerë të sigurisë, ushtarakë dhe politikë.

SHIKONI EDHE: Serbia mes Iranit dhe Izraelit: Me kë është më afër?

Çfarë paralelesh tërhoqi Vuçiq?

Në fillim të operacionit SHBA-Izrael kundër Iranit, presidenti serb, Vuçiq, vlerësoi se gjithçka po ndodhte “sikurse në Serbi”.

“Na gënjyen gjatë gjithë kohës se bëhej fjalë për një katastrofë humanitare”, tha Vuçiq për Televizionin Informer më 28 shkurt.

Sipas tij, qëllimi i bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë në vitin 1999 ishte ndryshimi i regjimit në Beograd dhe arritja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, ashtu siç është tani “marrja e pushtetit në Iran” dhe “kthimi i vendit kah vlerat perëndimore”.

“Ata do ta shkatërrojnë plotësisht Khamenein dhe pastaj do të bëjnë një llogaritje ekonomike, që do t’i sjellë dobi fuqisë më të madhe në botë. Në këtë mënyrë, Trump arrin qëllimet e tij”, deklaroi Vuçiq.

Savkoviq thotë se kjo tingëllon si “deklaratë për përdorim të brendshëm”.

“Populli ynë është i ndjeshëm dhe sa herë që bëhet fjalë për fushata ajrore kundër ndonjë vendi, krahasimet me vitin 1999 janë të pashmangshme”, thotë ai.

NATO-ja ndërhyri në ish-Jugosllavi pas krimeve të forcave serbe kundër popullsisë shqiptare gjatë luftës në Kosovë, të cilat u vërtetuan edhe para Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë.

Pas bombardimeve të NATO-s, ushtria dhe policia serbe u tërhoqën nga Kosova, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Beogradi nuk e njeh ende.

SHIKONI EDHE: "Në Kosovë bëmë gjënë e duhur": Dita kur NATO-ja pushoi bombardimet

Regjimi i Millosheviqit u rrëzua pas demonstratave masive nga qytetarët më 5 tetor të vitit 2000.

Duke thënë se Serbia, si vend i vogël, është gjithmonë objekt i marrëveshjeve mes fuqive dhe se “gjithmonë do të jetë ashtu siç thonë amerikanët”, Vuçiq shtoi se asaj “i mbetet të nisë një dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe të marrë vendime të rëndësishme në raport me ta”.

Savkoviq nuk beson se deklaratat e Vuçiqit do t’i ndërlikojnë më tej marrëdhëniet midis Serbisë dhe SHBA-së.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi në gusht se dialogu i përbashkët strategjik me Serbinë do të mbahej më vonë në vitin 2025, por kjo nuk ndodhi.

Vuçiq pranoi së voni se marrëdhëniet me administratën Trump nuk janë duke u zhvilluar siç ka shpresuar Beogradi dhe se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk e ka ftuar Serbinë në Bordin e Paqes për Gazën.

Marrëdhëniet e Serbisë me Iranin

Beogradi zyrtar ka marrëdhënie miqësore me Iranin dhe vendet e tjera të përfshira në konfliktin në Lindjen e Mesme - kryesisht me Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Serbia është gjithmonë kundër sulmeve ndaj objektivave civile, pavarësisht se nga cila anë vijnë dhe pavarësisht se kush është viktimë”, tha ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, më 5 mars.

Ai, më herët, i dënoi edhe sulmet e Iranit ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve të Gjirit - Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Bahrejnit, Kuvajtit dhe Arabisë Saudite.

Në bisedat telefonike me udhëheqësit e diplomacive të këtyre vendeve, ai deklaroi se sulmet e tilla minojnë stabilitetin rajonal dhe kërcënojnë sigurinë ndërkombëtare.

Në paraqitjet në media, Gjuriq tha se Serbia duhet të qëndrojë pranë partnerëve të saj në parim - pa hyrë në analiza më të gjera të konfliktit.

SHIKONI EDHE: Tre emrat që mund ta udhëheqin Iranin pas Khameneit

E, një nga partnerët e saj është edhe Irani, i cili ka qenë nën sanksione ndërkombëtare për vite me radhë, për shkak të programit të tij bërthamor.

“Në Beograd nuk është folur shumë për natyrën e regjimit në Iran”, thotë Savkoviq.

Serbia, në shumë raste, nuk është harmonizuar me vendimet e Bashkimit Evropian për masa kufizuese ndaj Iranit, qoftë për shkak të aktiviteteve bërthamore, apo për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Irani mbështet Serbinë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.

Ndryshe nga bashkëpunimi politik, bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve është më modest.

Deri dje “Trumpi serb”, sot mbështetje për Iranin

Sulmet ndaj Iranit janë shoqëruar edhe me ndryshim të retorikës në tabloidët proqeveritarë në Serbi, të cilët kanë qenë simpatizues ndaj presidentit amerikan, Donald Trump.

Së voni kanë publikuar tituj si: “Po bie Donald Trump?!”, “Dështimi i planeve amerikane”, “Bombardim i egër, Amerika dhe Izraeli pa mëshirë po djegin gjithçka”.

“Edhe pse tabloidët në masë të madhe formësojnë mënyrën se si një pjesë e qytetarëve e shohin botën, mendoj se ndikimi i tyre në përcaktimin e drejtimit të politikës është shumë, shumë i kufizuar”, vlerëson Savkoviq.

Ndryshim toni është parë edhe te lideri i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, i dënuar nga Gjykata në Hagë për krime lufte.

Sheshel nënshkruan librin e ngushëllimeve në Ambasadën iraniane në Beograd, më 4 mars 2026.

Viteve të fundit, ai ka veshur shpesh një bluzë me imazhin e Donald Trumpit, por këtë javë është nënshkruar në librin e ngushëllimeve për vrasjen e Khameneit, në Ambasadën e Iranit në Beograd.

Khamenei në Beograd në vitin 1989

Ali Khamenei zhvilloi vizitën e fundit në Evropë në shkurt të vitit 1989, derisa ishte president i Iranit.

Ai vizitoi Bukureshtin dhe Beogradin.

Gjatë vizitës triditore në kryeqytetin e Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë atëkohë, ai u takua me presidentin e Presidencës së RSFJ-së, Raif Dizdareviq.

RSFJ-ja e atëhershme kishte marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunim ekonomik me Iranin, si pjesë e Lëvizjes së të Paangazhuarve.

Disa muaj pas vizitës në Beograd, Ali Khamenei pasoi Ruhollah Khomeinin si Ajatollah.

Pasi u bë udhëheqës suprem, ai nuk u largua më kurrë nga Irani.

Përgatiti: Valona Tela