Provinca e gjerë dhe e trazuar e Sistan-Baluçistanit, në juglindje të Iranit, përgjatë kufirit me Afganistanin dhe Pakistanin, është përfshirë nga një valë e përgjakshme dhune në javët e fundit.
Grupet e armatosura dhe forcat iraniane të sigurisë janë përleshur pothuajse çdo ditë në të gjithë provincën e varfër, ku prej dekadash zhvillohet një kryengritje e armatosur me intensitet të ulët.
Grupet separatiste dhe militantët islamistë në Sistan-Baluçistan, ku jeton pakica etnike e margjinalizuar e baluçëve në Iran, po i bashkërendojnë gjithnjë e më shumë përpjekjet për të sfiduar shtetin iranian, thonë ekspertët.
Intensifikimi i kryengritjes së armatosur shton presionin e sigurisë ndaj Iranit, i cili mbetet në luftë me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin dhe po përgatitet për mundësinë e rifillimit të operacioneve të mëdha luftarake amerikane.
“Sulmet e ripërtërira në Sistan-Baluçistan vijnë në një kohë kur Republika Islamike po përballet me presion të pashembullt ushtarak dhe ekonomik”, tha Hamidreza Azizi, analist i lartë për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, me seli në Bruksel.
SHIKONI EDHE:
"Vetëm të mbijetojmë": Inflacioni i lartë ua vështirëson jetën iranianëve“Ajo që e bën situatën më shqetësuese për Teheranin është mundësia që aktivitetet e armatosura lokale të bëhen pjesë e një sfide më të gjerë të sigurisë”, shtoi ai.
Varg sulmesh
Grupet e armatosura baluçe kanë marrë përgjegjësinë për një sërë sulmesh të shpejta e të befasishme, shpërthimesh vdekjeprurëse të bombave në rrugë dhe të shtënash me armë zjarri, që kanë shënjestruar Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), njësinë elitare të forcave të armatosura iraniane, forcën paramilitare Basixh dhe policinë lokale në të gjithë provincën gjatë javëve të fundit.
Më 14 tetor, një polic dhe një komandant lokal i Basixhit u vranë në sulme të ndara në qytetin Mehrestan, raportuan mediat iraniane.
Një ditë më parë, IRGC-ja njoftoi se një prej anëtarëve të saj ishte vrarë pasi një përpjekje për marrjen e pengjeve shkaktoi përleshje në Zahedan, kryeqytetin e provincës Sistan-Baluçistan. Po ashtu, më 13 tetor, në qytetin Taftan shpërthyen shkëmbime zjarri mes personave të armatosur dhe IRGC-së.
Në përgjigje, autoritetet kanë shtuar operacionet e sigurisë në provincë, përfshirë bastisjet parandaluese kundër celulave të dyshuara kryengritëse, duke nënvizuar kërcënimin në rritje.
Më 11 tetor, Irani ekzekutoi gjithashtu një militant të njohur baluç. Omar Dorostaran ishte dënuar për rebelim të armatosur, anëtarësi në një grup terrorist dhe bashkëpunim në një kryengritje të armatosur.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, pretendoi më 12 tetor se “grupet terroriste” që veprojnë në këtë zonë po zbatonin “plane të hartuara nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara për të destabilizuar kufijtë e vendit”.
Azizi, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, tha se zyrtarët iranianë druhen gjithnjë e më shumë se kundërshtarët e tyre mund të përpiqen të shfrytëzojnë pakënaqësitë ekzistuese etnike dhe politike për të hapur fronte të reja brenda vendit.
“Teherani duket i vendosur të parandalojë që një problem i kahershëm i sigurisë të shndërrohet në një dobësi më serioze në rast të një lufte të re të mundshme”, tha ai.
Sistan-Baluçistani, provinca e dytë më e madhe e Iranit, me një sipërfaqe afërsisht sa ajo e Sirisë, ka rëndësi të veçantë strategjike dhe është veçanërisht e ndjeshme.
Ajo kufizohet me Afganistanin, që drejtohet nga talebanët, dhe me provincën Baluçistan të Pakistanit, ku po ashtu zhvillohet prej dekadash një kryengritje e armatosur.
Në Sistan-Baluçistan ndodhet edhe Çabahari, porti i vetëm i Iranit me dalje të drejtpërdrejtë në oqeanin e hapur. Ai i mundëson Iranit të anashkalojë Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe e tensioneve në luftën me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Bashkimi i militantëve
Në dhjetor të vitit 2025, katër grupe të veçanta të armatosura baluçe u bashkuan nën Frontin Popullor Mobarizoun, duke sinjalizuar një bashkërendim më të ngushtë mes fraksioneve militante.
Koalicioni përfshin Jaish al-Adl, një grup militant separatist baluç, të cilin Irani dhe Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste.
Jaish al-Adl, që besohet se vepron nga Pakistani, është grupi më i fuqishëm i armatosur baluç që lufton kundër Teheranit. Irani i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se e armatosin këtë grup.
SHIKONI EDHE:
Kush është Jaish Al-Adl, grupi separatist që po i sulmon forcat iraniane?“Qeveria iraniane po përballet aktualisht me presione të shumta, brenda dhe jashtë vendit, dhe është e natyrshme që grupet e armatosura të kenë arritur në përfundimin se u është krijuar një mundësi e mirë për të zgjeruar operacionet e tyre”, tha Fatemeh Aman, analiste për Iranin me bazë në Shtetet e Bashkuara.
“Nëse këto sulme bëhen të bashkërenduara, të qëndrueshme dhe të vazhdueshme, ato mund të përbëjnë një sfidë më serioze për sigurinë e qeverisë”, tha Aman për Radion Farda, shërbim në gjuhën persiane i Radios Evropa e Lirë.
Ekspertët thonë se grupet e armatosura po shfrytëzojnë pakënaqësitë e kahershme të pakicës baluçe, shumë prej anëtarëve të së cilës janë myslimanë sunitë, në një Iran me shumicë shiite. Kjo pakicë është përballur prej kohësh me diskriminim dhe dhunë joproporcionale nga autoritetet.
Baluçët përbëjnë rreth 5 për qind të popullsisë së Iranit, prej afërsisht 90 milionë banorësh. Megjithatë, ata përbëjnë rreth 20 për qind të të gjitha ekzekutimeve në vend.
Gjatë protestave mbarëkombëtare kundër establishmentit, që tronditën Iranin në vitin 2022, Sistan-Baluçistani u bë skenë e shtypjes më vdekjeprurëse nga qeveria. Më 30 shtator të atij viti, në atë që njihet si “E Premtja e Përgjakshme”, gati 100 protestues u vranë nga të shtënat me armë zjarri.
Varfëria, diskriminimi fetar dhe etnik, si dhe mungesa e përfaqësimit politik, “kanë krijuar bazën për pakënaqësi të thellë në provincë”, tha Aman.
“Qasja e qeverisë, e mbështetur kryesisht te masat e sigurisë për t’iu përgjigjur kërkesave të popullit baluç, ka kontribuar gjithashtu në përhapjen e kësaj mosbesueshmërie”, shtoi ajo.