Policia shqiptare e ka arrestuar edhe një biznesmen tjetër të dyshuar në rastin për mashtrime me tenderë publik, bënë të ditur autoritetet.
Policia njoftoi se Ergys Agasi u arrestua të mërkurën vonë ndërsa po udhëtonte me një automjet në zonën e Durrësit.
Ndërsa, SPAK bëri të ditur se Agasi po shoqërohej nga një ish-punonjës policie, i cili u arrestua gjithashtu për “përkrahje të autorit të krimit”.
Agasi ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme, apo SPAK, rreth tetë muaj më parë.
Ai është një prej të dyshuarve nën hetimet që SPAK-u po i kryen lidhur me dyshime për një grup të strukturuar kriminal dhe për mashtrime me tenderët publikë.
Në të njëjtën çështje është nën hetim edhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i cili u arrestua pak javë më parë në Francë.
SHIKONI EDHE:
Arrestohet në Francë biznesmeni shqiptar, i kërkuar nga SPAK-uHetimet e SPAK-ut për këtë çështje kanë përfshirë disa zyrtarë dhe biznesmenë.
Gjykata ka vendosur masa sigurie edhe ndaj zyrtarëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Ish-drejtoresha e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj, është vendosur në arrest shtëpiak, ndërsa zëvendësja e saj është lënë në masën e detyrimit për paraqitje në stacion policor.
AKSHI-ja është institucioni qendror që administron dhe zhvillon infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Qeverisë shqiptare.
Në njoftimin dhjetorin e kaluar, SPAK-u theksonte se ndaj Ergys Agasit kishte dyshime për disa vepra penale, mes tyre konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë ose ankande publike, grup të strukturuar kriminal, kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, si dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
SPAK-u dyshon se Agasi dhe Beqiraj, përmes trysnisë dhe shantazhit, kishin detyruar një biznesmen të tërhiqej nga ankimimet për disa procedura tenderimi.
SHIKONI EDHE:
SPAK i kërkon Parisit sekuestrimin e pasurive të biznesmenit shqiptar të arrestuar në FrancëNë kuadër të këtij hetimi, me urdhër të SPAK janë sekuestruar 52 pasuri dhe llogari bankare me vlerë mbi 40 milionë euro. Pasuritë lidhen me Mirlinda Karçanajn, Ergys Agasin, Ermal Beqirin dhe persona të tjerë.
Mes pasurive të sekuestruara janë banesa në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, troje, sipërfaqe toke, llogari bankare dhe një jaht.
Pas arrestimit të Beqirit në Francë, Prokuroria e Posaçme shqiptare u ka kërkuar autoriteteve franceze edhe sekuestrimin e pasurive të biznesmenit shqiptar.