Shteti në skenë: Si përfunduan 4 milionë euro për koncertin e Kanye West në Tiranë?

Reperi amerikan, Kanye West.

Nga një koncert privat në një çështje shteti.

Koncerti i reperit amerikan, Kanye West, i planifikuar për 11 korrik në Tiranë, u prezantua fillimisht si një organizim privat.

Por, vetëm pak ditë para mbajtjes së tij, ai u shndërrua në një çështje shtetërore.

Më 6 korrik, Qeveria e Shqipërisë miratoi një Akt Normativ që i hap rrugë financimit të koncertit me rreth 4 milionë euro nga fondi rezervë i buxhetit.

Vendimi u botua menjëherë në Fletoren Zyrtare dhe hyri në fuqi po atë ditë.

Qeveria argumentoi se ndërhyrja ishte e domosdoshme për të shmangur anulimin e koncertit dhe humbjen e përfitimeve ekonomike e turistike që, sipas saj, pritet t’i sjellë Shqipërisë.

Megjithatë, ajo nuk tha se çfarë e vuri koncertin në rrezik të dështimit dhe për çfarë konkretisht do të përdoren rreth 4 milionë euro.

Radio Evropa e Lirë i kërkoi sqarime Ministrisë së Kulturës për këto çështje, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

REL-i kontaktoi edhe kompaninë shqiptare RedCloud, e cila ka marrë përsipër organizimin e koncertit, por as prej saj nuk mori përgjigje.

Një ditë pas miratimit të Aktit Normativ, kryeministri Edi Rama mbrojti vendimin, duke thënë se shteti ishte i detyruar të ndërhynte për të shmangur anulimin e një eventi që, sipas tij, do t'i sjellë vendit përfitime të konsiderueshme ekonomike dhe promovuese.

Vendimi ka ndarë opinionin publik.

Derisa Qeveria e paraqet financimin si një investim në turizëm dhe imazhin e Shqipërisë, opozita dhe përfaqësues të shoqërisë civile e konsiderojnë si një përdorim të pajustifikuar të fondeve publike dhe vënë në pikëpyetje bazën ligjore të ndërhyrjes.

Debati zhvillohet në një kohë kur kryeministri Rama po përballet prej javësh me protesta, të cilat janë fokusuar, mes tjerash, në akuzat për keqmenaxhim të fondeve publike dhe korrupsion.

Pse Qeveria vendosi të ndërhynte?

Sipas kryeministrit Rama, koncerti nuk është vetëm një aktivitet muzikor, por një investim me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi dhe turizëm.

Ai tha se rreth 25 mijë persona nga më shumë se 80 vende kanë blerë bileta për koncertin dhe se anulimi i tij do të dëmtonte jo vetëm bizneset lokale, por edhe imazhin e Shqipërisë si destinacion për evente ndërkombëtare.

“Evente të tilla janë investime për një Shqipëri tjetër, që nuk kthehet mbrapa. Llogarisim jo më pak se 100 milionë euro të ardhura”, tha Rama në një mesazh të publikuar në Facebook.

Edhe relacioni që shoqëron Aktin Normativ e mbështet këtë argument.

Sipas tij, mbështetja financiare ishte e nevojshme për të mbrojtur interesin publik, pasi koncerti pritet të sjellë përfitime ekonomike, turistike, kulturore dhe promovuese, ndërsa dështimi i tij do të kishte pasoja më të mëdha sesa kostoja e financimit.

Në dokument thuhet se organizatorët e njoftuan Qeverinë vetëm më 3 korrik se koncerti rrezikonte të anulohej, por nuk jepen detaje për arsyet.

Me eventin të planifikuar vetëm tetë ditë më vonë, Qeveria tha se nuk kishte kohë të ndiqte procedurat e zakonshme parlamentare dhe, për këtë arsye, vendosi të ndërhynte përmes një Akti Normativ.

A justifikohet financimi me para publike?

Thelbi i argumentit të Qeverisë është se koncerti nuk duhet parë vetëm si një aktivitet artistik, por si një investim që pritet të sjellë përfitime ekonomike për vendin.

Opozita dhe ekspertë të turizmit e kundërshtojnë këtë logjikë, duke thënë se ndikimi ekonomik i një eventi të vetëm nuk mund të justifikojë përdorimin e fondit rezervë të buxhetit.

Për deputeten demokrate, Ina Zhupa, vendimi rrezikon t’i bëjë më shumë dëm sesa dobi imazhit të Shqipërisë.

“Ky turizëm njëditor me çantë në krah nuk do t’i sillte ndonjë përfitim të madh vendit. Nuk janë dëmtuar në turizëm shtete si Franca, Italia, Zvicra, Australia, Mbretëria e Bashkuar apo SHBA-ja, që kanë anuluar koncertet e Kanye West për shkak të retorikës së tij antisemitike. Prandaj, ky argument nuk qëndron”, thotë Zhupa për Radion Evropa e Lirë.

Në të njëjtën linjë është edhe ekspertja e turizmit, Flora Xhemani Baba.

Sipas saj, zhvillimi i turizmit nuk varet nga organizimi i një koncerti të vetëm, por nga investimet afatgjata në infrastrukturë, shërbime dhe cilësi të ofertës turistike.

“Një turist nuk zgjedh një vend vetëm për një koncert. Ai zgjedh një destinacion sepse i ofron një përvojë të plotë. Një event mund të ndihmojë në promovimin e vendit, por nuk zëvendëson politikat që e bëjnë një turist të vijë, të qëndrojë më gjatë dhe të rikthehet”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Për Xhemani Babën, përdorimi i parave publike për një aktivitet të tillë krijon edhe një precedent të rrezikshëm.

“Qeveria po përdor para nga fondi rezervë, i cili nuk është zhbllokuar as pas tërmetit dhe as gjatë përmbytjeve. Sot, praktikisht, çdo shqiptar paguan për një koncert, pavarësisht nëse do të marrë pjesë apo jo”, thotë ajo.

Kanye West duke performuar në Stamboll më 30 maj 2026.

Debati shtrihet edhe te ligjshmëria e vendimit

Polemikat nuk lidhen vetëm me shumën prej 4 milionë eurosh, por edhe me mënyrën se si u miratua financimi.

Qeveria e mbështeti vendimin në nenin 101 të Kushtetutës, i cili i lejon Këshillit të Ministrave të nxjerrë akte normative me fuqinë e ligjit në raste nevoje dhe urgjence.

Sipas Kushtetutës, këto akte duhet t’i dërgohen menjëherë Kuvendit për shqyrtim.

Derisa Qeveria tha se urgjenca lidhej me rrezikun e anulimit të koncertit dhe me mungesën e kohës për të ndjekur procedurat e zakonshme ligjore, për opozitën këto argumente nuk qëndrojnë.

Zhupa e quan vendimin antikushtetues dhe thotë se fondi rezervë duhet të përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme që lidhen me interesin jetik të qytetarëve.

“Një vendim i tillë merret për çështje urgjence dhe nevoje të qytetarëve, jo për dëshirat e kryeministrit. Shqipëria ka nevoja të jashtëzakonshme: zjarre, përmbytje, mungesë ilaçesh në spitale, shkolla që ende ngrohen me dru. Në këto kushte, 4 milionë euro nuk mund të shkojnë për një koncert”, thotë ajo.

Përgatitjet vazhdojnë

Pavarësisht debatit politik dhe publik, përgatitjet për koncertin e Kanye West kanë hyrë në fazën përfundimtare.

Në Kashar, përgjatë aksit Tiranë-Durrës, po ndërtohet një stadium i përkohshëm me kapacitet prej rreth 60 mijë spektatorësh.

Sipas Qeverisë, në ndërtimin e tij janë angazhuar rreth 3.500 punonjës, ndërsa punimet kanë vijuar pa ndërprerje në ditët e fundit.

Struktura modulare, e quajtur “Eagle Stadium”, është ndërtuar posaçërisht për koncertin dhe pritet të çmontohet menjëherë pas përfundimit të tij.

Biletat shiten përmes një platforme online, me çmime që variojnë nga 177 deri në 339 euro.

Policia duke ofruar siguri në afërsi të stadiumit në Tbilisi ku Kanye West mbajti koncert më 12 qershor 2026.

Deri në publikimin e këtij artikulli, në platformë vazhdonin të ishin të disponueshme kategori të ndryshme biletash, ndërsa organizatorët nuk kanë bërë publik numrin e biletave të shitura.

Në ditët e fundit janë shtuar edhe pretendimet për mënyrën se si po tentohet të rritet pjesëmarrja në koncert.

Opozita ka akuzuar Qeverinë se po ushtron presion mbi administratën publike dhe shkollat për të siguruar pjesëmarrës, ndërsa në rrjetet sociale kanë qarkulluar mesazhe ku mësuesve u kërkohet të shoqërojnë nxënës me rezultate të larta, si dhe pretendime për organizimin e lotarive me bileta falas në institucione të ndryshme.

Sipas relacionit që shoqëron Aktin Normativ, organizatori ka shprehur gatishmërinë të sigurojë bileta falas për kategori të caktuara, përfshirë familjet në nevojë, personat me aftësi të kufizuara dhe fëmijët dhe të rinjtë në kujdes institucional.

Qeveria tha se kjo synon t'i japë koncertit edhe një dimension social, përtej ndikimit ekonomik dhe turistik.

Pse Kanye West është figurë kontroverse?

Kanye West vlerësohet se është një nga artistët më me ndikim në muzikën moderne.

Debati për koncertin në Shqipëri nuk lidhet vetëm me financimin e tij.

Kanye West, i njohur edhe me emrin Ye, konsiderohet një nga artistët më me ndikim në muzikën moderne, por, viteve të fundit, është bërë një nga figurat më të debatueshme në industrinë muzikore.

Deklaratat e tij antisemitike, lavdërimet publike për Adolf Hitlerin dhe publikimi i këngës “Heil Hitler” kanë shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare.

Për shkak të këtyre qëndrimeve, disa koncerte dhe bashkëpunime me të janë anuluar ose refuzuar, ndërsa autoritetet dhe organizatorët në vende të ndryshme kanë shprehur shqetësime për gjuhën e urrejtjes dhe ndikimin publik të deklaratave të tij.

Reagime të tilla janë raportuar në Gjermani, Zvicër, Poloni, Francë, Itali, Mbretëri të Bashkuar dhe Australi.