"Kërcënim për sigurinë": Ikballe Hudutit i ndalohet hyrja për 15 vjet në Shqipëri

Protestues në kryeqytetin shqiptar Tiranë, më 21 qershor. Huduti ishte parë në njërën prej protestave të këtij muaji kundër Qeverisë shqiptare.

Shqipëria ia ka ndaluar të enjten hyrjen në vend për 15 vjet predikueses fetare nga Kosova, Ikballe Huduti - e njohur për qëndrimet e saj pro Iranit dhe kundër Shteteve të Bashkuara – duke e akuzuar si “kërcënim për sigurinë e vendit”, pasi ajo ishte parë në protestat e këtij muaji në Tiranë.

Huduti mori pjesë në një prej protestave që po zhvillohen në kryeqytetin shqiptar tash e 25 ditë kundër ndërtimit të një resorti në një zonë të mbrojtur në jug të Shqipërisë, i cili lidhet me kompaninë e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump.

Ajo e postoi në kanalin e vet në YouTube një video nga pjesëmarrja e saj në ditën e 15-të të protestës në Tiranë.

Në një reagim në Facebook, kryeministri shqiptar, Edi Rama, e cilësoi Hudutin si një prej përfituesve të kësaj proteste, duke theksuar se ajo “predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës”.

Burimet bënë të ditur për Radio Evropa e Lirë se vendimi për t’i ndaluar hyrjen Hudutit është marrë pasi “veprimtaria e saj vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike”.

Urdhri u nënshkrua nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dhe u është përcjellë Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit për zbatim të menjëhershëm.

SHIKONI EDHE:

"Revolucioni i Flamingove" përplas Ramën me Iranin

Rama shkroi se figura të tilla si Huduti “në emër të fesë predikojnë urrejtje, nxisin përplasje dhe përpiqen të shfrytëzojnë kauza mjedisore për qëllime politike dhe ideologjike”.

Ai publikoi gjithashtu fotografi ku Huduti shfaqej pranë ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinejad.

Në një reagim në Facebook drejtuar kryeministrit Rama, Huduti tha se dalja e saj në protestë “nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare”.

Ajo tha se nuk del në protestë “nga urrejtja ndaj askujt”, por “nga dashuria për popullin tim” dhe nga bindja se çdo qytetar ka të drejtë të ngrejë zërin kur mendon se po cenohet interesi publik.

“Nuk kërkoj armiqësi me askënd. Kërkoj paqe me drejtësi, dialog me respekt dhe një Shqipëri më të mirë për të gjithë”, shkroi ajo.

Huduti është predikuese fetare nga Kosova, e njohur për përkatësinë e saj në komunitetin shiit. Ajo njihet për qëndrimet publike në mbështetje të figurave dhe politikave të Republikës Islamike të Iranit.

Në këtë fotografi të publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve, IQNA, shihet Ikballe Huduti pranë ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinehad, në Iran.

Ajo ishte arrestuar më 2020 nga autoritetet kosovare pas publikimeve të saj në rrjetet sociale në mbështetje të gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, i cili ishte nga një sulm amerikan me dron në Irak atë vit.

Ajo u akuzua për shtytjen e veprave terroriste në Kosovë, por u lirua më vonë nga akuzat në mungesë të provave.

SHIKONI EDHE:

Gjykata Themelore në Prishtinë liron nga akuzat për terrorizëm, Ikballe Hudutin

Ndërkohë, ky është rasti i dytë në pak ditë që kryeministri Rama përmend pjesëmarrës në protestë për lidhje me Iranin.

Dy ditë më parë, Dritan Goxhaj, i cili lexoi pesë kërkesat e protestuesve për Qeverinë, u quajt nga Rama si “zëdhënës i interesave të Iranit”.

Rama publikoi në Facebook pjesë nga postime të një llogarie që mban emrin dhe fotografinë e Goxhajt, ku janë publikuar postime me qëndrime të ashpra kundër politikave të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në Lindjen e Mesme, si dhe me tone mbështetëse ndaj Iranit dhe Hezbollahut, të cilin një postim e përshkruan si “rezistencë të armatosur”.

Hezbollah është grup militant dhe parti politike që kontrollon një pjesë të madhe të Libanit jugor. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë krahun e tij të armatosur.

SHIKONI EDHE:

Protestuesit në Shqipëri dalin me pesë kërkesa, por vëmendja zhvendoset te personi që i lexoi ato

Rama i ka paraqitur protesta e tanishme kundër Qeverisë së tij dhe ndërtimit të resortit në Zvërnec jo si revoltë spontane qytetare, por si të nxitur nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, si dhe nga dezinformimi.

Ai ka folur për “luftë hibride”, duke përmendur fillimisht ndikime nga Greqia dhe Irani, më pas propagandë të shpërndarë nga blogerë dhe rrjete sociale, si edhe pjesëmarrje të personave nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Më 20 qershor, Rama tha se vëmendja ndërkombëtare për Zvërnecin nuk lidhet me mbrojtjen e natyrës, por me përfshirjen në projekt të Jared Kushnerit dhe lidhjen e tij familjare me presidentin amerikan, Donald Trump.

Gjatë protestës më 21 qershor, një vajzë e hoqi flamurin izraelit në Ambasadën e Izraelit në Tiranë dhe e grisi atë gjatë kohës kur protestues të shumtë po marshonin në rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë.

SHIKONI EDHE:

Rama: Bota nuk reagoi për Nartën, por kundër Kushnerit dhe Trumpit

Protestat në Tiranë, Vlorë dhe qytete të tjera të Shqipërisë kundër punimeve për një resort në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë, mes shqetësimeve për ndikimin në mjedis dhe hetimeve për pronësinë e tokës – kanë hyrë në ditën e 24-të.

Prokuroria e Posaçme është duke kryer hetime në lidhje me kontratat e shitjes së tokës, ku do të realizohet ky projekt.

Çfarë thotë kompania investuese?

Sipas të dhënave zyrtare, zona në Zvërnec figuron në pronësi të kompanisë Albania Land Development, e regjistruar më 27 maj 2025 në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë janë vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.

Në një deklaratë për REL-in më 12 qershor, Asher Abehsera, kryetar i Sazan Real Estate Development LLC, tha se kompania ka punuar katër vjet për të krijuar një destinacion turistik të klasit botëror në bregdetin shqiptar.

Ai tha se qëllimi është zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës, duke shtuar se e ardhmja e projektit do të përcaktohet nga Shqipëria dhe qytetarët e saj.

Sazan Real Estate Development LLC figuron si një nga subjektet në strukturën e pronësisë së Albania Land Development.

Kompania tha gjithashtu se projekti nuk është miratuar, nuk ka leje ndërtimi dhe nuk kanë nisur punimet, si dhe se nuk ka lidhje me Affinity Partners.

Sipas saj, toka është pronë private e blerë ligjërisht ngazhvilluesit.