Grupi që krijoi softuerin Pegasus futet në listën e zezë të SHBA-së

Fotografi ilustruese: Silueta e një përdoruesi të telefonit.

Kompania izraelite që qëndron pas softuerit të diskutueshëm Pegasus është shtuar në listën e zezë tregtare të SHBA-së.

Pegasus thuhet se është përdorur nga shtete të caktuara për të kontrolluar telefonat e aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe gazetarëve.

SHBA-ja ka vendosur tani prodhuesin e tij, NSO Group, në “listën e subjekteve” me të cilat ndalon marrëdhëniet e biznesit.

NSO Group tha se është “i tronditur” me vendimin dhe shtoi se teknologjia e tij ka ndihmuar në ruajtjen e sigurisë kombëtare të SHBA-së, duke “parandaluar terrorizmin dhe krimin”.

Organizata, prej kohësh, pohon se softueri i saj i shitet vetëm ushtrisë, agjencive të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës në vende ku respektohen të drejtat e njeriut.

Por, muaj më parë, ajo është akuzuar për shitje të teknologjisë së saj te qeveritë autoritare, të cilat më pas kanë shënjestruar njerëz të pafajshëm.

Softueri i spiunimit Pegasus: Si funksionon?

Zyrtarët amerikanë thanë se NSO Group dhe një firmë tjetër izraelite, Candiru, kanë vepruar “në kundërshtim me sigurinë kombëtare ose interesat e politikës së jashtme të SHBA-së”.

Departamenti Amerikan i Tregtisë tha se vendimi i tij “është bazuar në provat se këto entitete kanë zhvilluar dhe furnizuar me softuerë qeveritë e huaja, që i kanë përdorur këto mjete për të shënjestruar me qëllim të keq zyrtarë qeveritarë, gazetarë, njerëz të biznesit, aktivistë, akademikë dhe punonjës të ambasadave”.