Sorensen në Prishtinë: Do të sigurohemi që Kosova e Serbia të zhvillojnë bisedime

I dërguari i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Prishtinë, 14 janar.

Peter Sorensen - i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – tha gjatë një vizite në Prishtinë të mërkurën se do të punojë për të gjetur një mënyrë që dy vendet fqinje të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë, në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet.

Sorensen u takua mëngjesin e së mërkurës me udhëheqësit e Kosovës, kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.

Duke folur për media pas takimit me presidenten, Sorensen tha se “kam shpresa se viti 2026 do të na japë atë që viti 2025 nuk na e dha”.

“Prandaj, po e nisi vitin e ri me një udhëtim pune këtu dhe në Beograd më vonë gjatë javës. Çfarë do të bëjmë ne është të sigurohemi që palët të ulen dhe të bisedojnë. Duhet ta gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë”, theksoi Sorensen.

Pas takimit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se fitorja e partisë së tij në zgjedhjet e 28 dhjetorit garanton stabilitet institucional dhe siguron “përfaqësim të drejtë dhe parimor të Kosovës në dialog.

“Sa i përket palës tjetër në dialog, kryeministri vlerësoi se e njëjta gjë nuk mund të thuhet për lidershipin në Serbi”, u tha në njoftim.

Kurti, sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e tij, tha se Kosova është e gatshme për normalizim të raporteve me Serbinë dhe dialog konstruktiv në Bruksel.

Por, ai sërish kërkoi që Serbia të dorëzojë Millan Radoiçiqin – ish-nënkryetarin e Listës Serbe që ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në shtator të vitit 2023 – dhe tërheqjen e “letrës së ish-kryeministres [së Serbisë, Ana] Bërnabiq, të deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të zbatimit si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara”.

Takimi mes emisarit evropian, Peter Sorensen, dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Presidentja Osmani, ndërkohë, theksoi se dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe se suksesi i dialogut varet edhe nga trajtimi barabartë i palëve, tha Presidenca e Kosovës.

"Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kryer akte agresioni, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare", thuhet në njoftim.

Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga viti 2023, pas rritjes së tensioneve mes tyre për shkak të një sulmi nga një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe në shtator të atij viti.

Kurti – i cili pritet të jenë në krye të qeverisë së vendit edhe për një mandat të tretë katërvjeçar – e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me dorëzimin e të dyshuarit për sulmin në Banjskë të Zveçanit që la një rreshter të vrarë, Millan Radoiçiq.

SHIKONI EDHE: Kurti: Të akuzuarit për Banjskën, më afër Vuçiqit sesa mbrojtja e afërt

Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës kur ndodhi sulmi dhe e mori përgjegjësinë për të.

I pyetur nga gazetarët nëse BE-ja do të bëjë trysni ndaj Serbisë për ta plotësuar kushtin e Kurtit për dorëzimin e Radoiçiqit para një takimi të mundshëm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Sorensen nuk u përgjigj.

Sorensen gjatë ditës zhvilloi takime të ndara me udhëheqësit e partive opozitare në Kosovë.

Pas takimeve në Prishtinë, Sorensen do udhëtojë drejt Beogradit për takime me udhëheqës të Serbisë.

Vizita e tij në Kosovë vjen në një kohë kur vendi është në pritje të themelimit të institucioneve të reja shtetërore pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit – të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.

SHIKONI EDHE: Si erdhi LVV-ja deri te fitorja “spektakolare”?

Kjo ishte vizita e tij e parë qëkurse iu vazhdua mandati edhe për dy vjet të tjera si i dërguar për dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje.

Gjatë mandatit të parë, ai zhvilloi vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, të cilat nuk dhanë fryt.

Mungesa e përparimit në dialog gjatë kësaj kohe iu atribuua kryesisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe Serbi, e jo mungesës së angazhimit të ndërmjetësit evropian.

Pak njerëz në Bruksel besojnë se Kosova dhe Serbia do të jenë të gatshme të angazhohen së shpejti në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Besohet se Kaja Kallas, e cila ende nuk ka ndërmjetësuar ndonjë rund dialogu në nivelin më të lartë politik, do të përpiqet të arrijë diçka në Ballkanin Perëndimor, pas një fillimi të vështirë që ka pasur si diplomate kryesore e BE-së.

SHIKONI EDHE: Çfarë e pret Kosovën ndërsa BE-ja nis heqjen e masave?

Marrë parasysh se Brukseli është anashkaluar shpesh në çështje si: bisedimet për paqe për Ukrainën, lufta në Gazë dhe situata në Iran, zyrtarët e BE-së thonë me shaka se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë “fryti më i lehtë” që mund ta arrijë blloku në këtë moment.

Kosova dhe Serbia veçse arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por nuk janë duke e zbatuar atë.

Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është e detyrueshme për të dyja palët.

Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut 15-vjeçar.