Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme ajrore, të paktën 11 të vrarë

Një zjarr përfshiu tregun e librave pranë stacionit të metrosë Pochayna në Kiev pas një sulmi rus më 16 gusht.

Rusia dhe Ukraina shkëmbyen sulme gjatë natës më 16 gusht, ndërsa zyrtarët ukrainas raportuan se të paktën pesë persona u vranë nga sulmet ruse dhe se u dëmtua uzina më e madhe e çelikut në vend, ndërsa zyrtarët rusë thanë se dronët ukrainas vranë të paktën gjashtë persona.

Në Kryvyi Rih, raketat balistike ruse goditën uzinën e çelikut ArcelorMittal Kryvyi Rih, duke vrarë dy persona dhe plagosur 14 të tjerë, thanë zyrtarët ukrainas.

Kompania tha se u dëmtuan objektet kryesore të prodhimit në sektorët e gjenerimit të energjisë dhe furrave të larta dhe se operacionet u ndërprenë pjesërisht.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se qytetet Kremenchuk dhe Kryvyi Rih ishin goditur nga raketa balistike, duke shtuar: “Kudo që rusët mund të arrijnë me raketat e tyre balistike, ata godasin infrastrukturën civile”.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sulmet e saj ndaj Kievit kishin në shënjestër një objekt të kompanisë FirePoint, ku prodhohen komponentë për raketat ukrainase Flamingo, si dhe një fabrikë që prodhon komponentë për dronë.

Zyrtarët ukrainas thanë se sulmet ruse shkaktuan disa zjarre në Kiev, përfshirë në tregun e librave Petrovka, dhe plagosën gjashtë persona.

Në pjesë të tjera të Ukrainës, sulmet ruse vranë një person në Sumy dhe dy persona në rajonin e Zaporizhjas, sipas zyrtarëve ukrainas.

Ndërkohë, Ukraina ndërmori një nga sulmet e saj më të mëdha me dronë gjatë luftës kundër Rusisë, ndërsa kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se rreth 600 dronë kishin fluturuar drejt kryeqytetit që nga mbrëmja e 15 gushtit.

Ai tha se 201 prej tyre u rrëzuan mbi rajonin e Moskës. Ministria ruse e Mbrojtjes, veçmas, raportoi se gjatë natës u rrëzuan 822 dronë ukrainas.

Në qytetin Podolsk, një sulm me dron shkaktoi zjarr në një depo të Wildberries në parkun industrial Koledino, tha guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov. Ai tha se të gjithë punonjësit ishin evakuuar dhe se askush nuk ishte lënduar. Videot treguan një zjarr të madh në këtë objekt, i cili po luftohej nga helikopterët.

Objekti në Koledino është një nga depot më të mëdha të Wildberries.

Ministria ukrainase e Mbrojtjes tha se objekti në Koledino ishte njëri nga shtatë prej 10 qendrave më të mëdha logjistike të Wildberries që Ukraina kishte nxjerrë jashtë funksionit.

Ajo tha se depoja, e cila mbulon 250.000 metra katrorë, ishte më e madhja e kompanisë për nga sipërfaqja. Pretendimi nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Autoritetet ukrainase pretendojnë se depot e kompanisë së tregtisë elektronike janë të përfshira në furnizimin e nevojave të ushtrisë ruse. Wildberries dhe Kremlini e kanë mohuar këtë.

SHIKONI EDHE:

Imazhet satelitore tregojnë dëmet në kompaninë Wildberries në Rusi

Një zjarr i dytë u raportua në një depo që përmban ilaçe në Domodedovo, në jug të Moskës. Analistët e identifikuan atë si një objekt magazinimi në qendrën logjistike Severnoye Domodedovo. Kanalet ukrainase të monitorimit publikuan video të shumta që tregonin depo në flakë.

Vorobyov tha se një burrë i moshuar u vra pasi një dron goditi një shtëpi private në distriktin Ramensky të rajonit të Moskës. Ai raportoi gjithashtu për gjashtë persona të lënduar.

Veçmas, kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se tre persona u lënduan pranë Unazës së Moskës, pa specifikuar rrethanat.

Në rajonin jugor të Rostovit, guvernatori Yury Slyusar raportoi se pesë persona u vranë dhe një u plagos në një sulm. Ai nuk specifikoi se cili objekt apo zonë ishte shënjestruar.

Ushtria ukrainase, veçmas, tha se kishte goditur një objekt që prodhon karburant për raketa në rajonin e Rostovit. Nuk ishte e qartë nëse të dy raportet i referoheshin të njëjtit sulm dhe Rusia nuk ka komentuar pretendimin ukrainas.

Diku tjetër, një avion luftarak F-18 i NATO-s rrëzoi një dron të paidentifikuar që hyri në hapësirën ajrore të Rumanisë gjatë natës, tha Ministria rumune e Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes së Moldavisë tha se droni kishte hyrë në hapësirën ajrore moldave nga rajoni i Odesës në Ukrainë rreth orës 4:31 të mëngjesit më 16 gusht, kishte fluturuar mbi disa vendbanime dhe kishte hyrë në Rumani rreth 20 minuta më vonë.

Moldavia tha se besonte se droni ishte përfshirë në sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës. NATO më vonë tha se droni dukej se ishte rus.