Më 5 shkurt skadon një traktat që kufizon numrin e kokave të dislokuara bërthamore nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, duke bërë që për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli që programet bërthamore të Kremlinit dhe Uashingtonit të jenë të pakufizuara nga limitet numerike.
Moska e kishte “pezulluar” traktatin New START më 2023 si përgjigje ndaj mbështetjes ushtarake të SHBA-së për Ukrainën. Uashingtoni u përgjigj në të njëjtën mënyrë, duke e bllokuar praktikisht marrëveshjen e armëve, megjithëse ajo zyrtarisht mbeti në fuqi.
Në shtator, presidenti rus, Vladimir Putin, sugjeroi se do të respektonte termet kyç të traktatit – që përfshin kufizimin deri në 1.550 koka bërthamore, të gatshme për sulm, për secilin vend – edhe për një vit tjetër. Presidenti amerikan, Donald Trump, u përgjigj pozitivisht ndaj kësaj qasjeje të Kremlinit, duke u thënë gazetarëve se i dukej “një ide e mirë”, por përpjekjet e fundit të Moskës për formalizmin e marrëveshjes janë përballur me heshtje. Departamenti amerikan i Shtetit refuzoi të komentojë mbi statusin e paktit bërthamor, duke ridrejtuar pyetjet e Radios Evropa e Lirë te Shtëpia e Bardhë.
Pavel Podvig, hulumtues i lartë në Institutin e Kombeve të Bashkuara për Kërkime mbi Çarmatimin (UNIDIR), i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka tregues që do të ketë një zgjatje në çastin e fundit të termave kyç të traktatit. Eksperti i armëve bërthamore tha se beson se një shkallë e përhapjes bërthamore është shumë e mundshme në një të ardhme të afërt.
“Mendoj se ajo që do të ndodhë është që SHBA-ja do të lëvizë për të rritur numrin e kokave të dislokuara bërthamore”, tha Podvig, duke shtuar se një rritje e tillë, të paktën në terma afatshkurtër, mund të realizohet relativisht lehtë, duke vendosur koka shtesë bërthamore në armët ekzistuese, sikurse është Minuteman III.
Një punëtor inspekton raketën Minuteman III brenda një silosi në Dakodën e Veriut më 1989.
Shtetet e Bashkuara aktualisht kanë të dislokuara 400 raketa balistike ndërkontinentale Minuteman III (ICBM), gati për lëshim në të gjithë Rrafshin e Madh të vendit. Secila raketë mban një kokë bërthamore, në përputhje me kufizimet e traktatit New START, por është e aftë të mbajë deri në tre. Çdo kokë bërthamore, e vendosur brenda një “mjeti rikthimi” në formë koni, mund të ndahet në fazën e fundit të fluturimit të raketës për të goditur caqe të ndryshme.
Prandaj, trefishimi i numrit të kokave bërthamore të gatshme për lëshim përmes raketave balistike ndërkontinentale do të ishte relativisht i thjeshtë.
“Hamendësimi im është se kjo do të bëhej relativisht shpejt”, tha Podvig. Rusia, po ashtu, është në gjendje të instalojë koka shtesë bërthamore në armët ekzistuese, duke rritur arsenalin e saj, të gatshëm për sulm, me rreth 60 për qind nëse hiqen kufizimet e traktatit New START.
Teknikët instalojnë mjetet rihyrëse në raketën balistike ndërkontinentale Minuteman III në një bazë ajrore amerikane në Montana më 1985.
Një arsye për hezitimin e SHBA-së për kufizimin e arsenalit të saj bërthamor është ngritja e një superfuqie të tretë bërthamore, e cila mezi paramendohej kur New START u nënshkrua më 2010.
“Dallimi më i madh në peizazhin e armëve bërthamore është shfaqja e Kinës si një sfidë për SHBA-në dhe Rusinë si shtete dominuese të botës sa i përket arsenaleve bërthamore”, i tha REL-it, William Moon, ish-menaxher i lartë i programit për Reduktimin e Kërcënimeve Bashkëpunuese.
Moon, i cili ka përvojë në terren duke inspektuar objektet bërthamore të Rusisë, shtoi se “pa një kuptim më të mirë të qëllimeve të Kinës, si SHBA-ja, ashtu edhe Rusia, do të jenë hezituese që të kufizojnë inventarët e tyre bërthamorë dhe planet për modernizimin e tyre”.
Një raport i Pentagonit i vitit 2022 vlerësoi se Kina “ka të ngjarë të ketë një arsenal prej rreth 1.500 kokash bërthamore” deri në vitin 2035.
Ky imazh satelitor shfaq atë që besohet se është një silos i raketave duke u ndërtuar në një shkretëtirë kineze më 2021.
Podvig tha se me SHBA-në që pritet të përballet së shpejti me dy fuqi rivale bërthamore, “amerikanët po i thonë vetes: ‘Shiko, Kina ka rreth 300 silose, pra do të ketë 300 raketa dhe ne nuk kemi mjaft koka bërthamore për t’i shënjestruar të gjitha’. Dhe, plani është: ‘Do të dislokojmë më shumë koka bërthamore dhe do t’i shënjestrojmë të gjitha”. Por, shton ai, pasoja mund të jetë një garë armatimesh e ngjashme me atë të Luftës së Ftohtë, ku Kina më pas vendos: “Epo, ndoshta na duhen edhe më shumë silose”.
Potenciali që një garë e re armësh të nisë që muajin e ardhshëm ka bërë që mbështetësit e kontrollit të armëve bërthamore të bëjnë thirrje për përpjekje të reja për të kufizuar fuqinë shkatërruese që mund t’i japë fund qytetërimit.
Daryl Kimball, drejtori ekzekutiv i Shoqatës për Kontrollin e Armëve, i tha REL-it se “realiteti është se më shumë armë bërthamore nuk do ta bëjnë askënd më të sigurt. Shtetet e Bashkuara tashmë kanë një forcë masive bërthamore, shkatërruese dhe në masë të madhe të paprekshme, e cila është më se e mjaftueshme për të penguar një sulm bërthamor nga Kina, Rusia apo çdo shtet tjetër që ka armë bërthamore”.
Rritja e fuqisë bërthamore të Rusisë dhe SHBA-së, sipas tij, “mund ta destabilizojë edhe më tej ekuilibrin e ndërsjellë të terrorit bërthamor: do të rëndonte programin amerikan të modernizimit bërthamor, i cili tashmë është i kushtueshëm dhe do ta shtynte Kinën që të përshpejtojë ndërtimin e arsenalit të saj bërthamor”.
Në prag të hyrjes në një territor të pashkelur të epokës bërthamore, Kimball tha se “qytetërimi mbetet i lidhur në mënyrë të rrezikshme me ekzistencën e armëve bërthamore dhe me strategjitë e rrezikshme e të ndërlidhura të frenimit bërthamor të shteteve që kanë armë bërthamore dhe të aleatëve të tyre”.