Brenda Manastirit të Shpellës së Shenjtë të Kievit teksa afrohet afati i 'dëbimit'

Kjo foto e 14 marsit tregon ushtarët ukrainas që kalojnë pranë një murgu afër manastirit ortodoks në Kiev. Tensionet po rriten teksa afrohet 29 marsi - afati i fundit që klerikët të largohen nga prona.

Klerikët kanë deklaruar se do të qëndrojnë në shtëpinë e tyre historike, pasi mbështetësit e tyre janë zotuar se do t'i mbështesin "çdo kusht".
 

Pechersk Lavra e Kievit është një kompleks manastiri i vjetër gati 1000-vjeçar në qendër të kryeqytetit ukrainas.

Fjala 'lavra' përdoret për një manastir që përfshin qeli për hermitët, ndërsa fjala 'pechersk' do të thotë "i shpellave".
Manastiri njihet edhe si Manastiri i Shpellave. 

Hyrja kryesore e kompleksit e fotografuar në vitin 1918.

Sipas historisë së krishterë ortodokse, menjëherë pas vdekjes së Jezusit, apostulli udhëtues Andrea tregoi bregun e ngritur perëndimor të lumit Dnieper të sotëm, ku ndodhet tani kompleksi dhe u zotua se "hiri i Zotit do të shkëlqejë në këto kodra. Këtu do të ketë një qytet të madh dhe Perëndia do të ndërtojë shumë kisha".

Rrezet e diellit depërtojnë në brendi të kishës.

Kompleksi i manastirit u themelua në vitin 1051 dhe nga UNESCO përshkruhet si "një nga qendrat më të rëndësishme të pelegrinazhit të krishterë në botë".
 

Një foto e vitit 1977.

Nën sovjetikët, kleri pësoi shtypje të vazhdueshme nga autoritetet deri në vitet 1960. Gjatë luftës ukrainase-sovjetike, militantët pro-bolshevikë ekzekutuan mitropolitin e Kishës Ortodokse Ruse jashtë mureve të kompleksit më 1918.

 

Në nëntor të vitit 1941, Katedralja e Fjetjes brenda kompleksit të manastirit u shkatërrua nga një shpërthim. Shumica e raporteve ukrainase arrijnë në përfundimin se Ushtria e Kuqe Sovjetike gjatë tërheqjes e shkatërroi ndërtesën, ndërsa burimet ruse thonë se trupat pushtuese gjermane qëndrojnë pas këtij krimi.
 

Pasi Ukraina fitoi pavarësinë më 1991, Katedralja e Fjetjes (foto e bërë më 2008) u rindërtua për festimet e ditës së pavarësisë së Ukrainës në vitin 2000.

Manastiri funksiononte nën autoritetin e degës së Kishës Ortodokse të Ukrainës, e lidhur me Moskën. Ajo degë njoftoi se do të prishte të gjitha lidhjet me autoritetet fetare ruse në maj të vitit të kaluar pasi Patriarku Kirill i Moskës shprehu vazhdimisht mbështetje për pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022. Kritikët, megjithatë, thonë se këto lëvizje nuk e kanë ndryshuar statusin kanonik të kishës dhe kështu janë të parëndësishme.

Oficerët ukrainas të sigurisë duke kontrolluar çantat e një gruaje në manastir më 22 nëntor 2022.

Kompleksi i manastirit u bastis nga autoritetet menjëherë pasi u publikua një video më 12 nëntor 2022, ku tregoheshin besimtarët brenda kishës duke kënduar një këngë patriotike ruse që përfundonte me vargjet: “Kumbimi [i këmbanave të kishës] përhapet, po përhapet mbi Rusi, Nënë Rusia po zgjohet”.

Ushtarët ukrainas duke u larguar nga manastiri në janar 2023.

Më 10 mars, Ministria e Kulturës e Ukrainës konfirmoi se një kontratë qiraje që i kishte lejuar kishës të përdorte një pjesë të manastirit, do të ndërpritej.

 

Një grua duke parë murgj të mumifikuar në katakombet e manastirit (galeri të nëndheshme me disa tunele të gjata, ku të krishterët e lashtë fshiheshin, kryenin shërbesat fetare ose varrosnin të vdekurit), 5 shkurt 2023.

Kalimtarët që folën për AFP-në më 14 mars kryesisht shprehnin mbështetje ndaj urdhrit për dëbim, ndërsa njëri prej tyre tha: "Nëse ata janë pro Moskës, ata nuk janë të mirëpritur këtu".

“Shumë nga murgjit, thjesht, nuk kanë askund vend përveç manastirit. Është shtëpia jonë. Dhe për ne, kjo [njoftimi për dëbim] ishte një rrufe nga qielli", i tha një murg agjencisë franceze të lajmeve.

Më 15 mars, Papa Françesku përmendi bllokimin në manastirin e Kievit gjatë fjalimit të tij javor. Papa u bëri thirrje "palëve ndërluftuese [në Ukrainë] t'i respektojnë vendet fetare" dhe lavdëroi ata që u përkushtohen lutjeve, "çfarëdo besimi që mund të jenë".

Ukraina ka urdhëruar klerikët e lidhur me Moskën që të largohen nga Pechersk Lavra e Kievit, manastiri ortodoks më i rëndësishëm i vendit, deri në fund të marsit. Më poshtë mund të lexoni për zhvillimet që kanë çuar në krizën aktuale. (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)